LAJMI I FUNDIT:

Ushqim, pije, këngë dhe atmosferë fantastike në natën e gjashtë të “Prishtina Gastronomy Festival”

Në natën e gjashtë të festivalit të gastronomisë në Prishtinë, ‘Prishtina Gastronomy Festival’ pjesëmarrësit patën mundësinë që të shijojnë ushqime të përgatitura me delikatesë nga shefi tiranas, Bleri Dervishi.

Antipasto, fileto pule e tymosur, të përziera me perime të freskëta dhe të shoqëruara me verëra, ishin specialiteti i shefit në natën e gjashtë të edicionit të dytë në ‘Prishtina Gastronomy Festival’.


“Në bashkëpunim me Kosmonte Foods, kemi përgatitur tri pjata me tre verëra të ndryshme. Antipasto e parë ka qenë një karpaço fileto pule e tymosur, me ca kripëra të Himalajës, djathë nape të thartuar dhe umus chice. Pjata e dytë ka qenjë një avone e mbushur me kërpudha, pasi jemi në Prishtinë, pra që është një zonë që nuk laget nga deti dhe i shkojnë më shumë ato shijet e tokës. Pastaj kërpudha, domate, spinaq të freskët dhe pak limon. Kurse pjata kryesore është një fileto pule e gatuar me vajin e ullirit, domate të freskët dhe spinaq sipër. Ato gjethet që mund të shikoni janë disa chipsa të bëra me djathë kaçkavalli ”, tregoi Dervishi për Telegrafin.

Kuzhinieri Bleri Dervishi duke përgatitur ushqim në festivalin e gastronomisë në Prishtinë //Foto: “Prishtina Gastronomy Festival”

Tutje ai shtoi se ishte prezent edhe në edicionin e parë të festivalit, në vitin 2019, por kësaj here, sipas tij, ndryshimi është shumë i madh krahasuar me herën e kaluar.

“Për mua është eventi i dytë radhazi, që marrë pjesë në festivalin e gastronomisë në Prishtinë. Mendoj që është një nismë shumë e mirë. Ka një diferencë akoma më të madhe në mes festivalit të këtij vitit dhe të vitit 2019, pra edicionit të parë. Ka akoma më shumë njerëz këtu, për t’i provuar ushqimet dhe për të promovuar pije dhe verëra. Ka rritje në 360 gradë mes edicionit të parë dhe këtij edicioni”, përfundoi Dervishi.

Pjata kryesore e filetos së tymosur e shoqëruar me spinaq // Foto: “Prishtina Gastronomy Festival”
Përparim Rama dhe Erion Veliaj, bëjnë hapjen e Prishtina Gastronomy Festival
Lexo po ashtu Përparim Rama dhe Erion Veliaj, bëjnë hapjen e Prishtina Gastronomy Festival

Ajrina Gashi – menaxhere në “Doni Fruits”, tha për Telegrafin se shërbimi i pijeve të freskëta dhe të shëndetshme është prioriteti i tyre.

“Kur na ftoi organizatori Astrit Panxha në festival, ne e pranuam ftesën pa hezitim. Si ‘Frutaria’ dhe si ‘Doni Fruits’, me iu shërbye njerëzve pije të shëndetshme dhe diasporës po ashtu, sepse këta janë muajt e tyre është kënaqësi për neve”,tha ajo.

Produktet e frutarisë “Doni Fruits” // Foto: “Prishtina Gastronomy Festival”
Nata e dytë e "Prishtina Gastronomy Festival", vlonjati Bujar Veshi me pjatë speciale "Kosova në gjirin e Vlorës"
Lexo po ashtu Nata e dytë e "Prishtina Gastronomy Festival", vlonjati Bujar Veshi me pjatë speciale "Kosova në gjirin e Vlorës"

Gashi tha se interesimi i njerëzve për t’u shërbyer nga kjo frutari lidhet edhe me muzikën dhe preferencat e muzikës së pjesëmarrjeve.

“Instresimi i njerëzve dita ditës dallon, sigurisht që kjo ndërlidhet me preferencat e muzikës. Kur ishte Eli Fara dhe Aurela Gaçe, normal që kishte interesim më të madh”, u shpreh ajo.

Produktet e frutarisë “Doni Fruits” // Foto: “Prishtina Gastronomy Festival”

Vizitori i festivalit Vigan Kastrati tregoi se po argëtohet shumë dhe po kalon shumë bukur duke marr parasysh muzikën e mirë dhe kohën e  verës.

“Sa erdhëm tash dhe po shohim një atmosferë fantastike. Bukur po duket dhe ne po kalojmë mirë. Është hera e parë që e vizitoj festivalin këtë edicion. Kam qenë edhe në edicionin e parë”, tha Kastrati.

Atmosfera në “Prishtina Gastronomy Festival” // Foto:”Prishtina Gastronomy Festival”

Ndërsa Shukrie Avdyli ka ardhur me bashkëshortin e saj në festival, për të promovuar biznesin e tyre të picerisë, që e ushtrojnë në Gjermani.

“Jam për herë të parë këtu dhe po ia kalojmë shumë bukur. Bashkëshorti im e ka këtë piceri edhe në Gjermani e kemi sjellur në festival, sepse dëshirojmë ta promovojmë edhe më shumë. Mua po më pëlqen shumë”, deklaroi ajo për Telegrafin.

Grupi i famshëm ” Fisnikët” duke performuar në festivalin e gastronomisë në Prishtinë // Foto: “Prishtina Gastronomy Festival”

Mysafirtët i argëtuan grupi i famshëm muzikor “Fisnikët” dhe “Strings Strings”, duke krijuar një atmosferë shumë të këndshme në natën e gjashtë të Festivalit të Gastronomisë në Prishtinë./Telegrafi/