Versioni shqip i Crime Scene Investigation

CSI është film i njohur për publikun kosovar, i cili paraqet punën e organeve të sigurisë dhe drejtësisë në vendin e krimit, procesin e hetimit, gjetjen, kapjen dhe dënimin e kryesëve.
CSI është reflektim i profesionalizmit, përkushtimit dhe efikasitetit të organeve të shtetit për të mbrojtur jetën dhe pasurinë e njeriut. Është dëshirë e madhe e jona që një punë të tillë të shofim edhe nga policia e Kosovës, mbase në të ardhmen, por fatëkeqësisht, gjërat duken ndryshe në realitet. CSI duket të ketë pësuar transformim në Kosovë dhe atë në ‘Unfinished - Crime Scene Investigation’, hetimet e pa - përfunduara në vendin e krimit, ose thënë më mirë ‘hetimet vazhdojnë’…!
Kjo situatë është shumë shqetësues për shoqërinë tonë, e sidomos për policinë, të cilës mund t’i cenohet privilegji i të qenurit institucioni më i besuari në Kosovë. Viti 2008 e karakterizon policinë e Kosovës me një numër të madh të shkeljeve dhe kjo është paraqitur në raportin e vjetor të tyre. Në këtë raport, gjatë vitit 2008 Drejtoria e Standardeve Profesionale si pasojë e shkeljeve nga zyrtarët e policisë kishte administruar 1240 hetime të brendshme, duke përfshirë kështu 1401 punonjës.
Suksesi i U – CSI në Kosovë
Ashtu sikur gati secili qytetar madhor e din frazën “hajt se bohet mirë”, njëjtë e din edhe refrenin e zëdhënësve të policisë si dhe zyrtarëve të lartë e të ulët institucional lidhur me aktet kriminale, që çdo herë përfundon me fjalinë “por, hetimet janë duke vazhduar…” dhe rezultati është ‘X’.
Në vendet demokratike (siç është edhe Kosova) hetimet kanë fillimin dhe mbarimin, ndërsa në Kosovë kanë vetëm fillimin, e mbarimi…kujtone refrenin që posa e përmenda. Kjo ndodhë sepse në Kosovë llogaridhënia kundrejt qytetarit vazhdon të trajtohet si diç fakultative (varet prej qejfit dhe disponimit). Me qytetarin e Kosovës është lehtë, ai edhe mund të qeveriset edhe të sundohet, varet se si vendosin të zgjedhurit (shërbyesit) e tyre! Është e dhimbshme që në këtë formë trajtohet llogaridhënia institucionale kundrejtë qytetarit të Republikës – qytetari trajtohet sikur të ishte një spektator injorant me të cilin krejt ça duhet të bëhet është t’i ngrihet vetëdija për të bashkëpunuar me shtetin! Në Kosovë, për të përjetuar rezultatet e ‘hetimeve’, duhet të jetosh të paktën 160 vjet, sikur në kohën e Moisiut.
Më poshtë kam theksuar vetëm dy-tri raste të krimeve pas vitit ’99 ndaj pasurisë dhe njeriut, për të cilat kryesit kurrë nuk u janë përgjigjur organeve të sundimit të ligjit dhe qytetarëve. Këto krime mbetën vetëm sensacione mediale dhe diskutime institucionesh, shtëpish e kafenesh.
Ekspodim i qendrës tregtare “Ben-Af” në Ferizaj, dimri i vitit 2005
Në këtë vit në Ferizaj u minua dhe eksplodoi qendra e vetme dhe më e madhe tregtare në atë kohë ‘Ben-af’. Fatkeqësisht, nga ajo datë, organet tona të hetuesisë dhe zbatimit të ligjit kurrë nuk dolën me vendim lidhur me këtë rast. A mos vallë hetimet janë ende duke vazhduar… ?!
Mbyllja për 66 ditë e magjistrales Prishtinë – Shkup. Shembja e dheut tek "Guri i Shpuem", Kaçanik, shkurt 2006
Mbi dy milion qytetarëve të Kosovës, i’u pamundësua liria e lëvizjes. Edhe ashtu ne të mjerët nuk mund të lëviznim kund tjetër pos në tri shtete përreth. Komunikimi mes shteteve u ndalua dhe nuk e dimë kush pati të “drejtë” ta bënte këtë! Ishin qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë ata që humbën pasuritë e tyre nga pamundësia për të tregtuar matanë kufinjve, ishin të sëmurët që mbetën pa ndihmë dhe shërim nga pamundësia për të vizituar qendrat spitalore në Shkup e Prishtinë, ishin krushqit që nuk patën mundësi t’i sillnin dhëndrit nusen, ishte biznesi kosovar që u pamundësua nga një akt kriminal, i cili asnjëherë nuk u hetua deri në fund dhe për të cilin organet e drejtësisë kurrë nuk e dhanë verdiktin e vet.
“Hiti” i vitit - vjedhja në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, në Shtabin Qëndror të Policisë, Prishtinë, 2009
Po e përmend edhe krimin më të freskët që ndodhi në institucionin i cili është i krijuar për ta parandaluar dhe luftuar atë – krimin. Si të gjitha sensacionet e lartcekura, natyrisht që edhe kjo e zë vendin e vet. Tani, të shohim se a po harrohet ky krim, sa po vazhdojnë hetimet, a do të ketë në fund pakëz punë për gjykatat. Prokurorët dhe gjykatësit edhe i kisha arsyetuar disi për mosangazhim, sepse edhe ashtu të shkretët janë shumë të zënë më provime që u ka përgatitur EULEX-i për t’ju matë moralin (etikën). Nga informatat tashmë të njohura, kuptohet se vetëm 40 % të tyre e kanë kaluar provimin e moralit. Nuk do të ishte ndoshta e “drejtë” me ju shtu edhe një “gajle” tani në tërë këtë zhgënjim të tyre!
I bëra një kronologji vetëm tri rasteve të krimeve të ndodhura në Kosovë në këtë këtë dekadë të ndërtimit të shtetit tonë, pa u ndalur në krimet e përditshme që ndodhin në familjet kosovare me arsyet që janë nga më të mbrapshtat: “I ka ra pika në zemër”, “ka vdekë në gjumë”, “ka ra në bunar”,”ka shkelë në iriq”, “e kishte pasë një sëmundje që as mjekët s’mujshin me ditë”...!!!
Për vdekje (vrasje) të tilla misterioze në familjet kosovare kurrë nuk zhvillohen hetime nga organet e shtetit.
Uroj që sa më shpejtë të merr fund versioni shqip i filmit Crime Scene Investigation!!!






































