Vushtrria ka marrë fitore të madhe në udhëtim ndaj Vëllaznimit në Gjakovë me rezultat 3-1, duke siguruar kështu rikthimin në elitën e futbollit kosovar pas gjashtë vitesh mungesë.

Të parët që kaluan në epërsi ishin vendasit që realizuan në minutën e 12-të me anë të Dardan Jasharit për rezultati 1-0.


Me epërsi minimale të gjakovarëve u mbyll pjesa e parë e këtij dueli.

Rikthimi i madh i Vushtrrisë ndodhi në pjesën e dytë, ku të besuarit e Armend Dallkut ia dolën të realizojnë tre gola për të përmbysur epërsinë e Vëllaznimit.

Serinë e golave e hapi Urim Statovci i cili në minutën e 60-të realizoi për rezultatin 1-1.

Po i njëjti lojtar, Statovci realizoi nga pika e bardhë e penalltisë për t’i dhënë epërsinë prej 2-1 skuadrës së Vushtrrisë.

Për epilogun përfundimtar të ndeshjes u përkujdes Erjon Krasniqi i cili pas një aksioni individual realizoi një gol të bukur për rezultatin 3-1.

Me këtë fitore Vushtrria siguroi automatikisht kualifikimin në Superligën e Kosovës si kampione e Ligës së Parë me 75 pikë./Telegrafi/

telegrafi sport app