LAJMI I FUNDIT:

Zejnep Toptani, bukuroshja e fjetur e Gjovalin Gjadrit

Zejnep Toptani, bukuroshja e fjetur e Gjovalin Gjadrit
Himni i rrallë për gruan
Lexo po ashtu Himni i rrallë për gruan

Mbi historinë e dy të rinjve të viteve 1930 dhe librin “Letra grus seme të vdekun”

Nga: Fatmira Nikolli

“S’praj tue i thanë vetes se m’ka ndodhë nji padrejtësi e madhe dhe në fund të fundit,  e ngarkoj Zotin me përgjegjësi për këtë fatkeqësi temen. Sa ma i madh asht dëshpërimi jem aq ma fort dyshoj në ekzistencën e tij”.

Kur Gjovalin Gjadri i shkruan këto radhë, Zejnepi i tij qe ndarë nga jeta, duke i lënë një boshllëk të madh në shpirt e në rrokullinë rreth tij. I brengosur dhe i dorëzuar, inxhinieri shkodran ka humbur të vetmen arsye për të cilën jetonte, vajzën me fytyrë ovale, gruan që dashuronte e nënën e birit të vetëm. Prej humbjes së saj, ai vë në dyshim gjithçka; Zotin të parin, e mandej jetën fizike e atë shpirtërore. Shtëpia i është kthyer në makth. Kudo gjen gjurmët e Zejnepit, kujton netët përreth zjarrit në oxhak, vitet me të, njohjen, letrat që i shkruante. Aty është dhe shtëpia që e patën ndërtuar bashkë, dhoma e saj, dollapi me rrobat e saj që dëshmojnë dëshirën për jetë, rrobat që nuk ka më kush t’i veshë. Dhe duart, duart e saj të lëmuara, gishtërinjtë e hollë, që ai nuk do mundet me i puthë ma. Dhe, gjithçka dhemb deri në asht.

Me sytë e errun e lotët e paterun, Gjovalini endet në shtëpinë që e ha e gjen në sirtar, një tufë letrash që ia patën çuar njëri-tjetrit shtatë vjet më parë. Kaq qenë vitet e tyre bashkë. E ditën e shtatë Zoti e bëri pushim – e vitin e shtatë ajo e la vetëm. Duke lakmuar i zhuritin vdekjen, Gjovalin Gjadri i shkruan “Letra gruas së tij të vdekun”. Kjo është mënyra e tij për t’u çliruar e për të kuvendue me të, në të vetemen mënyrë që i ka mbetë, duke folur me eterin.

I shkruan gjermanisht dhe i boton më 1943 nën pseudonimin G. Maranaj. Në shqip prej gjermanishtes libri erdhi më 2017 përkthyer prej Ardian Ndrecës, në gegnishte, si gjuha amë e autorit, e si besnikëri ndaj vikatjes që ka pas në dhembje Gjadri, pse dhembja vjen ma e vërtetë e ma e plotë në gjuhën e nënës.

“Letra grues seme të vdekun” rrok gjithë terrin e një burri që ka dashur furishëm e me zemër dhe e ka humbur të dashurën shi kur mendonte se jeta po ju ecte mbarë. Në atë gjendje të rënduar ai shkruan letrat më të bukura të dashurisë, pse siç e pranon vetë, ndryshe prej shkrimtarëve, dhembja e tij është e vërtetë.

Ai është një Orfe i gatshëm të bëjë gjithçka për Euridiçen e tij, por se Zotat nuk i ofrojnë marrëveshje, e ai me Zotin lidhet veç përmes frikës e hera-herës, prej shpresës me u bashku në vdekje. Duke mos pas garanci që vdekja e bashkon me Zejnepin, ai edhe për këtë ka frikë, i shkruan letra, si rekuieme ku përmes lotëve e fjalëve përpiqet ta risjellë në jetë Zejnepin, por shí kur i duket se ajo është aty, duart e tij prekin veç ajrinë. Dikur ai e pyeste nëse buzët e saj qenë shpirt a landë. Shtatë vjet më pas ato janë veç shpirt. Landa u tret, në nji varr monumental, për të cilën i thotë se e ka ndërtu në paqe me hapësirën përreth, pse të vdekunit, janë pjesë e jona.

