Festimet për Ditën e Evropës, të cilat po mbahen gjatë gjithë muajit maj, vazhduan të shtunën në komunën e Obiliqit me një aktivitet sportiv që bëri bashkë vajza nga komunitete të ndryshme anembanë Kosovës.

Në kuadër të programit të organizuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë, në partneritet me Revolution Rugby, u mbajt një garë miqësore ragbi mes ekipeve Plemetina Diamonds dhe Klina Valkyries, e cila u fitua nga kjo e fundit.


Themeluesja e Revolution Rugby, Bronwyn Jones, tha se turneu ishte shumë i jashtëzakonshëm dhe se fituesi u përcaktua me vetëm një dallim të vogël.

“Ishte një turne shumë i mirë. Ndeshja u vendos vetëm me një dallim të vogël dhe fitoi Klina Valkyries. Kaluam shumë mirë, dhe edhe vajzat kaluan shumë mirë. Ato patën mundësi të dilnin në fushë dhe të luanin,” tha ajo.

Jones theksoi se vlera e aktivitetit nuk ishte vetëm te loja, por edhe te bashkimi i vajzave nga komunitete të ndryshme përmes sportit.

“Kemi pasur ekipe nga zonat shqip-folëse dhe serbo-folëse që kanë luajtur së bashku për të festuar Evropën. Bashkë ishin edhe vajza nga komunitetet rom, ashkali, shqiptare dhe serbe, për të festuar Evropën dhe idenë që e përfaqëson ajo, e që është afrimi i kulturave,” tha Jones.

Përveç garës në fushë, aktiviteti u shndërrua edhe në një mundësi për krijimin e miqësive të reja dhe forcimin e komunikimit mes pjesëmarrëseve.

Lojtaret nga komunitetet në Kosovë u shprehën të lumtura për lojën dhe që patën mundësi të njihen me bashkëmoshataret e tyre.

“Sot jemi mbledhur këtu për nder të Ditës së Evropës. Sot kemi luajtur një sport pak më ndryshe se sportet e tjera, e që është rugby” tha Xheneta Abazaj.

“Më kanë pëlqyer shumë aktivitetet e sotme, ku kemi takuar shoqëri të re dhe të gjithë kemi luajtur në një atmosferë sportive. Gjithçka ishte shumë mirë. Në fund të gjithë morëm medalje dhe një dhuratë, po ashtu morëm edhe fanella. Kjo është e gjitha” tha Bahtija Kurteshi.

Ngjarja përcolli një mesazh më të gjerë për rolin e sportit si forcë që krijon lidhje mes njerëzve dhe i afron komunitetet.

Duke promovuar gjithëpërfshirjen, punën ekipore dhe vlerat që bashkojnë, Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë aktivitete që kontribuojnë në zhvillimin e rinisë në Kosovë.