Komuna e Podujevës dhe komuna e Mitrovicës veriore tash e disa muaj kanë mbetur pa kryetar, kjo për shkak se kryetarët e këtyre komunave u zgjodhën ministra.

Fillimisht, komuna e Podujevës mbeti pa kryetar më datën 3 shkurt, kur Agim Veliu dha dorëheqje nga pozita e kryetarit për të zënë vend në Qeverinë Kurti, ku u emërua ministër i Punëve të Brendshme, megjithëse Veliu u shkarkua në atë kohë nga ish-kryeministri, Albin Kurti, ai u rikthye prapë në krye të MPB-së, në Qeverinë e re, të udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kompetencat e kryetarit të Komunës së Podujevës i kanë kaluar nënkryetarit Nexhmi Rudari, tash e pesë muaj, ndërsa zgjedhjet për kryetar të kësaj komune, ishin planifikuar të mbahen me datën 15 mars, por që për shkak të pandemisë COVID-19, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kishte vendosur që të shtyhet mbajtja e tyre.

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe nënkryetari i Podujevës, Nexhmi Rudari

Në garë për kryetar të komunës së Podujevës ishin tre kandidatë, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ndërsa, Mitrovica e veriut mbeti pa kryetar më datën 3 qershor, kur u votua Qeveria e re e Kosovës, e ku pjesë e saj ishte edhe Lista Serbe. Në Qeverinë Hoti,  Goran Rakiqi mori dy pozita,  atë të zëvendëskryeministrit dhe mori në udhëheqje Ministrinë e Pushtetit Lokal.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Goran Rakiq

Rakiq ishte kryetar i Mitrovicës së Veriut për dy mandate.

E rreth kësaj teme për Telegrafi ka folur analisti politik, Eugen Cakolli.

Cakolli thotë se emërimi i Veliut dhe Rakiqit në krye të ministrive, i ka privuar qytetarët e komunës së Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut nga e drejta e tyre që të zgjedhin udhëheqësit.

“Tashmë kemi hyrë në muajin e pestë, përkatësisht të dytë, prej kur Podujeva dhe Mitrovica e Veriut kanë mbetur pa kryetarë. Kjo i ka privuar qytetarët e këtyre dy komunave nga e drejta e tyre bazike për të zgjedhur udhëheqësit e tyre. Sidoqoftë, mos-mbajtja e zgjedhjeve në këto dy komuna është ndërlidhur me rastet e shtuara pozitive me coronavirus. Dhe, në këtë drejtim, praktika e deritanishme, por edhe Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, njeh mundësinë që edhe nënkryetari i komunës të ushtrojë funksionet ekzekutive të përditshme, edhe në mungesë të kryetarit.

Kjo problematikë, që është kthyer në diçka më se të zakonshme për nivelin lokal të qeverisjes, pra kur kryetarët japin dorëheqje për shkak të marrjes së pozitave tjera në nivelin qendror, shpërfaq nevojën që kjo çështje të adresohet në kuadër të reformës zgjedhore”, thotë Cakolli për Telegrafin.

Analisti politik, Eugen Cakolli

Më tej, ai ka thënë se reforma zgjedhore duhet të përcaktojë zgjedhjen e kryetarit në pako me nënkryetarin.

“Unë konsideroj që reforma zgjedhore duhet medoemos të përcaktojë zgjedhjen e kryetarit në pako me nënkryetarin (siç është modeli amerikan i zgjedhjes së Presidentit), duke mundësuar gjithashtu që në rast të dorëheqjes së kryetarit, mandatin e tij t’a përfundojë nënkryetari. Kjo do të kishte ndikim si në aspektin e stabilitetit institucional të nivelit lokal, ashtu edhe në reduktimin e kostos së zgjedhjeve të nivelit lokal, që mesatarisht i kanë kushtuar qindra mijëra euro për secilin proces”, pohoi ai.

Lidhur me shpalljen e zgjedhjeve në komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut, Telegrafi ka pyetur edhe presidencën e Kosovës, por ata nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje, dega e Podujevës, kishte dorëzuar kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë komunë gjatë muajit qershor, por që KQZ kishte thënë se nuk merr vendim për mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë, por që për këtë vendos presidenti. /Telegrafi/