Zejnep Toptani, u nda nga jeta 15 gushtin e 1941-shit në Merano, ku shkoi pas daljes nga spitali ku pati kryer operacione të pasuksesshme. Ai ia vë fajin për humbjen e saj, familjes së Zejnepit, dasive fetare,  e deri mesjetës ku shqiptarët ju dorëzuan pushtuesit duke bërë që familja e saj mos ta pranonte dhëndrin e mandej të linte pas dorë shërimin; fajëson mjekut në Itali duke besuar se mjekët austriakë do ta kishin shpëtuar, fajëson luftën dhe mandej sëmundjen. Ai ka bindjen që ata i bashkoi vuejtja e sëmundja.

Ai do ta shkonte tërë jetën i sëmurë e shëndetlig. Nuk do të martohej më, dhe djali me Zejnepin, qe fëmija i vetëm.

Nga dosja e tij e survejimit, del se deri në fund deshi të ikte nga vendi, vendi ku kujtimet e mbytnin prej dhimbjes, mallit e trishtimit. “Shveshja e drejtave, më kujton përsëri kohët e hershme kur kam kenë student në Austri, ku kam ndie një mungesë, kam hekë një vuajtje që nuk e kam ditë se çka është kanë, por që tash e di se ka kenë vuajtja e mungesës të Atdheut, që e kam kërkue gjithmonë dhe nuk e kam gjetë kurr, sa këtu në Shqipëri … por në degradimin tem kam bindjen me të drejtat dhe  pretendimet e mija këtu në Shqipëni, janë pa të realizueshme … dëshiroj ta le këtë Shqipni. Unë kam një nanë dhe një motër në Austri, që vujn ekonomikisht simbas lajmeve që kam marr…”

As fëmija i mitur, nuk i mjafton për të mbijetuar, madje ka bindjen se nuk është baba i denjë për të, pse, dhembja për Zejnepin e mbërthen krejtësisht pa e lënë të jetë ati për të voglin që zgjohet natën i trembur. Gjovalini thotë se i vogli e ka humb babën për së gjalli. Brerima e lotëve nuk ndalej, ndërsa tremet ku patën kaluar bashkë e trondisin. Letrat drejtuar së shoqes, përmbledhin gjithë ç’qe e tyrja, e gjithë ç’humbi ai kur mbeti vetëm.

Në libër, në faqet e fundme shënon se “due me të nderue tue mbajt zi”. Ndryshe prej bashkëkohësve që nuk para e njohin vajin e burrit të kësisojtë, ai e përcjell dhimbjen me fjalë, duke i latuar frazat, për t’ju dhënë gjithë ngjyrimet e ndjesive të veta. Inxhinieri i urave e ruajti edhe për vete duke u fshehur pas një pseudonimi, por njikohshëm, duke dhënë përmasën e raporteve burrë-grua që dinë të tejkalojnë letërsinë për nga intensiteti e ndjenjat, për nga përkujdesjet e respekti. E, ai malësori që nuk qe thyer ndër shekuj, thyhet me 15 gusht 1941,në mijëra copa që nuk mblidhen më, e në mijëra fjalë që shpërfaqin tërë forcën që ai kishte bartur deri atë ditë.

Në vetëdijen e tij ajo mbeti gjithherë e re dhe e bukur. Në shtratin e spitalit, kur sapo kishte mbyllur sytë përgjithnjë, Gjadrit ajo i dukej si në gjumë. Bukuroshja e tij e fjetur, nuk do të zgjohej kurrë më, duke lënë pas një zbrazti të tmerrshme që për Gjovalinin u kthye në honin e tij të dhembjes paskaj. Vetë ai, i thoshte në një prej letrave, ‘ti ban gjumin e nji bukuroshes së fjetun të trishtueshme. Asnji princ në botë nuk ka me të zgjue … mrekullitë e përrallave nuk ndodhin më: vetëm tragjikja e jetës shkon përtej çdo shëmbëlltyre të dhimbjes …” 79 vite më pas, zor se mund ta lexosh atë libër pa u përlotur, pse dhembja e përshkruar të prek deri më asht, nëse vdekja të ka marrë dikë të shtrenjtë dhe je ndjerë sadopak i mpirë prej humbjes.

Dashuria e madhe shqiptare: “Vdesin miliona njerëz në ketë luftë, por për mue veç vdekja jote ka kuptim”
Lexo po ashtu Dashuria e madhe shqiptare: “Vdesin miliona njerëz në ketë luftë, por për mue veç vdekja jote ka kuptim”