Ylli i Liverpoolit flet hapur: Jam pranë marrëveshjes për kontratë të re me klubin

Mbrojtësi i Liverpoolit, Ibrahima Konate, ka konfirmuar se është shumë pranë nënshkrimit të një kontrate të re me klubin anglez.
Duke folur për të ardhmen e tij, francezi theksoi se bisedimet me klubin kanë avancuar prej kohësh dhe se marrëveshja finale është afër.

“E ardhmja ime? Për të qenë i sinqertë, janë thënë shumë gjëra, por prej kohësh kemi zhvilluar bisedime me klubin dhe jemi shumë afër një marrëveshjeje”, u shpreh Konate.
Ai shtoi se dëshira e tij ka qenë gjithmonë të vazhdojë te Liverpooli dhe se situata aktuale është shumë pozitive.
“Mendoj se të gjithë e kanë dëshiruar këtë për një kohë të gjatë dhe jemi në një rrugë të mirë. Me siguri ka një mundësi të madhe që unë të jem këtu edhe sezonin e ardhshëm. Kjo është ajo që kam dashur gjithmonë”, tha Konate.

Konate gjithashtu komentoi edhe procesin e finalizimit të kontratës, duke lënë të kuptohet se çështja është vetëm çështje kohe.
“Po presim të mbyllim kontratën, por kur gjithçka të jetë përfunduar, do të duhet ta pyesni Richard Hughes se çfarë i kam thënë në shtator dhe në nëntor dhe ai do të thotë diçka që do t’i qetësojë të gjithë”, shtoi Konate me humor.
Liverpool pritet të finalizojë zyrtarisht marrëveshjen në ditët ose javët në vijim, duke siguruar vazhdimësinë e një prej mbrojtësve kryesorë të skuadrës. /Telegrafi/





















































