Legjenda e kinemasë franceze dhe aktivistja, Brigitte Bardot, ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare, pas një periudhe të gjatë me probleme serioze shëndetësore.

Javët e fundit të jetës së saj kanë qenë veçanërisht të vështira, të shoqëruara me qëndrime në klinika private dhe përkeqësim të gjendjes shëndetësore.


Pas një ndërhyrjeje të vogël kirurgjikale në fillim të tetorit, Bardot u kthye në shtëpinë e saj në Saint-Tropez, por diagnoza nuk u bë kurrë publike.

Brigitte Bardot

Më vonë, për shkak të përkeqësimit të gjendjes, ajo u shtrua sërish në një klinikë private në Toulon.

Gjatë kësaj periudhe, ajo u detyrua të përgënjeshtrojë thashethemet për vdekjen e saj, të përhapura gabimisht në rrjetet sociale.

Bardot kishte prej kohësh probleme me frymëmarrjen, gjë që kishte sjellë edhe ndërhyrje urgjente mjekësore në të kaluarën.

Përveç problemeve fizike, ajo zbuloi në një dokumentar të publikuar këtë vit se gjatë gjithë jetës kishte luftuar me depresion të rëndë, madje edhe në kulmin e famës, duke pranuar se trishtimi e shoqëroi deri në fund.

- YouTube www.youtube.com

Ngushëllimin më të madh Bardot e gjente te kafshët dhe angazhimi për mbrojtjen e tyre, duke theksuar shpesh se ndihej më afër kafshëve sesa njerëzve.

Muajt e fundit të jetës së saj u shënuan edhe nga humbje personale të dhimbshme, përfshirë vdekjen e një miku të ngushtë dhe të ish-bashkëshortit, me të cilin kishte një djalë. /Telegrafi/