LAJMI I FUNDIT:

ZRRE refuzon gjykatën, kosovarët duhet të vazhdojnë të paguajnë për faturat e serbëve

ZRRE refuzon gjykatën, kosovarët duhet të vazhdojnë të paguajnë për faturat e serbëve

Gjykata e Apelit ka pezulluar përfundimisht të shtunën vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), i cili i detyronte qytetarët që nëpërmjet faturave të energjisë të paguajnë për rrymën që nuk e shpenzojnë vetë, por që shpenzohet në veri të vendit.

Këtë vendim Gjykata e Apelit e ka marr pas atij të Themelores si dhe pas ankesës së bërë nga Avokati i Popullit, shkruan Indeksonline.


Mirëpo, në ZRRE thonë se bordi i pakompletuar po shkakton probleme, pasi që nuk i kanë numrat e nevojshëm për të marr vendime.

Adelina Murtezaj Bajrami, zyrtare për Marrëdhënie me Publik në ZRRE ka thënë për Indeksonline se megjithatë vendimi i gjykatës do të zbatohet pasi që është meritor.

“Çdo vendim i Gjykatës është meritor dhe duhet të zbatohet. Megjithatë sa i përket aspektit të humbjeve të energjisë, ZRRE dëshiron të sqaroj se humbjet janë një nga shumë komponentët që përbëjnë të Hyrat e Lejuara Maksimale të cilat mblidhen nga tarifat. Çdo vlerësim i të hyrave të Lejuara Maksimale, të operatorëve të licencuar të cilët i nënshtrohen rregullimit të çmimeve nga Rregullatori, me ligjet e energjisë dhe rregullat e tjera për përcaktimin e çmimeve, është kompetencë e vendimmarrjes së Bordit si organ i vetëm vendimmarrës në ZRRE”, tha Adelina Murtezaj-Bajrami.

Sipas saj, vendimet për ndryshimin e tarifave, sipas ligjeve dhe rregullave, merren nga Bordi i ZRRE, i cili aktualisht ka vetëm dy anëtar dhe nuk mund të marr asnjë vendim për shkak të mungesës së kuorumit.

“Sipas Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, neni 25.2: ‘Kuorumi për seancat e Bordit është tre (3) anëtarë. Seancat e Bordit mund të mbahen nëse ekziston kuorumi, pavarësisht nëse ka një apo dy pozita të lira në Bord’. Aktualisht ZRRE është në proces të shqyrtimeve tarifore dhe sapo të formohet Bordi do të ju paraqitet për aprovim me kalkulimet që parashohin edhe ndikimin e vendimit të Gjykatës”, ka thënë Murtezaj-Bajrami.

Bordi i ZRRE-së është joaktiv nga data 15 maj e këtij viti. Qeveria ende nuk ka arritur të konstituoj bordin e këtij institucioni, andaj vendimi i ZRRE-së i 6 shkurtit të vitit 2012 nr_399_2012, është ende duke u aplikuar në tarifat e qytetarëve të Kosovës.

ZRRE ka njoftuar se sipas operatorëve të licencuar energjia e pa faturuar në vitin 2016 në pjesën veriore të Kosovës 252 GWh, që përmban rreth 5.24% të kërkesës së shpërndarjes dhe se vlera e gjithëmbarshme e energjisë së faturuar në veri të vendit është rreth 8 milionë euro. /Indeksonline/Telegrafi/