LAJMI I FUNDIT:

Zemaj: Të ulen pagat e deputetëve, kursimet të orientohen për kategoritë pa përkujdesje

Zemaj: Të ulen pagat e deputetëve, kursimet të orientohen për kategoritë pa përkujdesje

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, ka kërkuar uljen e pagave për deputetët, Qeverinë dhe disa sektorë të tjerë, e kursimet të orientohen për fëmijët jetim, si dhe për personat me nevoja të veçanta, për ata të cilët nuk kanë përkujdesje.

“Deri të shtunën kur pritet të votohet ky ligj, mendoj se duhet që të ulen pagat tona, të Qeverisë dhe të disa sektorëve të tjerë, ndërsa ato kursime të orientohen për fëmijët jetim, si dhe për personat me nevoja të veçanta, për ata të cilët nuk kanë përkujdesje”, ka shkruar ai në Facebook.


Deputeti Zemaj ka rikujtuar kolegët e tij se ata janë të zgjedhur dhe nevojtarët përkrahjen e presin edhe nga ata e jo vetëm nga Qeveria.
“Ata sot e nesër kanë nevojë për më shumë kujdes, ata presin që ne t’i konsiderojmë si pjesë të familjeve tona. Përndryshe, ky ligj edhe me shumë mangësi të tjera që ka, rritë pakënaqësitë dhe imponon dallimet e padrejtësitë në shoqërinë tonë”, tha deputeti Armend Zemaj. /Telegrafi/