LAJMI I FUNDIT:

Zhbllokohet magjistralja, por rreziku vazhdon

Zhbllokohet magjistralja, por rreziku vazhdon

Magjistralja Mitrovicë-Leposaviq është zhbllokuar të hënën rreth mesditës, pas bllokimit të saj nga dita e djeshme si pasojë e rrëshqitjes së gurëve dhe dheut që kishte ndodhur tek vendi i quajtur ‘Kërrshi i Dudës’ afër fshatit Lisicë të Mitrovicës.

Punëtorët e Kompanisë për mirëmbajtjen e rrugëve ‘Jasen’ nga Zubin Potoku, e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës, kanë arritur që në orët e paradites ta lirojnë për qarkullim njërën korsi, ndërsa rreth mesditës të dyja korsit në këtë magjistrale kanë qenë të qarkullueshme.


Musa Dragaj, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KosovaPress, se magjistralja edhe pse është zhbllokuar, vazhdon rreziku i shembjes së shkëmbit në këtë pjesë, për shkak të qarjeve të mëdha në disa pjesë.

Edhe Halil Latifi, banor i fshatit Lisicë, ka pranuar se banorët të cilët i kanë shtëpitë afër këtij shkëmbi, ju kanoset permanent rreziku, për shkak të qarjeve të mëdha dhe nga të gjitha anët që ka pësuar ky shkëmb.

Sipas tij, banorët e këtushëm kanë tërhequr familjet e tyre nga shtëpitë, të cilët i kanë dërguar tek të afërmit e tyre në Mitrovicë e gjetiu.