Një person ka humbur jetën pasi ka rënë nga një objekt në ndërtim në rrugën “Remzi Hoxha” në Ferizaj.

Rasti ka ndodhur më 13 prill 2026 rreth orës 11:45, kur policia ka pranuar informatën për një person që kishte rënë nga një ndërtesë në ndërtim.


E pas këtij rasti kanë reaguar nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës.

“Sektori i ndërtimit përfaqëson një nga shtyllat themelore të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit në vend, duke kontribuar drejtpërdrejt në transformimin dhe modernizimin e infrastrukturës kombëtare. Në këtë kontekst, siguria në vendin e punës mbetet një prioritet i panegociueshëm që kërkon angazhim të vazhdueshëm, standarde të larta profesionale dhe bashkërendim efektiv institucional.

Humbja e 7 punëtorëve vetëm gjatë muajve të parë të vitit 2026 përbën një tregues serioz dhe një thirrje të qartë për veprim të menjëhershëm në drejtim të forcimit të zbatimit të standardeve të sigurisë në çdo vendpunishte, pa përjashtim”, thuhet në reagim.

Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.

“Në të njëjtën kohë, theksojmë se trajtimi i këtyre rasteve duhet të bazohet në analiza profesionale, të balancuara dhe të çliruara nga çdo tendencë për përgjithësim apo fajësim të njëanshëm të sektorit. Ndërtimtarët, kompanitë dhe investitorët janë drejtpërdrejt të interesuar në garantimin e kushteve të sigurta të punës dhe nuk mund të trajtohen si burim i rrezikut, por si partnerë kyç në menaxhimin dhe minimizimin e tij”, thuhet në njoftim.

Tutje në reagim thuhet se fokusi duhet të orientohet në mënyrë të qartë drejt zbatimit rigoroz të standardeve të sigurisë dhe përgatitjes së plotë teknike dhe organizative të çdo kantieri ndërtimor, në përputhje me legjislacionin dhe normat profesionale në fuqi.

“Po aq e rëndësishme është edhe përgjegjësia individuale në vendin e punës. Shoqata apelon që çdo punëtor të respektojë në mënyrë rigoroze rregullat e sigurisë dhe të përdorë pajisjet mbrojtëse personale në çdo moment, si një element thelbësor për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të tij.

Në këtë drejtim, Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës kërkon intensifikim të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me institucionet relevante, në veçanti me Inspektoratin e Punës, për të ndërtuar një qasje të përbashkët dhe të qëndrueshme që promovon standarde reale sigurie në praktikë.

Qasja jonë është e qartë dhe e vendosur: jo fajësim, por parandalim, ku mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve është prioritet absolut”, thuhet në reagim.

Tutje, Shoqata e ndërtimtarëve thekson se siguria në punë nuk mund të reduktohet në masa ndëshkuese; ajo ndërtohet mbi përgjegjësi profesionale, përgatitje të duhur dhe bashkëpunim të sinqertë ndërmjet kompanive, punëtorëve dhe institucioneve. /Telegrafi/