Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski deklaroi se ekspertë nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi i Shkupit” po kryejnë analizat e përditshme dhe se rezultatet tregojnë përmirësim të gjendjes në qytetin e Gostivarit.

Ai tha se shteti ka siguruar ujë të pijshëm për banorët e Gostivarit, ndërsa falënderoi kompanitë dhe qytetarët që janë përfshirë në aksionin e donacioneve. Sipas tij, problemi është shkaktuar nga veprimet e papërgjegjshme të disa të punësuarve në ndërmarrjen komunale, të cilët kanë transferuar ujë nga lumi në rezervuarin kryesor.


Sa i përket përgjegjësisë për rastin, kryeministri pret që hetimi të zgjerohet dhe të përfshijë edhe persona të tjerë.

“Në këtë moment po zhvillohet procesi i hiperklorimit, i cili po kryhet nga ekspertë të Ndërmarrjes Publike ‘Ujësjellësi i Shkupit’. Çdo ditë merren mostra dhe analizohen. Tashmë mund të them se po shkojmë drejt një situate ku, ndoshta për herë të parë në dekadat e fundit, qytetarët e Gostivarit do të kenë ujë për pije që do të jetë bakteriologjikisht i rregullt. Prokuroria tashmë po vepron, kemi persona të ndaluar dhe të marrë në pyetje, ndërsa pres që hetimi të zgjerohet. Përgjegjësia është identifikuar dhe po ndërmerren masat e nevojshme.”, theksoi Mickoski.

Kryeministri shtoi se aktualisht qytetarëve u është siguruar ujë teknik dhe kërkoi durim deri në përfundimin e analizave, duke shprehur pritjen se shumë shpejt do të mund të përdorin ujin edhe për pije dhe gatim.