LAJMI I FUNDIT:

Vizitat e shpeshta të emisarëve për dialogun, përplasjet ndërmjet Gërvallës dhe Selakoviqit në KS të OKB-së dhe drafti për Asociacionin  – top lajmet e javës

Vizitat e shpeshta të emisarëve për dialogun, përplasjet ndërmjet Gërvallës dhe Selakoviqit në KS të OKB-së dhe drafti për Asociacionin  – top lajmet e javës

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi është intensifikuar javët e fundit dhe për këtë janë shpeshtuar vizitat e emisarëve ndërkombëtarë në Kosovë.

Javën që po lëmë pas për vizitë në vendin tonë ishte i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ndërkaq për vizitë ishte edhe i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak.


Po gjatë javës që po lëmë, saktësisht të martën u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndërkaq në këtë mbledhje pati një përplasje ndërmjet kryediplomates së Kosovës, Donika Gërvalla dhe përfaqësuesit të Serbisë, Nikolla Selakoviq.

Të mërkurën në mediat e Kosovës ka qarkulluar një “Draft gjerman”, për Asociacionin, por nga Ambasada gjermane në Prishtinë theksuan për Telegrafin se qeveria gjermane nuk ka të bëjë fare me këtë draft.

Marrëveshja me Serbinë çështje javësh dhe kërkesa për shtyrje të vendimit për targat – vizita e Escobarit në Kosovë

Të mërkurën për vizitë në Kosovë ishte i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, në kohën kur kanë mbetur vetëm disa ditë deri kur qytetarët serbë të kenë mundësinë që t’i konvertojnë në RKS targat ilegale të automjeteve të lëshuara nga Serbi.

Gjatë vizitës në Kosovë, Escobar u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Gjatë ditës në dy konferencat për media, atë me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti i dërguari i Posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është shprehur i rezervuar dhe nuk ka dhënë detaje lidhur me procesin e dialogut.

Në të dy takimet, në deklaratat për media nuk u lejuan pyetjet e gazetarëve.

E Escobar në një paraqitje televizive ka deklaruar se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë është çështje javësh.

Escobar ka thënë se u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesve të vendosin afatet kohore.

“Unë i kam dëgjuar kolegët e mi evropianë të flasin se kjo është çështje javësh dhe jo vitesh. Për një marrëveshje, për rrugën përpara. Prandaj, përtej kësaj u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë”.

Tutje ka folur edhe për propozimin franko-gjerman për marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë. Ai theksoi se çkado që propozohet nga shtetet evropiane për dialogun, të merret seriozisht.

“Ne do ta mbështesim këtë. Ne mendojmë, se sikurse na është shpjeguar, ky propozim do të

I dërguari i SHBA-së për dialogun po ashtu bëri të ditur se kanë kërkuar që të shtyhet për 10 muaj vendimi për targat. Ai tha se lidhur me këtë nuk kanë marr zotim nga Osmani dhe Kurti.

“Jo, nuk e morëm. Prandaj, ende po e pres këtë. E di që do të ketë edhe të tjerë zyrtarë nga Quinti që do të vizitojnë, zoti Lajçak do të jetë këtu. Dua të sigurohem që njerëzit që janë të përfshirë në negociata, të dëgjojnë një përgjigje pozitive për këtë.”, ka thënë Escobar.

E në konferencën për media pas takimit, emisari i SHBA-ve për dialogun tha se partneriteti i Kosovës me SHBA-të është i palëkundur.

Përplasjet ndërmjet Gërvallës dhe Selakoviqit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Të martën u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ku u prezantua raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për situatën në Kosovë.

Në këtë mbledhje pati një përplasje ndërmjet kryediplomates së Kosovës, Donika Gërvalla dhe përfaqësuesit të Serbisë, Nikolla Selakoviq.

Përfaqësuesi i Serbisë, Selakoviq ka reaguar ndaj deklaratave të Gërvallës se Vuçiqi po përgatit agresion.

“Prishtina dhe Albin Kurti po konstruktojnë bazën e re për njësinë speciale. Cila është arsyeja e këtij veprimi. A nuk po përgatiten ata për një agresion ndaj serbëve që jetojnë në ato vende”, tha Selakoviq.

Ai ka përmendur edhe rastin e renovimit të shtëpisë së Xhafer Devës duke akuzuar këtë të fundit si drejtues i një divizioni nazist.

Ndaj deklaratës së Selakoviqit ka reaguar menjëherë ministrja Donika Gërvalla.

“Ma përmendni vetëm mbiemrin Schwarz që është i burrit tim. Unë e kam mbiemrin Gërvalla. Por, ka arsye shumë të mira që nuk mund ta përmend [Selakoviq] atë mbiemër. Ka qenë Beogradi që ka dëbuar babain tim nga Kosova. Ai ka qenë gazetar dhe shkrimtar, por është vrarë nga shërbimi i sigurimit të Serbisë. Për këtë arsye ju e keni problem ta përmendni atë mbiemër. Është vrimë e zezë për ndërgjegjen e Serbisë ky mbiemër”.

