LAJMI I FUNDIT:

Ushunjëzat e politikës dhe gjendja jonë e pazakontë

Ushunjëzat e politikës dhe gjendja jonë e pazakontë
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Është trishtuese lufta e jashtëzakonshme e klasës politike, në një situatë po ashtu të jashtëzakonshme. Për një qytetar të thjeshtë të Kosovës, që nuk e çan kokën aspak për parti dhe për ideologji, është e frikshme dhe brengosëse kur e kupton se nga kush po varet e ardhmja e tij/saj. Vërtetë, kjo gjendje është për t’u vajtuar.

Si ka mundësi që në një periudhë kaq të vështirë nëpër të cilën po kalon i gjithë planeti, politikanët tanë gjejnë forcë dhe vullnet të kacafytën mes vete, për gjërat absolutisht triviale se a duhet të definohet kjo periudhë si e jashtëzakonshme apo jo!? Nuk ka vlerë asnjë interpretim kushtetues apo ligjor, në këtë kohë kur nga vendimet që ju merrni, politikanë të ‘dashur’, varet jeta e atyre që janë prekur nga kjo sëmundje.


Mund ta kuptoj epshin e politikanëve për pushtet, të ushunjëzave dhe rriqrave që nuk shohin asgjë tjetër pos interesit privat dhe grupor. Këtu i fus shumicën e politikanëve, sepse shumica nga ta deri tash nuk kanë dhënë dëshmi se kanë hyrë në politikë për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve. Por, e kam të vështirë ta kuptoj epshin e të vetëquajturve analistë (virtualë) politikë, të këtyre blogerëve shqiptarë të shpërndarë anembanë botës. E kam fjalën sidomos për ata që pretendojnë se posedojnë një grimë niveli intelektual.

Thjesht, e kam të vështirë ta arsyetoj devotshmërinë e dikujt që nga Kanadaja, ShBA-ja, Gjermania, apo Zvicra – tërë kohën, 24/7 – tek rri para kompjuterit dhe tërë potencialin e tij njerëzor dhe intelektual e vë në funksion të propagandës shurdhuese dhe të paskrupullt të një partie politike. Kur e shoh ndikimin e tyre në opinion, kjo gjë më acaron. Sigurisht, është e drejtë e tyre të veprojnë kështu, por kur e shoh sigurinë e tyre për të dhënë mendim kompetent nga distanca, sesi duhet të veprohet këtu në Kosovë, kjo më duket absolutisht e papërgjegjshme dhe për më tepër e turpshme.

Turpi më i madh për mua ndërlidhet me një kastë të njerëzve që veprojnë këtu, kastë e cila ka një kohë që është etabluar në Kosovë. Këtu futen mbi të gjitha ish-politikanët egocentrikë, e veçanërisht analistët politikë që nuk shërbejnë për asgjë tjetër, përpos si shurdhues të ndërgjegjes sonë individuale. Në këtë kastë mund të futet edhe një grup i të vetëquajturve intelektualë, që pa pikë turpi rreshtohen pro një klase politike dhe në këtë mënyrë bëjnë punën e ‘argatit të dreqit’.

Njerëz, lëreni luftën politike; frenojini epshet, sepse kemi të bëjmë me një situatë që lidhet me jetën e njeriut. Po e jetojmë një periudhë tjetër të vështirë si komb. Quajeni si të doni, por kjo nuk është periudhë e zakonshme. Andaj, në këtë situatë të pazakontë na duhet uniteti, na duhet bashkimi dhe rreshtimi i përbashkët i tërë potencialit tonë. Mbi të gjitha, na duhet mirëkuptimi ndaj njëri-tjetrit. Vetëm kështu mund të përballemi me sukses më këtë armik misterioz që ka sulmuar tërë botën.

Ju uroj shëndet fizik në radhë të parë, e pastaj edhe mendor!