LAJMI I FUNDIT:

VJESHTËS

VJESHTËS
Kolazh me fotografi të Besnik Hamitit

Poezi nga: John Keats
Përktheu: Besnik Hamiti

Stinë e mjegullës dhe bereqet-plot,
Shoqe fort e dashur e diellit në pjekuri;
Që bën plane me të si të mbushësh me të bekuara
Frute hardhitë rreth strehës së pullazit prej kashte;
T’i përkulësh me mollë degët me myshk të pemës
E t’i pjekësh frutet deri mu në zemër;
Ta gufosh kungullin dhe t’i mbufatësh lëvozhgat e lajthisë
Me thelbin e ëmbël; t’i bësh të çelin shumë,
Dhe më shumë, lulet e vona për bletët,
Sa të mendojnë se ditët e ngrohta s’kanë mbarim,
Se vera ua ka mbushur hojet buzë-më-buzë.

Kush s’të ka parë shpesh mes mallrave tua?
Nganjëherë kush të kërkon mund të të gjejë
Tek rri ulur shkujdesshëm në pod hambari,
Se si t’i ngre lehtas flokët era e hedhjes së drithit;
Apo në gjumë të thellë në një brazdë gjysmë të korrur,
Duke dremitur në avuj lulëkuqesh, e drapri yt
Kursen varreshtin tjetër me gjithë lulet e gërshetuara;
E nganjëherë si mbledhëse kallinjsh e mban ngurt
Kokën e ngarkuar kur kapërcen përroin;
Apo, pranë shtrydhëses së mollëve shikon me durim
Me orë të tëra currilat e fundit.

Ku janë këngët e pranverës? Ku mbetën?
Mos mendo për to, ke edhe ti muzikën tënde, –
Derisa retë e larme lulëzojnë ditën që po vdes butësisht,
E hamullat i veshin me ngjyrim rozë;
Vajtimi në kor i mushkonjave që mbajnë zi
Jehon mes shelgjeve të lumit në ajrí
Apo shuhet kur er’e lehtë ngjallet a vdes;
Qengjat motakë blegërijnë zëshëm nga bregoret;
Karkalecat e gardhit zukasin; e tani me zë të hollë
Gushëkuqi fishkëllen në kopshtin pranë;
E dallëndyshet tok cicërojnë në qiell.