LAJMI I FUNDIT:

VAR-i poli(e)tik: Kontrabandimi i koronavirusit në Kosovë dhe (vetë)mashtrimi me numra

VAR-i poli(e)tik: Kontrabandimi i koronavirusit në Kosovë dhe (vetë)mashtrimi me numra

Për shumëçka vërtetë jemi vend sui generis.

Sa çel e mshel sytë, prej një vendi që tmerroi Evropën e botën me shkallë të lartë infektimesh e vdekjesh nga koronavirusi, bëhemi për mashallah.

Kur në vendet përreth, në baza ditore numri i të infektuarve arrin në numra katërshifror kurse numri i të vdekurve në dhjetëra sish, tek ne kemi prej dy deri në 15-16 të infektuar, kurse numri i të vdekurve një deri në dy gjatë javës.

Kjo na kujton fillimin e pandemisë në marsin e vitit 2020, kur Kosova në botë përmendej si shembull i mirë i menaxhimit të koronavirusit, por shpejt i morëm veti mësysh dhe vera e vitit 2020 ishte vet ferri, sikurse edhe gushti dhe shtatori i këtij viti.

Teksa një gjendje e tillë është ne vendet përreth, e kur vendet e Evropës Perëndimore aplikojnë regjim mbylljeje të plotë – si pasojë e valës së re të pandemisë – mirë kish qenë që edhe ne të përgatitemi për diçka të tillë.

Nejse.

E thashë më lart se për shumëçka jemi vend sui generis.

Jemi vend ku gjithçka mund të kontrabandohet, madje edhe virusi Covid-19.

Në raportin e së enjtes nga Ministria e Shëndetësisë u tha se në 24 orët e fundit, në vendin tonë janë regjistruar 16 raste të infektuarve me koronavirus dhe asnjë i vdekur.

Mirëpo, doli se një shifër e tillë e prezantuar nga Ministria nuk ishte e vërtetë.

Kosova të enjten ka regjistruar 48 të infektuar dhe një rast vdekjeje. Por, 32 nga 48 të infektuarit – dhe viktima e vetme – janë regjistruar në dhjetë komunat me shumicë serbe.

Pra, në dhjetë komunat që nuk përbëjnë as shtatë për qind të popullsisë së Kosovës, aktualisht kemi gati dyfish numër aktiv të të infektuarve (525 sipas raportit të së enjtes), krahasuar me 26 komunat e tjera me mbi një milion e 600 mijë banorë (320 raste aktive).

Pra, Qeveria jonë dhe institucionet e shëndetësisë nuk e dinë çka po ndodhë – jo vetëm në veri, por as në lindje e perëndim të vendit kur bëhet fjalë për komunat që dolën nga Pakoja e Ahtisarit, në emër të decentralizimit.

Prandaj, të kota mund të jenë edhe masat e fundit anti-Covid të Qeverisë, që do të hyjnë në fuqi nga e hëna (6 dhjetor).

Shteti edhe mund t’i kontrollojë e vaksinojë udhëtarët që zbresin në Aeroportin e Prishtinës; mund t’i kontrollojë edhe ata që hyjnë nëpër pikat kufitare, por e ka plotësisht jashtë kontrollit virusin që na vjen i “kontrabanduar” në dhe nga komunat me shumicë serbe.

E, kontakti i qytetarëve të komunave të tjera të Kosovës me ata të komunave me shumicë serbe është i çdoditshëm dhe kudo (në markete, në qendra tregtare, në restorante…)

Edhe diçka …

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, kur japin raportin ditor të gjendjes me pandeminë, vetëdijshëm po dezinformojnë dhe po (vetë)mashtrojnë kur thonë se në Kosovë janë regjistruar kaq raste me koronavirus dhe kaq të vdekur. Ata publikut po ia ofrojnë pasqyrën e gjendjes në 26 komuna, e jo në 38 sa janë gjithsej.

Nuk është marre të pranohet realiteti se sistemi shëndetësor në komunat e banuara me shumicë serbe që kaherë është krejtësisht i ndarë nga sistemi shëndetësor i Kosovës.

Marre është me rrejt!

Urojmë që sistemi shëndetësor i komunave me shumicë serbe, i ndarë nga sistemi shëndetësor i Kosovës, të mos jetë një paralajmërim ogurzi në tavolinën e dialogut në Bruksel.

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori