LAJMI I FUNDIT:

Viti 1978: Të mençurit vinin në shprehje… në Kosovë!

Viti 1978: Të mençurit vinin në shprehje… në Kosovë!
Prishtina në vitet 1970

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1978?

Në Shqipëri më 12 nëntor u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Fronti Demokratik – organizatë e Partisë së Punës – si shumë herë më parë, ishte e vetmja forcë që mori pjesë në zgjedhje, duke fituar që të 250 ulëset e Kuvendit. Dalja në votime ishte e 100 për qindtë (1,436,285 shqiptarë me të drejtë vote), ndërsa vetëm tri vota ishin të pavlefshme.


Asgjë e re në Shqipëri! Kryetar i presidiumit të Kuvendit Popullor vazhdonte të ishte Haxhi Lleshi, e kryeministër Mehmet Shehu. “Risia” e vetme ishte që Kina ndërpreu ndihmat ekonomike dhe ushtarake për Shqipërinë, gjë që shtoi mjerimin e shqiptarëve. Pra, s’kishte më miqësi Shqipëri-Kinë.

Traktori shqiptar

Nga ndihmat kineze që ishin dhënë më parë, nga Uzina e Traktorit në Tiranë del traktori i parë, të cilin e teston Mehmet Shehu. Gjatë ngasjes ai për pak sa nuk shkel për vdekje disa punëtorë, si për të treguar realitetin morbid në të cilën jetonin shqiptarët e Shqipërisë. Teksa bëhej ky testim, “vëllezërit” e mëparshëm kinezë kishin nisur reformat ekonomike të udhëhequra nga Deng Xiaopingu, rezultati i të cilave shihet sot me ngritjen dhe ndikimin e madh të këtij shteti në ekonominë botërore. Në këtë paradoks, Shqipëria realizoi “dokumentarin” që quhej “Lumja ti moj Shqipëri”, ku figurë qendrore është Enver Hoxha me shokë, në të cilin falsifikohej e kaluara dhe shtrembërohej realiteti i kohës duke glorifikuar komunizmin.

Masat e “lumtura”, në praninë e Enver Hoxhës

Në ndërkohë, në Kosovën si pjesë të Jugosllavisë, gjërat rrjedhin për së mbari. Universiteti i Prishtinës funksiononte dhe kishte kritere e standard të duhur, pasi të diturit vinin çdo herë e më shumë në shprehje. Kosova krijoi elitë artistike e intelektuale për lakmi, ndërsa injorantët nuk kishin zë e ndikim në shoqëri. Kjo dëshmohet edhe me emrat e mëposhtëm që kishin poste të larta në organet politike.

Me Kushtetutën e vitit 1974, Këshilli Ekzekutiv (apo Qeveria e Kosovës) kishte edhe “Ministrinë e Jashtme” dhe të drejtën e lidhjeve të traktateve me shtetet tjera. Këshilli i parë Ekzekutiv i Kosovës (1974-1978) për kryetar kishte serbin Bogolub Nedelkoviq. Më 1978, kryetar i ri zgjidhet Bahri Oruqi, kurse nënkryetarë ishin: Pajazit Nushi, Riza Sapunxhiu dhe Enver Rexhepi. Ndryshe, sekretar i Sekretariatit Krahinor për Marrëdhënie me Botën e Jashtme (“Ministria e Jashtme”) pranë përbërjes së Këshillit Ekzekutiv, në vitet 1974-1978 ishte Ukshin Hoti (i vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1999, trupi i të cilit ende nuk është gjetur).

Ukshin Hoti

Në Kosovë më 1978 u shënua 100-vjetori i Lidhjes së Prizrenit. Derisa më 2018 shënimi i 140-vjetorit të kësaj ngjarjeje të madhe për historinë shqiptare karakterizohet me lëshime protokollare e madje me skandal, më 1978 kryetar i Këshillit për përkujtimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte një intelektual, Pajazit Nushi. Ai e ka mbajtur edhe ligjëratën kryesore në manifestimin ku merrnin pjesë edhe figura të rëndësishme nga Shqipëria.

“Një burrë i kulturuar, i urtë, i mençur”, e përshkruante Nushin gazetari Viktor Meier, i cili më 1978 ishte në Kosovë.

Ky përvjetor do të ketë rëndësi të madhe për ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare në Kosovë.

“Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” nga piktori Abdurrahim Buza

Më 1978, vlerë të madhe kishte edhe drama e Ekrem Kryeziut, “Epoka para gjyqit”, ngjarjet e së cilës ndërlidhen me Lidhjen e Prizrenit. Në Kosovë ky tekst do të inskenohej si dramë televizive nga Kryeziu, me aktorët: Faruk Begolli, Hadi Shehu, Shani Pallaska, Istref Begolli, Ragip Loxha, Afrim Kasapolli etj. Në Shqipëri, në shfaqjen teatrale do të luajnë: Sandër Prosi, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Ndrekë Luca, Robert Ndrenika, Anastas Kristofori, Xhemil Tagani etj. Regjinë në Shqipëri e ka bërë Pirro Mani, i cili më 1972 në Prishtinë kishte inskenuar versionin më të mirë teatral të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, të bazuar në veprën me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë.

