LAJMI I FUNDIT:

Viti i taksës 100 për qind – reagimet pro dhe kundër

Viti i taksës 100 për qind – reagimet pro dhe kundër

Viti 2019 në fushën e ekonomisë është karakterizuar kryesisht me debatin rreth taksës 100 për qind, që ishte vendosur ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Qeveria e Kosovës vendimin për vendosjen e taksës doganore e kishte marr me arsyetimin se ka qenë i domosdoshëm pasi që shteti serb në vazhdimësi nuk e ka zbatuar Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) në raport me Kosovën.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, menjëherë pas marrjes së vendimit, kishte thënë se Serbia vazhdimisht e kishte penguar transportin e mallrave kosovare.

“Tani ne kemi bërë një analizë të respektimit të Marrëveshjes së CEFTA-së nga Serbia dhe aty shihet që Serbia i ka vendosur vazhdimisht Kosovës një taksë jo-tarifore. Jo e njëjtë me këtë taksën e produkteve që i kemi vendosur ne. Serbia e ka penguar transportin e mallrave dhe kështu nuk e ka respektuar marrëveshjen e CEFTA-së”, kishte thënë Haradinaj, shkruan Telegrafi.

Ai në profilin e tij zyrtar në Facebook, kishte njoftuar se do të ndalohet importi i atyre mallrave që janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar dhe kushtetues të Kosovës.

Qeveria e Kosovës vendos taksë 100% për prodhimet e Serbisë
Lexo po ashtu Qeveria e Kosovës vendos taksë 100% për prodhimet e Serbisë

“Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendoset masa prej 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përjashtuar brendet ndërkombëtare të listuara në aneks. Po ashtu, Qeveria e vendit obligon Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë dhe të gjitha institucionet relevante, që të largojnë dhe të ndalojnë importin dhe hyrjen potenciale në treg të të gjitha produkteve, të cilat nuk i referohen dhe janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Vendimi hyn në fuqi menjëherë – institucionet relevante obligohen ta zbatojnë po ashtu menjëherë”, ka njoftuar ai.

Këtë vendim e kanë mirëpritur përfaqësues të biznesit në Kosovë, por ata vazhdimisht kishin kërkuar që kjo taksë të kthehet në reciprocitet.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit, Skënder Krasniqi, për Telegrafin ka thënë se me reciprocitet Kosova përfiton më shumë edhe në aspektin ndërkombëtar.

“Ne mendojmë që kjo tash e tutje duhet të kaloj në reciprocitet e jo në taksë, sepse është duke e dëmtuar [Kosovën] edhe në aspektin ndërkombëtar, kështu që me reciprocitet Kosova përfiton shumë më shumë, ndërkohë që me Serbinë të krijojmë një bllokadë afatgjate sepse kjo nuk i njeh produktet e institucioneve tona”, tha Krasniqi.

Ai ka shtuar se shumë produkte serbe [dhe boshnjake] janë zëvendësuar me produkte nga Bashkimi Evropian dhe rajoni.

“Në bazë të analizave që i kemi bërë si Odë e Afarizmit, kemi ardhur në përfundim se efekti i taksës 100 për qind ka qenë pozitiv dhe me këtë qytetarët dhe biznesi e kanë parë që munden pa produktet serbe. Produktet serbe janë zëvendësuar me produktet më të mira të Bashkimit Evropian edhe të rajonit, kjo ka kontribuar në kualitetin më të mirë, sepse produktet serbe gjithmonë kanë qenë të rrezikshme sipas analizave nga kanë ardhur”, është shprehur ai.

Një vit nga vendosja e taksës 100 për qind, bizneset kërkojnë reciprocitet tregtar
Lexo po ashtu Një vit nga vendosja e taksës 100 për qind, bizneset kërkojnë reciprocitet tregtar

Për kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, vendosja e reciprocitetit do ta detyronte Serbinë që t’i zbatoj marrëveshjet e mbetura.

“Edhe nëse mbetet kështu taksa 100 për qind është e këndellshme për ekonominë e vendit, por edhe nëse kthehet në reciprocitet ajo do të ringjall shumë marrëveshje që janë të vdekura nga Serbia dhe do të detyrohet t’i zbatoj”, ka pohuar për Telegrafin, Shahini.

Ai ka shtuar se taksa 100 për qind e ka goditur ekonominë e Serbisë në raport me Kosovën.

“Taksa 100 për qind, në dukje e ka goditur rëndë ekonominë e Serbisë, por kjo në ekonomi është vlerësuar si term i vrazhdë dhe tash ajo po kërkohet të kthehet në reciprocitet, gjë që edhe kjo do të jetë po aq e rëndë, po aq e vështirë, sa që Serbia do të pajtohet që më së miri ta njeh Kosovën në mënyrë të mos taksa as të mos ketë reciprocitet”, ka shtuar ai.

Lidhur me vendosjen e taksës prej 100 për qind, kishte reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku ka deklaruar se Beogradi është i gatshëm për vazhdimin e dialogut me Prishtinën, nëse shfuqizohet ky vendim.

