LAJMI I FUNDIT:

Varësia ndaj gazit dhe naftës ruse – Gjermania e pranon gabimin

Varësia ndaj gazit dhe naftës ruse – Gjermania e pranon gabimin

Gjermania u detyrua të pranonte se mbështetja e saj e madhe nga gazi dhe nafta ruse ishte një gabim i madh. Por si ndodhi kjo?

Të dielën e 1 shkurtit të vitit 1970, politikanë të lartë dhe drejtues të sektorit të gazit nga Rusia dhe Gjermania u takuan në Hotel Kaiserhof të Essenit.


U mblodhën që të festojnë nënshkrimin e një kontrate madhore për vendosjen e tubacioneve të gazit mes këtyre dy vendeve, tubacion i cili do të lidhej nga Siberia deri në qytetin e Marktredwitz të Bavarisë në Gjermaninë Perëndimore, shkruan The Guardian, përcjell Telegrafi

Kontrata e nënshkruar, vinte si rezultat i shumë “pazareve” mbi çmimin e gazit, 1.2 milion tonelata tubacione që gjermanët i shitën te rusët dhe kushtet kreditore që iu ofruan Moskës nga konsorciumi i përbërë prej 17 bankave gjermane.

I vetëdijshëm për rrezikun “e mospërmbushjes së marrëveshjes nga Rusia”, kryenegociatori financiar i bankave gjermane Friedrich Wilhelm Christian, si masë paraprake kërkoi kredi nga qeveria federale, duke deklaruar se, “unë nuk bëj salto nëse nuk ka rrjetë, sidomos jo mbi një trapez”.

Nga kjo marrëveshje do përfitonin të dyja vendet, Gjermania do i furnizonte makineritë për prodhimin e mallrave industriale të kualitetit të lartë, ndërsa Rusia do e siguronte lëndën e parë për furnizimin e industrisë gjermane.

Tubacionet me presione të lartë dhe infrastruktura mbështetëse kishin potencialin që t’i bënin dy vendet bashkë, kjo pasi që kjo marrëveshje kërkonte besim, bashkëpunim dhe varësi të dyanshme.

Por kjo nuk ishte vetëm një marrëveshje komerciale, siç tregonte edhe vetë prezenca e ministrit të Ekonomisë, Karl Schiller në hotelin ku u nënshkrua marrëveshja.

Për avokuesit e Ostpolitikës, politika e re lindore për afrimin me Unionin Sovjetik dhe me aleatët e saj, duke përfshirë këtu edhe Gjermaninë Lindore, që filloi në vitin 1969, kur Willy Brandt ishte kancelar i Gjermanisë, ishte një moment madhor i pasojave politike të asaj kohe.

Schiller, ekonomist i trajnuar e përshkruante këtë si pjesë e përpjekjes e “normalizimit të marrëdhënieve politike dhe njerëzore me fqinjët lindorë”.

Ishte një moment i lavdishëm, por për disa analistë të politikave cilësohej se ishte një lëvizje e rrezikshme.

Para nënshkrimit të marrëveshjes, nga NATO i shkruan një letër ministrit të atëhershëm gjerman të ekonomisë ku kërkonin informata mbi implikimet në siguri.

Norbert Plesser, kreu i departamentit të gazit në ministri kishte siguruar aleancën ushtarake se nuk kishte vend për shqetësim, pasi që thoshte se Gjermania asnjëherë nuk do varej nga Rusia, as edhe për 10 për qind të furnizimeve me gaz.

Gjysmë shekulli më vonë prej nënshkrimit të marrëveshjes, Rusia e furnizon Gjermaninë me rreth 50 për qind të nevojave të tyre të gazit natyral dhe me rreth një të tretën e nevojave të naftës, të cilën gjermanët e përdorin për prodhim të energjisë, mbushjen e veturave me naftë dhe për ngrohjen e shtëpive të tyre.

Ilustrim: tubacionet e gazit rus

Dhe kur Vladimir Putin filloi agresionin mbi Ukrianë në shkurt, Gjermania u përball me një problem të veçantë.

Refuzimi i saj ndaj energjisë bërthamore dhe largimi i saj nga qymyri nënkuptonte se Gjermania kishte shumë pak alternativa ndaj gazit rus.

Berlini është detyruar të pranojë se ishte një gabim i madh që e kishte bërë veten kaq të varur nga energjia ruse – pavarësisht nga motivet pas kësaj.

Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, thotë se Gjermania nuk i dëgjoi paralajmërimet nga vendet që dikur kishin vuajtur nën okupimin e Rusisë, si Polonia dhe shtetet baltike.

Për Norbert Röttgen, një ish-ministër i mjedisit dhe anëtar i Unionit Kristian Demokrat (CDU) të Angela Merkelit, qeveria gjermane u “përkul” para forcave të industrisë që kërkonin gaz të lirë “me shumë lehtësi”, ndërsa “injoroi plotësisht rreziqet gjeopolitike”.

Harta e tubacioneve të gazit

Në shkurt të këtij viti, një tjetër ministër gjerman, Robert Habeck, tha se objektet e depozitimit të gazit në pronësi të Gazprom në Gjermani ishin “zbrazur sistematikisht” gjatë dimrit, për të rritur çmimet dhe për të ushtruar presion politik.

Ky mund të thuhet se ishte një pranim befasues i fuqisë së Rusisë për të ndërprerë furnizimet me energji.

Veç këtyre, rreth kësaj ësht deklaruar edhe ish-ministri gjerman i Financave.

“Kam gabuar” thotë thjesht ish-ministri gjerman i financave, Wolfgang Schäuble. “Të gjithë ishim gabim”.

Javët e fundit edhe Frank-Walter Steinmeier, presidenti gjerman, avokati më i madh gjerman i “urës” tregtare midis lindjes dhe perëndimit, ka hequr dorë.

Ai pranon se i keqkuptoi qëllimet e Rusisë ndërsa ndoqi ndërtimin e një gazsjellësi të ri nënujor.

“…Ne mbajtëm ura në të cilat Rusia nuk besonte më dhe për të cilat partnerët tanë na paralajmëruan”.

Ky është një pranim i jashtëzakonshëm për një njeri që ka vepruar si shef i kabinetit të Gerhard Schröder, kancelarit socialdemokrat nga viti 1998 deri në 2005.

Steinmeier ishte gjithashtu ministër i Jashtëm nën kancelaren Merkel dhe një mbështetës i koncpetit tregtia dhe dialogu mund të sjellin ndryshime sociale dhe politike.

Si përfundoi Gjermania duke bërë një gabim të tillë?

Disa argumentojnë se Angela Merkel duhet ta kishte parë se Putini po e çonte Rusinë në një drejtim autoritar kur njoftoi rikthimin e tij në presidencë në vitin 2011.

Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2014, Gjermania nuk bëri asnjë lëvizje për të ndaluar importin e gazit rus, dhe megjithëse Merkel kërcënoi me sanksione gjymtuese tregtare, industria gjermane e bindi atë të frenohej.

Por disa fajësojnë një keqgjykim më të vazhdueshëm që shtrihet 50 vjet më parë, bazuar në një gabim që vendet autoritare mund të transformohen përmes tregtisë. /Telegrafi/