Veturat elektrike nuk digjen më shpesh se ato me benzinë

Ekziston një mendim i përhapur se veturat elektrike marrin flakë më shpesh sesa veturat me benzinë, naftë apo hibride, por kjo është vetëm një perceptim.
Është e vërtetë që zjarret në automobilat elektrike janë më të vështira për t’u shuar, por frekuenca e tyre nuk është më e lartë. Përkundrazi.
Faqja belge Gocar.be ka publikuar të dhëna nga Norvegjia, e cila konsiderohet një treg përfaqësues. Në Norvegji, ku automjetet elektrike janë veçanërisht të përhapura, Drejtoria për Mbrojtje Civile (DSB) publikon statistika të detajuara për zjarret në automjete.
Në gjysmën e parë të vitit 2025, Norvegjia ka regjistruar 0.034 zjarre për 1000 automjete elektrike.
Për automjetet me motor me djegie të brendshme, kjo shifër është 0.195 zjarre për 1000 automjete. Pra, veturat me naftë, benzinë dhe hibride marrin flakë rreth gjashtë herë më shpesh.
Kjo krahasim është i rëndësishëm sepse Norvegjia aktualisht ka një nga flotat më të mëdha të automjeteve elektrike në botë; më shumë se një e katërta e të gjitha automobilave në vend janë elektrike.
Natyrisht, duhet marrë parasysh edhe fakti që flota e veturave elektrike është dukshëm më e re se ajo e automjeteve me motorë me djegie të brendshme. /Telegrafi/












































