LAJMI I FUNDIT:

Vuajtja e bukur e grave të shkrimtarëve

Vuajtja e bukur e grave të shkrimtarëve

Nga: Bujar Hudhri

Shkrimtari i njohur amerikan, Edgar Lawrence Doctorow, shkruan diku për një emision në radio, me titull “Jeta me shkrimtarin”, ku në një bisedë me bashkëshortet e shkrimtarëve ishte edhe gruaja e tij. “Moderatorja e filloi emisionin me fjalët: Ne shpesh dëgjojmë se shkrimtarët janë egoistë, arrogantë, interesohen vetëm për kokën e tyre, ua vështirësojnë jetën njerëzve që kanë pranë – ah, sa të tmerrshëm janë. Dhe, në këtë çast, gruaja ime, të cilën ajo ende nuk e kishte prezantuar, e ndërpret: Zonjë, nuk e dija që e njihnit burrin tim!”


M’u kujtua kjo bisedë kur mora vesh për lajmin e trishtuar të ikjes nga jeta të bashkëshortes së shkrimtarit Dritëro Agolli. Për një botues që merret me letërsinë shqipe, sidomos me majat e saj, kjo është situatë krejt e kuptueshme. Ndryshe nga publiku i gjerë, i cili komunikon me shkrimtarin nëpërmjet krijimeve të tij, gëzohet, lumturohet, trishtohet me personazhet e tij, shkrimtari i duket pak a shumë si një qenie që s’është e kësaj bote, sepse nuk ka rast ta shohë si fle, si zgjohet, si vishet, si ushqehet, si i pi ilaçet apo kur grindet, kur bërtet, kur është i padrejtë dhe ngulmon pamëshirshëm në të tijën. Dhe bëhet tjetër njeri që, kur bie celulari dhe fjala e parë, gjithë seriozitet, është: Alo. Një mobilizim i atypëratyshëm për njerëzit jashtë rrethit të tij.

E ndjeva këtë vuajtje të bukur të grave të shkrimtarëve te portreti dhe fjala e Sadijes në një rast kur po xhirohej një film nga TCH për Kadarenë. Ishte parashikuar që të dy shkrimtarët të takoheshin vetëm për vetëm, si dy miq të hershëm, te “Bar Juvenilja”. Ishte një ditë tetori, por ngaqë kishte rënë shi, bënte ca ftohtë. Po shfletonim shtypin e ditës, kur pamë të afrohej Dritëroi, i mbajtur për krahu nga Sadija. U ndjeva në siklet sepse duhej të ishte edhe Helena, nuk ishte menduar se do të vinin si çift. Dritëroi ende s’i kishte mbushur të tetëdhjetat dhe Sadija nuk i ndahej asnjëherë, në asnjë rast. Kur u afruan, vura re që të dy ishin të emocionuar dhe i ftohti sikur ua shtonte më shumë këtë ndjesi. Madje, Kadareja, në vend të përshëndetjes, e pyeti Sadijen: “Pse je kaq e mallëngjyer?” Dhe përgjigjja e saj: “Ti më ke njohur me kët’ burrë. Jemi takuar në shtëpinë tande. Faleminers.” Dhe Kadareja që ia ktheu menjëherë: “Ohu sa gjëra kemi bërë ne me Dritëroin.”

E kishte harruar vërtet Kadareja këtë fakt? Me siguri, po. Sepse për ata vetëm letërsia e tyre ekziston, vetëm ajo është më e rëndësishme dhe gjithçka tjetër, s’ka të bëjë me ta. Sepse shkrimtarët, qëkurse kanë lindur dhe janë në këtë botë, kanë vetëm një dashuri të padyshimtë, të përjetshme, pas së cilës vijnë dashuritë e tjera. Kjo është dashuria e shkrimtarit për letërsinë, një dashuri gati hyjnore. “Për veten dhe artin (që ish pjesë e vetes së tij) ai do të sakrifikonte, në fund të fundit, Emën”, thotë Bardhyli te romani i parë i Kadaresë, “Mjegullat e Tiranës”. Bardhyli është alter egoja e autorit dhe ky pohim duket tepër i sinqertë për moshën kur është shkruar. Por, ata mbeten po të njëjtët, rreth tyre rrotullohet bota.

Po si e kanë përballuar gratë e shkrimtarëve gjithë jetën këtë rivalitet në dashuri, si e kanë përjetuar ato dashurinë që mijërat e lexuesve kanë pasur në faza të ndryshme të jetës për bashkëshortët e tyre? Sepse edhe ato janë shpërblyer me një lumturi, pothuaj hyjnore: kanë pasur fatin e bukur dhe të rrallë në botë, që të përjetojnë të parat gëzimin e leximit të krijimit të sapolindur!

Apartamentet e Kadaresë dhe Agollit, dy shkrimtarëve që kanë sunduar gjysmën e shekullit XX në lehtësinë shqipe, tashmë janë destinuar të bëhen muze. Por, asgjë nuk mund të krahasohet me bashkëshortet e tyre, të cilat ruajnë në kujtesën, mendjen dhe shpirtin e tyre gjithçka që ka të bëjë me jetën e shkrimtarit. Ndaj, ikja e Sadije Agollit është humbja e një ure që na lidhte me shpirtin e Dritëroit. Pjesa tjetër, kryesorja, sigurisht, sikundër thotë vetë poeti, me fjalët e tij: “Do të më gjeni në raftin e librave.” /Gazeta “ExLibris”/