Valixhja nuk po mbyllet? Truket që ju ndihmojnë të fusni më shumë gjëra në më pak hapësirë


Nga rrotullimi i rrobave deri te shfrytëzimi i hapësirës brenda këpucëve, këto këshilla e bëjnë paketimin shumë më të lehtë para çdo udhëtimi
Rrobat e shpërndara mbi shtrat, pyetja e përhershme “po sikur të më duhet?” dhe valixhja që mezi mbyllet janë skena të njohura para çdo udhëtimi. Por paketimi nuk duhet të jetë gjithmonë stresues.
Me disa truke të thjeshta, mund të kurseni hapësirë, të shmangni rrëmujën dhe të udhëtoni më lehtë, pa marrë me vete gjysmën e gardërobës.
Shfrytëzoni hapësirën brenda këpucëve
Një nga mënyrat më praktike për të fituar hapësirë është përdorimi i brendësisë së këpucëve. Aty mund të vendosni çorape, produkte të vogla kozmetike ose sende të brishta, të mbështjella mirë. Kështu shmangni edhe marrjen e një çante të madhe kozmetike, ndërsa shishet e vogla mbrohen më mirë nga goditjet.
Përdorni qese vakumi
Nëse e keni të vështirë të udhëtoni me pak rroba, qeset e vakumit mund të jenë zgjidhje shumë praktike. Ato e zvogëlojnë ndjeshëm volumin e rrobave dhe ju lejojnë të fusni më shumë gjëra në një valixhe më të vogël. Kjo është veçanërisht e dobishme nëse dëshironi të udhëtoni vetëm me bagazh dore dhe të shmangni pritjet në aeroport.
Mendoni për kombinime, jo për çdo skenar
Gabimi më i shpeshtë është paketimi i rrobave “për çdo rast”. Në vend të kësaj, zgjidhni veshje që kombinohen lehtë mes tyre. Një formulë e thjeshtë është modeli 3-2-1: tri pjesë të sipërme, dy pjesë të poshtme dhe një xhaketë ose veshje e lehtë për mbrëmje më të freskëta.
Shtoni një bluzë më elegante ose një komplet të lehtë për dalje në mbrëmje, por sigurohuni që të kombinohet me këpucët dhe rrobat e tjera. Nëse një veshje përshtatet vetëm me një kombinim, zakonisht është e panevojshme.
Zgjidhni materiale që thahen shpejt, sepse mund t’i lani në mbrëmje dhe t’i vishni sërish ditën tjetër. Një set i vogël për larje rrobash mund t’ju ndihmojë të qëndroni më gjatë me më pak gjëra.
Palosni me kujdes fustanet e gjata
Fustanet e gjata mund të zënë shumë vend dhe të rrudhosen lehtë. Një truk i mirë është që gjysmën e fustanit ta vendosni në valixhe, ndërsa pjesën tjetër ta palosni mbi rrobat e tjera pasi t’i keni sistemuar. Kështu fustani rrudhoset më pak dhe duket më i rregullt kur arrini në destinacion, transmeton Telegrafi.

Kujdes me kozmetikën
Produktet kozmetike janë ndër gjërat që më shpesh shkaktojnë telashe gjatë udhëtimit. Kapakët nuk janë gjithmonë të sigurt, prandaj para se t’i mbyllni, vendosni një copë të vogël folie plastike mbi grykën e shishes dhe pastaj shtrëngoni kapakun. Kjo ndihmon në parandalimin e rrjedhjes.
Një zgjidhje edhe më praktike janë shamponët e ngurtë, sapunët në copë dhe tabletat për dhëmbë, sepse nuk derdhen dhe nuk hyjnë në kufizimet për lëngje në aeroport. Nëse megjithatë ju duhen produkte të lëngshme, hidhini në shishe të vogla, në vend që të blini paketime udhëtimi që shpesh janë më të shtrenjta.
Mbani gjërat kryesore pranë vetes
Gjatë fluturimit, është mirë të keni një çantë të vogël me gjërat më të nevojshme: balsam buzësh, kufje, karikues, ilaçe, peceta dhe diçka për të ngrënë. Kështu nuk do të keni nevojë të hapni shpesh valixhen ose raftin sipër kokës.
Nëse arrini në hotel para orës së hyrjes, mbani sipër në valixhe rrobat për ndërrim, rrobat e banjës ose një kombinim të lehtë. Kjo ju lejon të shfrytëzoni ditën edhe nëse dhoma nuk është ende gati.
Rrotulloni rrobat, mos i palosni të gjitha
Rrotullimi i rrobave kursen më shumë hapësirë sesa palosja klasike. Kjo vlen sidomos për bluza, pantallona të lehta, fustane dhe veshje të holla. Përjashtim bëjnë xhinset, palltot dhe pulovrat e trasha, të cilat është më mirë të palosen.
Filloni nga hapësirat e zbrazëta në fund të valixhes, sidomos aty ku kalon doreza. Më pas vendosni sendet me forma të pazakonta, si kapela, ndërsa rrobat e rrotulluara sistemojini përreth tyre. Hapësirat e vogla mund t’i mbushni me të brendshme ose çorape.
Fotografoni valixhen para nisjes
Një fotografi e valixhes së paketuar mund të jetë shumë e dobishme nëse bagazhi humbet. Ajo shërben si dëshmi për sigurimin, por edhe si kujtesë për gjërat që keni marrë me vete.
Para paketimit, mund t’i shtroni të gjitha rrobat mbi shtrat dhe t’i fotografoni kombinimet. Kjo ju ndihmon të mos merrni gjëra të panevojshme dhe ta dini më lehtë çfarë do të vishni gjatë udhëtimit.
Nëse nuk hyn në valixhe, visheni
Kur hapësira është e kufizuar, vishni rrobat më të mëdha gjatë udhëtimit: xhaketën, atletet më të rënda, shallin ose bluzën me mëngë të gjata. Kjo kursen vend në valixhe dhe ju jep më shumë fleksibilitet.
Mos harroni të merrni edhe disa qese shtesë, të cilat janë shumë të dobishme për të ndarë rrobat e pista nga ato të pastrat gjatë kthimit.
Mos harroni gjërat e vogla praktike
Disa nga sendet më të dobishme në udhëtim nuk janë rroba, por gjëra të vogla që zgjidhin probleme të përditshme: një kabllo zgjatuese ose ndarës USB, një shishe uji e ripërdorshme me filtër, pika për sy ose sprej hidratues për fytyrë.
Në hotele shpesh ka më pak priza sesa pajisje, ndërsa ajri në avion dhe në dhomat me klimë mund të shkaktojë tharje të syve dhe lëkurës.
Paketimi për anije ka rregulla të tjera
Nëse udhëtoni me anije turistike, hapësira në kabinë është zakonisht e kufizuar. Një organizues i varur për këpucë ose një çantë kozmetike që varet mund të kursejë shumë vend.
Gjërat kryesore, si ilaçet, karikuesi, libri, dokumentet dhe rrobat e banjës, mbajini në bagazhin e dorës. Edhe kur nuk udhëtoni me avion, mund të kalojë kohë derisa valixhja të arrijë në kabinën tuaj. /Telegrafi/





































