LAJMI I FUNDIT:

Varfëria lë plaga të përjetshme: Ende kam frikë nga të huajt në derë dhe nga faturat në kuti postare

Varfëria lë plaga të përjetshme: Ende kam frikë nga të huajt në derë dhe nga faturat në kuti postare
Ilustrim

Nga: Jack Monroe / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Kriza aktuale e kostos së jetesës, që kërcënon të zhysë miliona më shumë njerëz në varfëri, do të ketë ndikime shumë më afatgjatë sesa një verë pakënaqësie, disa muaj shtrëngimi të barkut ose të matemi se çfarë do të shpenzojmë në supermarket. Gjatë muajve të fundit janë botuar shumë udhërrëfyes me qëllime të mira, duke ofruar këshilla mbi atë se “si t’ia dalim mbanë” dhe, megjithëse ato ofrojnë disa këshilla praktike që mund ta ndihmojnë një diferencë të vogël njerëzish që zhyten në greminën e krizës, e vërteta është se shumica prej atyre që e luftojnë këtë për gati një dekadë tashmë veçse kanë rrëshqitur në gropën e privimit dhe të varfërisë.

Dymbëdhjetë vjet shkurtime brutale e të qëllimshme për mirëqenien, për sigurimet shoqërore dhe për shërbimet shëndetësore; 12 vjet shkurtime në shërbimet e shëndetit mendor dhe varësia në rritje nga sektori vullnetar që mundohet të kap njerëzit të mos bien nëpër vrimat e hapura të rrjetës së sigurisë, do të thotë se ata që janë në tehun e mprehtë kanë shumë pak burime të mbetura për mbështetje në mënyrë që t’ia dalin mbanë.


Dhe, dalja mbanë nuk është shqetësimi i vetëm. Në të vërtetë, të flasësh për “mbijetesën” në krizë ose “dalja mbanë” nga kjo është retorikë e neveritshme dhe e shpeshtë në një nga ekonomitë më të pasura në botë (Mbretëria e Bashkuar – v.j.). Më duket se qytetarët tanë meritojnë pak më shumë sesa t’i kapin kthetrat e periferisë së një ekzistence kur vënë shishe me ujë të nxehtë në pjesët e shpinës dhe kur vendosin letra ngjitëse mbi xhamat e dritareve, kur i heqin me kujdes kuponat nga gazetat falas dhe kur mbushin sondazhe të pafundme marketingu – secilën për dy peni – kur e mbështjellin tavën me robëdeshambër për ta mbajtur ngrohtë apo duke “zier” makarona në termos.

Varfëria është rraskapitëse. Kërkon kohë, mund, energji, organizim, shtysa, një kalkulator të brendshëm dhe forcë mendore prej çeliku që ata të Thesarit vetëm mund të ëndërrojnë ta kenë. Dhe, nëse në fund kjo nuk do t’ju vrasë, nga uria ose nga i ftohti ose nga shëndeti mendor, a duhet të gjeni strehë në paramendimin e ditëve të mira “për t’ia dalë mbanë”? Më vjen keq t’ju them se megjithëse bilanci juaj bankar mund të jetë në ditët e zeza, ashtu do të jetë edhe koka juaj.

Kam shkruar gjerësisht përgjatë viteve se si shpeshherë nuk mund ta hapja derën time të hyrjes dhe postën time si rezultat i jetesës në varfëri, kur të vetmit njerëz që trokisnin në derë ishin përmbaruesit ose mbledhësit e borxheve. Një vizitor i papritur më la me sulm të madh paniku. Vitet e terapisë e kanë lehtësuar një pjesë të kësaj, ndonjëherë, por shëndeti im fizik dhe mendor ndoshta kurrë nuk do të shërohet plotësisht. Çrregullimi kompleks i stresit post-traumatik (CPTSD), artriti i përkeqësuar nga jetesa në shtëpi të ftohta, vështirësia në frymëmarrje që vinte nga lagështia, trauma komplekse, një sërë çështjesh të shëndetit mendor, një problem grumbullimi të çdo gjëje dhe varësia e ngadaltë nga djegia vitin e kaluar, shkaktoi një kokë pothuajse fatale: historia ime nuk është aspak unike apo e jashtëzakonshme.

