Spitali i Pejës kërkon ndërhyrje urgjente: Problemi me mbeturinat po rrezikon funksionimin e institucionit

Spitali i Përgjithshëm në Pejë u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse në nivel lokal dhe qendror që të ndërhyjnë urgjentisht për zgjidhjen e problemit të largimit të mbeturinave, duke paralajmëruar se situata mund të rrezikojë funksionimin normal të institucionit dhe shëndetin publik.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur: "I drejtohemi me shqetësim të thellë të gjitha institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për zgjidhjen e problemit të largimit të mbeturinave, situatë e cila po rrezikon funksionimin normal të institucionit tonë dhe sigurinë e pacientëve, stafit shëndetësor dhe qytetarëve".
Tutje në njoftim thuhet se si institucion shëndetësor, Spitali i Përgjithshëm në Pejë ofron shërbime pa ndërprerje 24 orë në ditë, dhe për këtë arsye prodhon çdo ditë sasi të mëdha mbeturinash.
"Këto mbeturina nuk mund të mbahen për një periudhë të gjatë në hapësirat e spitalit, pasi krijojnë rrezik për cenimin e kushteve higjieno-sanitare dhe shtojnë mundësinë e përhapjes së infeksioneve, duke vënë në rrezik shëndetin e pacientëve, stafit dhe të gjithë qytetarëve që marrin shërbime në spital", thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim drejtuesit e Spitalit i bëjnë apel të gjitha institucioneve kompetente në nivel lokal dhe qendror që të ndërmarrin masa urgjente për të siguruar largimin e rregullt të mbeturinave nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë.
"Në situata të tilla, mbrojtja e shëndetit publik duhet të jetë prioritet mbi çdo sfidë tjetër operative. Nuk kërkojmë trajtim të privilegjuar, por trajtim prioritar për një institucion që ofron shërbime jetike dhe që, për shkak të natyrës së veprimtarisë së tij, nuk mund të funksionojë në kushte ku largimi i mbeturinave ndërpritet", thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/



































