Sot në Gjykatën Penale në Shkup do të vazhdojë gjykimi për rastin e vdekjes së të riut Nikolla Sazdovski, i cili pas dy jave në komë, ndërroi jetë në një nga spitalet e Shkupit.

Famijlarët e Nikolla Sazdovski sot para Gjykatës Penale kanë paralajmëruar protesta, me qëllim që të kërkojnë drejtësi dhe fajtorët të dënohen, njofton Telegrafi Maqedoni.

Gjykimi për këtë rast ka filluar para disa javëve ndërsa të akuzuar për vdekjen e Nikolla Sazdovskit janë dy persona B.B dhe S.D, të cilët gjenden në paraburgim në Shkup.

Rastit të vdekjes së Sazdovskit, i ka paraprirë rrahje fizik mes të akuzuarve dhe të ndjerit, ndërsa vepra është kualifikuar si “vrasje mizore”.

Avokati i të akuzuarve Naser Raufi, më herët ka deklaruar se goditjet të cilat i ndjeri Sazdovski i ka marrë nga të akuzuarit, nuk janë shkaktarë për vdekjen e tij.

Raufi tha se kanë dëshmi me të cilët do të vërtetojnë se të akuzuarit nuk janë fajtorë për veprën “vrasje mizore”./Telegrafi/