Ajo ka përgënjeshtruar Selakoviqin se në Kosovë janë penguar serbët të votojnë.

“E drejta e votës në Kosovë respektohet për secilin qytetarë. Lexoni raportin e fundit të Bashkimit Evropian”, ka vazhduar Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, po ashtu akuzoi Serbinë për përpjekje të vazhdueshme për të rritur tensionet në rajon, duke thënë se propaganda e Aleksandar Vuçiqit për luftë i ka rrënjët te regjimi i kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Në mbledhje ka provokuar edhe përfaqësuesi rus në Këshillin e Sigurimit, duke thënë se Kosova po kërcënon paqen në rajon

“Kosova vazhdon të kërcënoj paqen në rajon. Që nga viti 1999 ka pasur një spastrim etnik ndaj popullatës serbe. Kanë qenë rreth 40 mijë serbe në Prishtinë, ndërsa sot nuk janë më shumë se 100”, tha ai.

Por ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha ia përmendi Serbisë çështjen e pasivizimit të adresave në Luginë.

Hoxha ka përgëzuar progresin që Kosova ka shënuar në gjashtë muajt e fundit, ndërkaq ka kërkuar përfundimit e mandatit të UNMIK-ut.

Përveç ambasadorit shqiptar në OKB, edhe SHBA dhe Britania e Madhe kërkuan përfundimin e mandatit të UNMIK-ut në Kosovë.

Drafti për Asociacionin, qeveria gjermane për Telegrafin: Ne nuk jemi të përfshirë, drejtojuni fondacionit “Friedrich Ebert”

Qeveria gjermane një ditë më parë ka mohuar se është e përfshirë në përgatitjen e një drafti për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Në një përgjigje me shkrim për Telegrafin thuhet se Qeveria e Gjermanisë nuk është e përfshirë në draftimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili është përmendur në disa kanale të mediave të enjten.

“Qeveria Gjermane nuk është e përfshirë në draftimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili është përmendur në disa kanale të mediave dje. Fondacioni Friedrich Ebert, në bashkëpunim me partnerët e tij punon vazhdimisht në tema të rëndësishme shoqërore-politike. Me sa jemi në dijeni ne, ky projekt i veçantë është duke vazhduar dhe rezultatet e tij do të ndahen me hisedarët dhe opinionin publik në kohën e duhur”, thuhet më tej.

“Ambasada shprehimisht e mirëpret secilin kontribut, i cili e çon përpara dialogun publik për këtë çështje të rëndësishme. Në rast se keni pyetje të tjera, ju lutemi t’i drejtoheni Zyrës së Fondacionit Friedrich Ebert në Prishtinë”, thuhet në përgjigje.

Telegrafi merr vesh se fondacioni Fridrich Ebert kishte përgatitur një draft të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por i cili nuk është finalizuar.

Siç bëhet e ditur në momentin e finalizimit, i njëjti do t’i dërgohet hisedarëve dhe do të bëhet i njohur për publikun.

Ndryshe, të mërkurën në mediat e Kosovës ka qarkulluar një “Draft gjerman”, për Asociacionin. Drafti përmban 17 nene dhe parasheh që ky Asociacion t’i ketë 10 komuna me mundësi zgjerimi.

E lidhur me këtë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë për Telegrafin se qëndrimi qeveritar për Asociacionin është i pandryshueshëm.

Sipas Kryeziut, Asociacioni që karakter themeltar, ka etninë, bie ndesh me Kushtetutën.

“Qëndrimi jonë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është i njohur, i qartë dhe i njëjtë. Asociacioni që karakter themeltar kanë etninë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës sonë dhe vet karakterit e shtetit tonë. Për më tepër, komunitetet jo-shumicë kenë nevojë për integrim, jo izolim”, tha ai. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Kontrabandë me cigare në Viti, sekuestrohen 500 kg duhan me vlerë mbi 6 mijë euro

Kontrabandë me cigare në Viti, sekuestrohen 500 kg duhan me vlerë mbi 6 mijë euro

Kronika e Zezë
Kurti në Gjermani: Kosova e vendosur për anëtarësim në NATO dhe BE

Kurti në Gjermani: Kosova e vendosur për anëtarësim në NATO dhe BE

Lajme
Kuvendi miratoi Projektligjin për zyrtarët publikë

Kuvendi miratoi Projektligjin për zyrtarët publikë

Lajme
Rezultatet e para përfundimtare në Tetovë, këto janë rezultatet

Rezultatet e para përfundimtare në Tetovë, këto janë rezultatet

Politikë
Kalo në kategori