LAJMI I FUNDIT:

Zao Wu Ki – hapësirat që heshtin e flasin njëkohësisht

Zao Wu Ki – hapësirat që heshtin e flasin njëkohësisht

Luan Rama

“Hapësira është heshtje”. Kështu titullohet ekspozita post-mortum e piktorit të famshëm të ditëve tona, franko-kinezit Zao Wu Ki në “Palais de Tokyo”, në Paris. Dhe vërtet, tek viziton këtë ekspozitë, pikas menjëherë se në të mbizotërojnë tablo të dimensioneve të mëdha, diptikë apo triptikë, hapësira dinamike plot ngjyra dhe heshtje, heshtja që nderet në to. Ti afrohesh ballë tyre dhe e kupton imponimin e heshtjes, forcën e pikturës abstrakte, hapësira që të bëjnë të udhëtosh në mënyrë imagjinare.

Kisha patur rastin ta shikoja shpesh kur shkoja ne shtëpinë e mikes time Solange d’Angely dhe në mesin e atij itinerari shikoja Zao Wu-Ki, atë burrë shtatshkurtër, me një buzëqeshje mirësie të përhershme, që dilte e hynte në atelierin e tij tri katësh ku gjendeshin tablotë e tij të dimensioneve të mëdha dhe të mrekullueshme. Herën e fundit që e pashë ishte para disa vitesh kur nga makina që kishte ndaluar buzë rrugës, ballë atelierit të tij, dy gra po e mbanin nga krahët për ta futur në atelier. Por Zao kishte përfunduar si një lloj fëmije, këmbët e të cilit nuk preknin dot trotuarin. Me sa duket kishte ngulur këmbë të shihte tablotë e fundit të tij. Më erdhi keq ta shikoja ashtu atë mjeshtër të madh, në atë gjendje të dëshpëruar dhe të lodhur para një vdekje të afërt. Ai vdiq në prill të vitit 2013.

Emrin e Zao Wu Ki e kisha dëgjuar për herë të parë kur shkruaja për pikturën e Omer Kaleshit, pasi ai kishte patur një histori të çuditshme me të, në kohën që piktori me origjinë shqiptare, ardhur nga Stambolli në Paris, sapo kishte filluar të ekspozonte në Sallonin e artit të Parisit. Ishte piktori Pignon, mik i afërt i Pikasos ai që i kishte thënë një ditë Omerit që të shkonte ti tregonte mjeshtrit Zao tablotë e tij. Dhe Omeri, me tablotë në krahë, ishte nisur në atelierin e mjeshtrit franko-kinez, i cili në atë kohë po bëhej i njohur me afresket e tij për teatrin, baletin, muzeumet etj. Kur Omeri i kishte treguar tablotë, mjeshtri kishte heshtur një çast dhe kishte kaluar gishtin e tij mbi kornizën e tablosë, duke fshirë pluhurin. Ky ishte mësimi i parë për Omerin që s’duhej ti tregonte tablotë pa fshirë pluhurat mbi tablo.

Zao Wu-Ki ishte djali i një bankieri i lindur në Kinë, i cili që adoleshent ishte dalluar për talentin e tij në kaligrafi e vizatime, duke ndjekur shkollën tradicionale kineze. Familja e tij ishte një familje e vjetër, me rrënjë që shkonin gjer në dinastinë Song të shekujve X-XII. Pas studimeve të para për pikturë, tepër i ri dhe i sapo martuar, ai e la Kinën dhe në vitin 1948 u nis drejt Francës bashkë me gruan e tij. Dy muaj më vonë e gjejmë mes piktorëve të Montparnasse, ku vendoset në “Rue Moulin Vert”, dy hapa larg nga atelieri dhe shtëpia e Giaccometti-t. Por, formimi i tij tradicional nuk e pengoi të bëhej ithtar i piktorëve në zë të kohës si Matisse, Kandinsky, Klée etj. Një lloj abstraksionizmi që dukej se i përshtatej mënyrës së tij të pikturimit, një pikëtakim midis Orientit të largët dhe Perëndimit. Por ndikimin më të madh ky piktor e pati nga vepra e Sezan, piktor që influencoi shumë nga piktorët e “Ecole de Paris”, (Pikason gjithashtu) apo të “Nouvelle Ecole de Paris”, ku bënte pjesë dhe Zao Wu Ki, kohë kur ai pikturoi shumë portrete realiste apo “nature mort”.

“Ishte vepra e Sezanit që më ndihmoi të veten si piktor kinez” – do të shkruante më vonë ai. “Kam patur gjithashtu një admirim të veçantë për Cimebuen të pikturës së hershme italiane”, dhe kjo padyshim në kuadrin e perspektives dhe trajtimin e hapësirave të mëdha. Nëse do të shohim ndikimet e dukshme të piktorëve të mëdhenj në artin e tij, do duhej të konfrontojmë tablonë “Portreti i gruas time” me veprën e Matisse; tablonë “Dasma” e vitit 1941 me Chagall, apo një portret të tij me veprën origjinale të Modilianit. Gjatë viteve ’50-’60 të shekullit XX ai udhëtoi shumë duke mbushur “Fletoret e Udhëtimit” me vizatime të mrekullueshme, për tu vendosur përfundimisht në Paris, ku filloi të bëhej mjaft i njohur, me afresket e tij, ilustrimet e librave të rrallë, etj, veçanërisht kur një koleksionist arti amerikan e ftoi të ekspozonte në New York, çka do të bëhej për të një itinerar i përvitshëm. Veprat e tij u konsideruan si “abstraksione lirike” dhe ai, siç shkruante në revistën e kritikës pikturale franceze “Connaissance des Arts”, ish kryeministri Dominique Villepinde, si një nga piktorët më të mëdhenj të ditëve tona.

Henri Michaux ka shkruar se “Tablotë e Zao Wu-Ki kanë një virtut: ato janë dobiprurëse». Një vlerësim të veçantë i bënte pikturës së tij miku i afërt poeti René Char. Ekspozita e sivjetshme e Parisit, paraqet para publikut veçse një pjesë të vogël të krijimtarisë së madhe të tij, edhe pse bëhet fjala për disa salla ku janë paraqitur këto tablo. Ajo që të bije në sy është padyshim një raport mjaft i gjetur midis dritës dhe ngjyrës, në trajtimin jo thjesht vetëm të hapësirës por edhe semiologjisë që përmban ajo, lufta e dritës me errësirën, proçedimet në okër si në kohë kataklizme, përdorimi mjeshtëror i blusë, të bardhës, të kuqes për të krijuar atë shpërbërje të dritës dhe heshtjen që nderet mbi gjithçka. E megjithatë, në këto peizazhe abstrakte ndjen vibrimin e një jete, dinamikën e erës, shpërthimin e natyrës…