Ekspozimi afatshkurtër dhe përvoja e varfërisë – qoftë varfëria në lidhje me burimet e energjisë në shtëpi, varfëria ushqimore, varfëria sanitare, apo shkaku kryesor i të gjithave – burimet e pamjaftueshme me të cilat mund t’i plotësoni nevojat tuaja më themelore njerëzore – ka efekte afatgjata dhe joproporcionale në vitet e ardhshme. Ekspozimi i fëmijërisë ndaj varfërisë, privimi dhe mjerimi bie nën ombrellën e përvojave të pafavorshme të fëmijërisë, të njohura si ACE. Është në të njëjtin nivel me abuzimin në familje, sulmin seksual në fëmijëri, humbjen e një prindi, burgosjen e prindërve, dhunën dhe neglizhencën.

Ekspozimi ndaj ACE-së shton më vonë rrezikun e traumave në jetë, si mendërisht ashtu edhe fizikisht. Bessel van der Kolk shkruan gjerësisht për këtë fenomen në librin “Trupi e ruan borxhin: Truri, mendja dhe trupi gjatë shërimit” që flet për ndikimin shkatërrimtar të traumës tek ata që e vuajnë dhe e dëshmojnë atë në familjet e tyre dhe se si ajo mund të përcillet nëpër breza. Ata që përjetojnë trauma, shpeshherë në mënyra ekstreme dhe komplekse shkëputen nga trupi dhe nga mendja, dhe kjo kryesisht keqkuptohet, si në fushën mjekësore ashtu edhe në atë terapeutike.

Më vonë gjatë jetës, ekspozimi ndaj përvojave të padëshiruara shton rrezikun për traumë, me rezultate më pak të favorshme shëndetësore, me ndikim negativ në mirëqenien e përgjithshme, me gjasat në rritje për sjellje të rrezikshme ose kriminale, me rezultate të dobëta arsimore dhe akademike dhe vështirësi financiare.

Fëmijët që përjetojnë pasiguri ushqimore, qoftë edhe afatshkurtra, kanë më shumë gjasa të sëmuren, kanë shkallë më të ngadaltë të shërimit dhe kanë më shumë gjasa të kenë nevojë për shtrim në spital. Varfëria ushqimore nuk ekziston në vakum dhe, si një nga instinktet themelore të mbijetesës së species sonë, ushqimi është një nga nevojat e fundit që njerëzit do të zgjedhin ta shkurtojnë në një krizë.

Personat me aftësi të kufizuara kanë pesë herë më shumë gjasa të jenë në rrezik të pasigurisë ushqimore, të varfërisë dhe mungesës së ushqimit të duhur ushqimor sesa personat pa aftësi të kufizuara. Dhe, pasiguria ushqimore në çdo moshë është e lidhur me një probabilitet më të lartë të sëmundjeve kronike. 14.5 milionë njerëz që jetojnë sot në varfëri në Mbretërinë e Bashkuar, po bëjnë tiktake në bombat e kurdisura për shkak të rritjes së stresit toksik, çrregullimit të stresit post-traumatik, CPTSD-së, vështirësive njohëse, depresionit, sëmundjes së mishrave të dhëmbëve, lodhjes kronike, osteoporozës, astmës, sëmundjes kronike obstruktive pulmonare, diabeti, hipertensioni, inflamacioni, çrregullimet autoimune, idetë vetëvrasëse dhe vetëvrasja.

Zgjedhja për t’ua mohuar njerëzve nevojat më themelore njerëzore sot, për hir të nxjerrjes edhe të disa lekëve nga fundi i pusit, do të përfundojë duke na kushtuar si shoqëri, si vend dhe si ekonomi – shumë më tepër në muajt dhe në vitet në vijim. Nëse për hir të ndjeshmërisë, mirësjelljes dhe njerëzisë kjo qeveri nuk mund t’i riparojë copëzat e rrjetës së sigurisë sociale që qëllimisht e kanë shkatërruar, duhet ta bëjë këtë për hir të rimëkëmbjes afatgjate ekonomike. Dhe, duhet të fillojë që sot. /Telegrafi/