eksperti ad

Volkswagen ka njoftuar tashmë plane për të shuar 50,000 vende pune në Gjermani në të gjithë markën kryesore VW, Audi, Porsche dhe degën e saj të softuerëve, CARIAD, deri në fund të dekadës.

Megjithatë, sipas një raporti të ri, plani i uljes së kostove është shumë më drastik. Numri i shkurtimeve nga puna mund të dyfishohet në 100,000, megjithëse është e paqartë nëse të gjitha shkurtimet do të ndodhin deri në vitin 2030 apo do të vazhdojnë në dekadën e ardhshme.


VW ka marrëveshje sigurie pune në fuqi deri në vitin 2030, ndërsa ato të Audi-t mbeten në fuqi deri në fund të vitit 2033, transmeton Telegrafi.

Sikur të mos mjaftonte kjo, raporti i publikuar nga Manager Magazin pretendon se VW planifikon të mbyllë jo më pak se katër fabrika: Zwickau, Emden, Hanover dhe Neckarsulm.

Kompania thuhet se do t'i mbyllë fabrikat sapo të përfundojë prodhimi i modeleve të tyre aktuale. Fabrika në Zwickau prodhon ID.3, ID.4 dhe ID.5 që ka gjasa të ndërpritet për Volkswagen, së bashku me Audi Q4 E-Tron, Q4 Sportback E-Tron dhe Cupra Born.

Fabrika në Emden prodhon ID.4, ID.7 dhe ID.7 Tourer. Ndërkohë, fabrika në Hanover prodhon automjete komerciale si Transporter/Caravelle, ID. Buzz dhe Multivan/California.

Neckarsulm është vendi i prodhimit të Audi-t për A5, A6, A8 dhe E-Tron GT. Sedani kryesor do të dalë nga prodhimi këtë vit, por prodhuesi i makinave luksoze ka premtuar një model të ri kryesor që do të zëvendësojë A8 më vonë këtë dekadë.

Revista Manager gjithashtu pretendon se VW po planifikon një riorganizim të madh strukturor.

Marka kryesore dhe dega e komponentëve thuhet se do të ndahen në kompani të veçanta, të pavarura nga Grupi më i gjerë VW.

Ky veprim do të hapte rrugën që kompanitë e sapoformuara të listohen individualisht në bursë.

Siç pritej, një zëdhënës refuzoi të komentonte mbi raportin. Megjithatë, fakti që VW nuk i mohoi kategorikisht pretendimet sugjeron se mund të ketë disa të vërteta në to.

Manager Magazin është një botim i respektuar gjerman për biznesin dhe ka të ngjarë të ketë burime të besueshme të njohura me ndryshimet që thuhet se po ndodhin brenda Grupit VW. /Telegrafi/