Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV) ka bërë të ditur se gjatë periudhës 17–31 korrik 2026, mbrojtësit e viktimave në nivel vendi kanë trajtuar gjithsej 125 raste të reja, ku pjesën më të madhe e përbëjnë rastet e dhunës në familje.

Sipas njoftimit, nga 125 rastet e regjistruara, 87 kanë të bëjnë me dhunë në familje. Po ashtu, janë trajtuar katër raste të vrasjes në tentativë, një rast i krimeve të luftës, një rast i trafikimit me njerëz, gjashtë raste të kanosjes, katër raste të ngacmimit seksual, tre raste të dhunimit, një rast i rrëmbimit, një rast i sulmit, gjashtë raste të lëndimit të lehtë trupor, një rast i grabitjes, një rast për mundësim trafikimi dhe detyrim në prostitucion, dy raste të bashkësisë jashtëmartesore me person nën moshën 16-vjeçare, si dhe gjashtë raste të mospërfilljes së gjykatës.


Përveç trajtimit të rasteve, ZMNV ka marrë pjesë në 109 seanca gjyqësore dhe 20 seanca në prokurori, ndërsa janë regjistruar edhe tre aktgjykime dënuese dhe tre aktgjykime refuzuese.

Në kuadër të mbështetjes për viktimat, mbrojtësit kanë realizuar tri përfaqësime në Polici, kanë ofruar 66 këshilla juridike dhe kanë bërë katër referime në Qendrat për Punë Sociale, si dhe 21 referime në strehimore.

Sa i përket masave mbrojtëse, gjatë kësaj periudhe janë miratuar 16 kërkesa për urdhër mbrojtës emergjent dhe një kërkesë për urdhër mbrojtës të përkohshëm emergjent. Ndërkohë, pesë kërkesa për urdhër mbrojtës emergjent janë ende në proces, një kërkesë për urdhër mbrojtës është refuzuar nga gjykata, ndërsa dy të tjera janë tërhequr nga palët.

ZMNV njoftoi gjithashtu se gjatë kësaj periudhe janë përgatitur 26 deklarata të pëlqimit të viktimave, ndërsa një kërkesë për kompensim të dëmit mbetet në pritje të shqyrtimit. /Telegrafi/