LAJMI I FUNDIT:

Ushtrimet menjëherë pas lindjes? Ekspertët paralajmërojnë që kjo nuk është ide edhe aq e mirë

Ushtrimet menjëherë pas lindjes? Ekspertët paralajmërojnë që kjo nuk është ide edhe aq e mirë

Femrave që bëhen për herë të parë nëna nuk u këshillohet që të nguten për të bërë ushtrime në gjashtë muajt e parë pas lindjes, në mënyrë që të mbrohen nga problemet e inkontinencës dhe problemet e tjera të organeve intime.

Në të vërtetë, ekspertët thonë që femrat me ngulm dëshirojnë të kthejnë formën të cilën e kanë pasur para lindjes dhe për këtë shkak shumë herët fillojnë të ushtrojnë pa ndërprerë dhe kështu i ngarkojnë muskujt e dobësuar të abdomenit, komblikut dhe të trupit, transmeton Telegrafi.


“Shumica nuk e kuptojnë se çfarë pasojash i presin nëse nuk lejojnë që trupi të këndellet pas lindjes”, thotë Emma Brokwil, fiziatre për shëndetin e femrave, e cila është specializuar në sferën e ushtrimeve postnatale.

“Nuk kalon as një javë të mos punoj së paku me një femër e cila është lënduar për shkak të ushtrimit me intensitet të lartë dhe shumë shpejt pas shtatzënisë dhe lindjes”, thotë Brokwel.

“Vrapimi i ngarkon shumë organet e komblikut, ndërkaq kjo mund të çojë deri te prolapsa e vagjinës, fshikëzës dhe zorrëve, përkatësisht te lëshimi i organeve, gjë që shkakton problem me muaj të tërë, nëse jo edhe me vite”, thotë ajo.

Për këtë shkak, Brokwel paralajmëron se asnjë femër nuk duhet të ushtrojë derisa trupi të mos këndellet plotësisht.

“Çdo shtatzëni, pa marrë parasysh metodën e lindjes, krijon presion në zonën e komblikut, përkatësisht të muskujve të cilët mbrojnë organet”, paralajmëron ajo.

Secila nënë e re duhet patjetër të kontrollohet te gjinekologu gjashtë javë pas lindjes, ndërkaq para kontrollit nuk bën t’ia ekspozojë trupin kurrfarë mundimi. /Telegrafi/