LAJMI I FUNDIT:

Zemaj: Granti për Projektin e Emergjencës ndaj COVID-19 së shpejti do të miratohet në Kuvend

Zemaj: Granti për Projektin e Emergjencës ndaj COVID-19 së shpejti do të miratohet në Kuvend

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se kredia e dhënë nga Banka Botërore për ta luftuar pandeminë COVID-19, do të miratohet së shpejti në Kuvend të Kosovës.

Ai me anë të një shkrimi në Facebook ka shkruar se, ka pasur në bisedë me menaxherin e Bankës Botërore në Kosovë, Massimiliano Paolucci, ku kanë folur rreth Projektit të Emergjencës për ta luftuar pandeminë COVID-19, përcjell Telegrafi.


“Sigurova se do të angazhohem që të mos ketë asnjë procedurë burokratike për realizimin e projektit në fjalë, sikurse me përfaqësuesit e Bankës Botërore do të kemi takime dhe kontakte intensive ditore. Paoluccit i sqarova se do të përpiqem maksimalisht që përmes Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës të aprovohet sa më shpejt në parlament Projekti i ri i Emergjencës ndaj COVID-19”, ka shkruar Zemaj.

Ministria e Financave kishte nënshkruar Marrëveshjen e Kredisë me Bankën Botërore përmes Asociacionit Zhvillimor Ndërkombëtar, në vlerë prej 46 milionë euro për “Projektin Emergjent COVID-19 për Kosovën”.

Në kuadër të kësaj kredie, do të mbështeten skemat e ndihmave sociale dhe amvisëritë sipas Pakos së kaluar dhe Programit për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë së Kosovës. /Telegrafi/