VLEN: Ali Ahmeti sakrifikoi frymën e Marrëveshjes së Ohrit për Ballkanin e Hapur

Partia VLEN reaguan sot duke thënë se marrëveshja e Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të vitit 2001, për më shumë se dy dekada u përdor nga BDI-ja për përfitime politike, pasi sipas tyre, partia e Ahmetit e paraqiti atë si themelin e veprimit të saj politik dhe e vendosi në qendër të narrativës së saj politike.
"Megjithatë, gjatë viteve të promovimit të Ballkanit të Hapur, u krijua përshtypja se prioritetet politike të Ali Ahmetit ndryshuan. Në vend që energjia institucionale dhe politike të përqendrohej në konsolidimin e plotë të arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit, BDI dhe Ali Ahmeti u shndërruan në mbështetësit më të zëshëm të një projekti rajonal të udhëhequr kryesisht nga Serbia. Kjo ngre një pyetje legjitime politike: a u investua kapitali politik i fituar nga Marrëveshja e Ohrit në një projekt që nuk ishte prioriteti kryesor i shqiptarëve dhe që nuk gëzonte konsensus mbarëshqiptar? Përballë këtij realiteti, lind një tjetër pyetje: çfarë fituan shqiptarët nga ky investim i madh politik? A u avancuan më tej të drejtat e garantuara nga Marrëveshja e Ohrit? Përgjigja është JO.
Kjo dëshmohet edhe sot. BDI po bllokon miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë, një e drejtë që buron nga Marrëveshja e Ohrit. Për më shumë se dy dekada, kjo parti nuk arriti ta realizojë këtë obligim, ndërsa sot kundërshton miratimin e tij vetëm sepse nisma ligjore është ndërmarrë nga VLEN", thuhet në reagim.
Nga VLEN thonë se mbrojtja e Marrëveshjes së Ohrit nuk nënkupton vetëm përmendjen e saj në fjalime, por ajo kërkon angazhim të vazhdueshëm për zbatimin e plotë të saj dhe për vendosjen e interesit të shqiptarëve mbi çdo projekt politik që dëmton rajonin dhe interesat kombëtare.








