“Në çdo dialog ekzistojnë rregullat që të respektohet edhe pala tjetër. Presim nga Prishtina ta kryej punën e saj në mënyrë të civilizuar dhe të heq taksën. Kur ta bëjnë këtë, jemi menjëherë të gatshëm të vazhdojmë dialogun”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq: Dialogu Beograd-Prishtinë vazhdon nëse hiqet taksa për mallrat serbe
Lexo po ashtu Vuçiq: Dialogu Beograd-Prishtinë vazhdon nëse hiqet taksa për mallrat serbe

Më të butë ndaj Kosovës nuk kanë qenë as ndërkombëtarët.

Ambasada amerikane në Prishtinë ishte shprehur kundër kësaj takse, duke thënë se vendosja e kësaj po e minon partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

“Thërrasim hisedarët nga Kosova dhe tjerët nga rajoni që të tregojnë përkushtim ndaj normalizimit, paqes dhe stabilitetit rajonal dhe ndaj lëvizjes nëpër shtegun drejtë integrimit evropian. Ne ritheksojmë pikëpamjen tonë se një pezullim i menjëhershëm i taksës në importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është një masë e nevojshme për të rimëkëmbur momentumin në procesin e dialogut. Presim edhe nga hisedarët tjerë të ndërmarrin masat e tyre konstruktive”, thuhej në deklaratën e ambasadës, shkruan Telegrafi.

SHBA me deklaratë: Pezullojeni taksën dhe bashkohuni në dialog, në të kundertën marrëdhëniet tona do të zbehen
Lexo po ashtu SHBA me deklaratë: Pezullojeni taksën dhe bashkohuni në dialog, në të kundertën marrëdhëniet tona do të zbehen

Edhe Federica Mogherini, ish-përfaqësuese e lartë nga Bashkimi Evropian, kishte kërkuar që Kosova menjëherë ta tërheq këtë masë doganore.

Në një njoftim për media, Mogherini ishte shprehur se vendimi i Kosovës shkelë marrëveshjen e CEFTA-së por edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA).

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta rritur taksën mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në 100 për qind, është shkelje e qartë e CEFTA-së dhe frymës së MSA-së ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Më tej ky vendim përkeqëson situatën pas taksës së parë prej 10 për qind. Qeveria e Kosovës duhet ta revokojë menjëherë këtë vendim”, thuhej në njoftim, shkruan Telegrafi.

BE kërkon heqjen e menjëhershme të taksës ndaj Serbisë
Lexo po ashtu BE kërkon heqjen e menjëhershme të taksës ndaj Serbisë

Po ashtu, ish-komisionari për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn gjatë një konference për media pas takimit me udhëheqësit e institucioneve në Kosovë, ka thënë se taksa doganore është kundër parimeve të CEFTA-së dhe zgjidhja e çështjeve duhet të bëhet në mënyrë bilaterale.

“Ne të gjithë kemi qenë të befasuar dhe në një mënyrë të zhgënjyer dhe kjo nuk është diçka që nuk duhet të mbetet në fuqi. Kam ofruar që të fokusohemi në mënyrë specifike rreth këtyre çështjeve që kanë të bëjnë me tregtinë dhe t’i zgjidhim sa më shpejt që është e mundur. Që të kontribuojmë në dialogun që është i rëndësishëm jo vetëm për dy vendet, por edhe për rajonin”, ka thënë Hahn.

Presionet ndërkombëtare ndaj taksës 100 për qind nuk e zmbrapsin Qeverinë
Lexo po ashtu Presionet ndërkombëtare ndaj taksës 100 për qind nuk e zmbrapsin Qeverinë

Pavarësisht thirrjeve për pezullim e taksës 100 për qind nga Uashingtoni dhe Brukseli, ka mbetur e paqartë çështja e vazhdimit të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të këtij vendimi.

Presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kishin propozuar që të pezullohej taksa, megjithatë këtë mundësi e ka kundërshtuar në vazhdimësi kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, i cili kishte vazhduar t’i mbetet besnik vendimit.

Llogaritur në vlerën e raportit tregtar nga vendosja e taksës ana e Kosovës për produktet serbe dhe boshnjake, ka pasur rënie të importit nga këto dy vende.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë që nga vendosja e taksës, Serbia ka eksportuar 430 milionë euro mallra më pakë në drejtim të vendit tonë.

“Dogana që me marrjen e vendimit e ka zbatuar 100 për qind, jemi të obliguar ta zbatojmë. Fillimisht në fund vitin e kaluar ka ndikuar pak në të hyrat doganore, për arsye deri sa është stabilizuar komuniteti i biznesit, pra kanalet e reja të biznesit, furnizimet e reja. Nëse marrim vitin 2019, kjo nuk ka ndikuar për arsye se importi i atyre produkteve të cilat kanë ardhur nga këto dy vende janë zëvendësuar nga vendet e rajonit apo qoftë nga vendet tjera të Bashkimit Evropian”, shpjegon Berisha.

Një vit nga taksa 100 për qind, Berisha nga Dogana e Kosovës: Importi nga Serbia bie për 430 milionë euro
Lexo po ashtu Një vit nga taksa 100 për qind, Berisha nga Dogana e Kosovës: Importi nga Serbia bie për 430 milionë euro

Shumë biznese të cilat veprojnë në fushën e teknologjisë kanë filluar iniciativën për t’i mbështetur bizneset duke lëshuar në përdorim platformën “Prodhim Vendor”, pas taksës së vënë nga shteti i Kosovës për prodhimet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. /Telegrafi/