LAJMI I FUNDIT:

Vala Pupovci: Mos e filloni vitin e ri me dieta që japin efekte të shpejta por të shkurtra, fokusohuni te ushqimi i shëndetshëm

Pjesa më e madhe e konsumit të ushqimit duhet të përbëhet nga ushqime të shëndetshme, të tilla si frutat, perimet, drithërat dhe produktet e qumështit pa yndyrë ose me pak yndyrë.

Së bashku me ushqimin e shëndetshëm, jeta aktive mund të ulë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru, disa llojeve të kancerit dhe t’ju ndihmojë të keni një peshë trupore të shëndetshme.


Për të mësuar më shumë se cilat ushqime duhet t’i konsumojmë, cilat dieta janë më të suksesshme e si t’i analizojmë më lehtësisht vlerat e ushqimeve, Telegrafi ka realizuar një intervistë me Vala Pupovcin, dietologe dhe nutricioniste, e cila ka studiuar dietologjinë në Athinë duke marrë diplomë nga universiteti prestigjioz Coventry University.

Foto: Facebook

Fillimisht Pupovci tregon se cilat janë lëndët ushqyese kryesore që duhet t’i konsumoj një person:

“Një person duhet t’i konsumoj të gjitha lëndët ushqyese, duke përfshirë këtu së pari makronutrientët si: proteinat, karbohidratet dhe yndyrat. Një dietë e shëndetshme përmban diku 45—50 për qind karbohidrate, 15-20 për qind proteina, 25-35 për qind yndyra. Më shumë ka rëndësi raporti i shpërndarjes së tyre, se sa eleminimi i njërit prej tyre. Pastaj ka lëndë tjera që kanë shumë rëndësi si: kalciumi, hekuri, mineralet, vitamina, C, vitamina A, jodi, seleni dhe zinku. Nëse keni një dietë të pasur, mund t’i merrni të gjitha pa problem. Përveç vitaminës D, e cila merret me anë të ekspozimit ndaj diellit dhe në disa ushqime të pakta, por në periudhën e dimrit duhet të merret me anë të suplementeve”.

Foto: Healthline

Tutje, ajo tregon se si e ndihmon një klient që të fillojë të humbasë peshë dhe cilat janë këshillat kryesore që jep:

“Së pari tregohen qëllimet: a kanë nevojë klienti për humbje, shtim apo mbajtje të peshës apo thjesht menaxhim të problemeve shëndetësore që vijnë nga ushqimet. Së pari me klientin bëhet matja trupore, pastaj përcaktohet dieta e personalizuar për secilin person. Nëse duan humbje peshe, këshillohet të konsumojnë porcione më të vogla të ushqimit, ndryshe kur dikush dëshiron të shtoj peshë, at herë këshillohet të konsumoj porcione më të mëdha. Edhe këshillat gjithmonë janë të personalizuara”.

Foto: Facebook

Disa nga metodat më efektive që ajo ka hasur për humbjen e peshës:

“Metoda më efektive për humbjen e peshës është mënyra e shëndetshme e ushqyerjes, me kalori të kontrolluara. Së pari duhet të jetë një plan që klienti nuk ka vështirësi ta mbaj, nuk ka nevojë për shumë energji. Problemi kryesor nuk është te humbja e peshës, por te mbajtja e peshës. Zakonisht njerëzit e fillojnë dietën me një eufori shumë të madhe, mirëpo shumë shpejt ky motiv bie dhe shpejtë kthehet pesha. Prandaj, unë preferoj një dietë ku lejohen të gjitha ushqimet, nuk ka diçka që nuk lejohet, thjeshtë varet sasia dhe koha kur konsumohen”.

Foto: Peopleimages/Getty Images

Vala tregon sa janë sipas saj të ndërgjegjshëm qytetarët e Kosovës për ushqyerjen e shëndetshme:

“Puna e ushqyerjes së shëndetshme është bërë trend në pesë vitet e fundit, për një arsye. Së pari sepse njerëzit kanë rritur ndërgjegjen rreth ushqyerjes së shëndetshme, edhe pse në gjeneratat më të vjetra mund të mos ketë ndërgjegjësim aq të madh”.

Foto: Facebook

Por, sipas dietologes janë gabimet më të shpeshta të cilat i bëjnë shumica e njerëzve:

“Gabimi që më së shpeshti e bëjnë njerëzit në Kosovë janë dietat që japin rezultate të shpejta, por ato rezultate janë të pa qëndrueshme. Marrin një dietë nga interneti, duke u bazuar nga fjalët e dikujt që e ka provuar, mirëpo rrugës mund të dështojnë, ose dështojnë kur përfundon dieta. Gabimi më i madh është pra fokusi te rezultatet e shpejta, por të pa qëndrueshme. Kjo nuk ndalon me një ditë, por duhen disa vite me dietë që ta kuptojnë se kjo nuk është mënyra e duhur për humbjen e peshës”.

Foto: TanyaJoy/GettyImages

Në vazhdimësinë e bisedës për Telegrafin, Pupovci tregon pesë grupet ushqimore që një person duhet t’i ketë gjithmonë në dietë:

“Së pari frutat dhe perimet, drithërat, produktet e mishit, peshkut, fasulet, vezët, pra produktet e pasura me proteina, pastaj produktet e qumështit dhe yndyrat e shëndetshme”.

Foto: Facebook

Një gjë shumë e rëndësishme kur blejmë produkte është shikimi i vlerave ushqyese të tyre, nutricionistja jep disa këshilla se si t’i analizojmë ato më lehtë:

“Së pari duhet të dihen grupet ushqimore, kjo vlen më së shumti te ato që nuk kanë etiketë ushqimore, si frutat dhe perimet. Kurse të ushqimet e paketuara, duhet të shikohet lista e përbërësve ushqimor. Duhet të mbahet në mend se përbërësit e listuar në fillim kanë sasi më të lartë në atë ushqim. Pastaj, duhet të dihet që vlerat ushqimore mund të tregohen për 100 gram apo porcion të produktit, ndaj duhet të dimë sa do të konsumojmë dhe të kryejmë kalkulimet”.

Foto: Express Archives

Pas konsumit pak më të tepruar që priremi ta bëjmë në festat e fundvitit, dietologia jep disa këshilla:

“Pas festave zakonisht vërehet një dëshirë për dietë të shpejtë apo detoks, diçka që sa ma shpejt jep rezultate. Këshilla ime është që të mos fillojnë edhe një ditë tjetër të shpejtë, pasi nuk do të ketë rezultate”.

Foto: Facebook

Mesazhi i Vala Pupovcit për lexuesit e Telegrafit:

“Gjithmonë këshillat të merren nga profesionistët shëndetësor, dietologët dhe nutricionistat. Të mos merren këshillat nga personat e pa kualifikuar rreth dietës dhe ushqimit”. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori