LAJMI I FUNDIT:

“Ylli i mëngjesit” me mbi tremijë vizitorë në tre ditë

“Ylli i mëngjesit” me mbi tremijë vizitorë në tre ditë

Mbi tremijë vizitorë përgjatë tre ditëve u njohën me itinerarin muzeal “Yjet e mëngjesit”, një labirint ndërveprues imazhesh të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe artefaktesh autentike pjesërisht të pashfaqura më parë.

I hapur në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar të shqiptarëve në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, ky muze do të qëndrojë edhe një javë i hapur për shkak të kërkesave që qytetarët të kenë mundësinë e zbulimit të një itinerari unik të përjetimit të Skënderbeut.


“‘Ylli i mëngjesit”, së bashku me veprat dhe artefaktet e pashfaqura, do të qëndrojë i hapur deri më 28 janar nga ora 10.00 deri në 22.00 në hollin e Pallatit të Kongreseve”, bën të ditur në një postim në Facebook, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Vizitorët në këtë muze kanë mundësinë të shohin që nga sendet personale të Skënderbeut, si përkrenarja dhe shpata që ka luftuar gjatë pushtimit osman, të cilat janë autentike të marra nga Muzeu Historik Kombëtar; dokumente kombëtare të rëndësishëm të asaj kohe; si dhe piktura që shfaqen për herë të parë për publikun të marra nga Arkiva e Shtetit, shkruan ATA.

Librat dhe pikturat po ashtu origjinale janë të marra nga fondet e Bibliotekës Kombëtare dhe Galeria Kombëtare e Arteve.

I organizuar nga kryeministri Edi Rama në kuadër të Vitit të Skënderbeut, ngjarja merr jetë falë bashkëpunimit me institucione të kulturës në vend dhe me koleksionistët privatë që kontribuuan në realizimin e tij.