LAJMI I FUNDIT:

Zbulohet lidhja sekrete mes FBI-së dhe Hollywood-it

Zbulohet lidhja sekrete mes FBI-së dhe Hollywood-it

Zyra Federale Amerikane e Hetimeve (FBI) këshillon Hollywood-in në produksionet e tij, me qëllim kontrollimin dhe përmirësimin e imazhit të saj publik në shoqëri nëpërmjet industrisë së filmit, zbulon portali BuzzFeed News, duke cituar dokumentet e deklasifikuara nga byroja.

Gjatë pesë viteve të fundit, Njësia e Reklamimit dhe Çështjeve Publike të FBI- së ka luajtur një rol të rëndësishëm në prodhimin e qindra filmave, shfaqjeve televizive, dokumentarëve, madje edhe telenovelave.


Burime nga kjo njësi nuk ofrojnë shifra të sakta për numrin e produksioneve në të cilat kanë marrë pjesë, por tregojnë se bashkëpunimi i FBI-së me kompanitë e argëtimit po përparon me një ritëm të shpejtë, shkruan Dita.

“Pjesa dërrmuese e njerëzve e krijojnë opinionin për FBI-në bazuar në kulturën popullore dhe jo në një lajm të caktuar”, theksohet në një nga dokumentet e deklasifikuara, shkruan BuzzFeed News.

Njësia e Reklamimit dhe Marrëdhënieve me Publikun pret qindra kërkesa nga kineastë, producentë, apo kompani kinematografike apo medieve të komunikimit që kërkojnë këshillim për realizimin e punëve të tyre në mënyrë që të jenë sa më “realiste”.

Për kineastët këshillimi është falas dhe konsultimet varijojnë nga shkëmbimi i informacionit nëpërmjet postës elektronike deri tek seancat disa ditore në selinë e FBI-së në Uashington.

Por byroja jo vetëm që i përgjigjet shqetësimeve të kineastëve, por edhe merr një rol proaktiv në filma kur lind nevoja për të promovuar interesat e saj.

Përveç kësaj, publikimi thekson se marrëdhëniet e Zyrës Federale të Hetimit me Hollywoodin datojnë tetë dekada më parë dhe se kjo strategji marketingu ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme.

Dokumentet sugjerojnë se personazhi ideal i FBI-së që duhet të shfaqet në ekran është një person mendje-hapur, i arsimuar dhe i një agjencie miqësore që nuk spiunon, nuk kryen përgjime telefonike dhe as nuk shkel të drejtat civile. Përndryshe, byroja refuzon këshillimin derisa të bëhet korrigjimi i skenarit.