Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) kishte përfshirë artikuj me afat të skaduar në stokun farmaceutik.

Në raportin e auditimit të vitit 2025, ZKA thekson se në regjistrat e stokut farmaceutik figuronin shtatë artikuj në vlerë rreth 58 mijë euro të cilëve ju kishte kaluar afati i përdorimit gjatë vitit dhe si rrjedhojë për to nuk ishte bërë dalje si artikuj të skaduar në Sistemin e Menaxhimit të Stokut Farmaceutik.


Kjo kishte ndodhur si rezultat i mungesës së monitorimit të rregullt të afateve të skadencës së barnave në stok si dhe kontrollit të pamjaftueshëm periodik të stokut për të siguruar që barnat me afat të skaduar të evidentohen dhe të trajtohen sipas procedurave përkatëse.

“Mbajtja e barnave me afat të skaduar në stok ndikon në paraqitjen jo të saktë të vlerës së stokut në pasqyrat financiare duke i mbivlerësuar ato”- thuhet në raportin e ZKA-së, shkruan Kallxo.com.

Raporti i ZKA-së për SHSKUK-në i vitit 2025 ka rezultuar me 12 rekomandime, prej tyre pesë të reja dhe shtatë rekomandime të përsëritura.

Raporti i auditimit për vitin 2024 kishte rezultuar me nëntë rekomandime, dy prej të cilave janë zbatuar ndërsa për shtatë të tjera nuk ka nisur zbatimi.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka pranuar opinion të kualifikuar në raportin e auditimit të pasqyrave financare për vitin 2025. Auditori jep opinion të kualifikuar kur pasqyrat financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.

Të hyrat e realizuara nga SHSKUK në 2025 ishin në vlerë 3,123,932 euro. Ato kanë të bëjnë me të hyrat nga participimi, certifikatat mjekësore, parkingu, etj.

Raportin e plotë të SHSKUK-së mund ta gjeni KËTU.