Veturat elektrike si bateri për shtëpinë


Përveç përdorimit të veturës elektrike për transport nga pika A në pikën B, ajo mund të përdoret edhe si një bateri e madhe për furnizimin me energji të shtëpisë.
Me një përshtatës V2L (Vehicle-to-Load), vetura elektrike mund të përdoret për të furnizuar pajisje të ndryshme shtëpiake me energji.
Edhe pse veturat elektrike funksionojnë shumë mirë si power bankë, përdorimi i tyre në këtë mënyrë mund të jetë mjaft i kushtueshëm. Këtë e tregojnë rezultatet e një testi të ri të klubit gjerman të automobilizmit ADAC.
ADAC donte të zbulonte se sa mirë dhe sa sigurt mund të përdoren veturat elektrike si burime energjie dhe kreu teste me modelet BMW iX3, BYD Seal, Kia EV5, MG4, Renault 5 dhe Xpeng G9.
Që një veturë elektrike të funksionojë si burim energjie, ajo duhet të jetë e pajisur me karikues dykahësh dhe të ketë mundësi përdorimi me një përshtatës V2L. Prodhuesit kanë përshtatës të ndryshëm, ndërsa vetëm BYD e ofron atë si pajisje standarde.
Gjatë testit, ekspertët gjermanë lidhën disa pajisje të jashtme me veturat elektrike dhe zbuluan një fakt befasues: konsumi shtesë i energjisë nga vetë vetura për përdorimin e funksionit V2L ishte mjaft i lartë.
Modeli Kia EV5 pati konsumin më të ulët të brendshëm me rreth 390 vat, ndërsa Renault 5 konsumin më të lartë me 500 vat. Sipas ADAC, përdoruesit duhet ta kenë parasysh këtë, pasi ky konsum shtesë është i ngjashëm me ngarkesën bazë të një shtëpie familjare gjatë natës.
Megjithëse është e mundur të përdoret për një kohë një frigorifer portativ me fuqi 50 vat, funksionimi i vazhdueshëm konsiderohet joefikas, shkruan ADAC.
Nga ana tjetër, testet treguan se nuk ka probleme sigurie gjatë përdorimit të veturave elektrike si power bank. Asnjë nga automjetet nuk pësoi dëmtime edhe pasi u krye një qark i shkurtër i planifikuar.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se prodhuesit mund ta kishin bërë përdorimin më të thjeshtë.
“Kur bëhet fjalë për njoftimet e gabimeve, Kia është e vetmja që dallohet pozitivisht, pasi shfaq mesazhin ‘Konsumi shumë i lartë’ kur sistemi mbingarkohet”, shkruan ADAC.
Konsumi shtesë i energjisë gjatë përdorimit të V2L:
BYD Seal: 440 vat
Kia EV5: 390 vat
MG4: 400 vat
Renault 5: 500 vat
Xpeng G9: 400 vat
Konsumi i modelit BMW iX3 nuk ishte i mundur të matet gjatë testit. /Telegrafi/


