Pamje nga shfaqja, “Epoka para gjyqit”

Më 1978 u hap Hoteli Grand në Prishtinë. Ky hotel në maje i kishte pesë yje. Ato yje ende qëndrojnë aty, teksa brenda gjithçka ka degraduar dhe nuk është ndjekur asnjë trend i ri për vlerësimin e objekteve hoteliere (hiç këtu skandalet për privatizimin e tij). Prandaj, 40 vjet më vonë, New York Times do ta shpallë atë për hotelin më të keq në botë.

“Ky hotel është i humbur në kujtimet e të kaluarës së Kosovës”, ka shkruar gazetari Andrew Higgings, teksa ka cituar shkurtazi vlerësimet që për të jepen në internet: “I pështirë”, “katastrofë”, “një tmerr i vërtetë”, “ndoshta më i keqi ku kam qenë ndonjëherë”…

Prishtina në vitet 1970

Më 1978, Roman Polanski ik për në Francë, pasi shpallet fajtor për akuzat e marrëdhënies seksuale me një të mitur 13-vjeçare. Që nga ky vit ai do të kërkohet nga drejtësia amerikane. Këngëtarja dhe kompozitorja angleze, Kate Bush, pasi zbulohet dhe mbështetet financiarisht nga kitaristi i grupit Pink Floyd, David Gilmour, lanson singlin “Wuthering Heights”. Dalja në skenë e Kate Bushit do të ndikojë në rrjedhat muzikore, meqë vazhdon të jetë një nga artistet më frymëzuese të skenës pop dhe rok. Nga femrat krijuese të ndikuara nga ajo, vlen të përmenden: Madonna, Adele, Alison Moyet, Bjork, Tori Amos, PJ Harvey…

Këtë vit, prifti Karol Jozef Wojtyla do bëhet Papa Gjon Pali i II-të – kreu i ri i Vatikanit dhe i Kishës Katolike. Roli i këtij polaku do të jetë shumë i madh në shkatërrimin e komunizmit. Po ashtu, do të ndikojë pozitivisht në sensibilizimin e çështjes së Kosovës. Më 1993, bashkë me Nënën Tereze ai e vizitoi Shqipërinë, ndërsa më 2004, presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, do t’ia ndajë Medaljen e Artë të Lirisë.

Karol Jozef Wojtyla

Më 1978 del video-loja e famshme “Space Invaders” (Pushtuesit e hapësirës). Një industri e re digjitale po merrte hov e me të edhe konceptet ndryshe për përkufizimin e gjeneratave. Sipas studimeve, ata që kanë lindur mes viteve 1960-1980, i takojnë Gjeneratës X; ata që kanë lindur mes viteve 1980-2000, i takojnë gjeneratës Y. Por, profesori i Sociologjisë në Universitetin e Melburnit, Dan Woodman, thotë se kjo ndarje duhet të rishikohet pasi ata që kanë lindur mes viteve 1977-1983 i përkasin mikro-gjeneratës, anëtarët e së cilës quhen ksenialë (Xennials), pasi kanë karakteristikat e Gjeneratës X dhe të Gjeneratës Y (vitet 1980-2000). Pra, janë më të mirët, digjitalo-analogë, dhe më 1978 lindi gjenerata e dytë e tyre.

Ky vit nuk është i mirë për Vatikanin, pasi vdiqën dy papë: Papa Pali i VI-të dhe Papa Gjon Pali i I-rë. Këtë vit vdiqën edhe dy miliarderë: John D MacArthur dhe John D. Rockefeller III. Por, më së keqi e pësuan kompozitorët, sepse më 1978 vdiqën gjithë këta emra: Don Gillis, Robert Heger, Ivan Ivonovich Dzerzhinsky, Marguerite Canal, Vadim Nikolayevich Salmanov, Tolchard Evans, David McKinley Williams, Gino Contilli, Nicolas Nabokov, Russian composer, Ernest Kanitz, Aram Katchaturian, Bjarne Brustad, Theodore Karyotakis, Zoltán Aladár, Michel Gusikoff, Antonio Veretti, Aasan Ferit Alnar, Willem Van Otterloo, Wesley La Violette, Carlos Chavez y Ramires, Franz Alphons Wolpert, Harrison Kerr, Ivan Jirko, Charles Trowbridge Haubiel, Pancho Vladigerov, Tibor Serly, Jacques Brel, Otto Siegl, Howard Swanson… /Telegrafi/

Kate Bush