LAJMI I FUNDIT:

Nata e dytë e “Prishtina Gastronomy Festival”, vlonjati Bujar Veshi me pjatë speciale “Kosova në gjirin e Vlorës”

Festivali i Gastronomisë në Prishtinë po vazhdon aktivitetet tij. Në natën e dytë të këtij festivali pjesëmarrësit patën mundësinë që të argëtohen me muzikën e bukur të folklorit vlorian dhe me ushqimet e shijshme tradicionale të kryeqytetit të parë shqiptar.

Kuzhinieri i famshëm Bujar Veshi, erdhi nga qyteti i bukur i Vlorës për të sjellë shije në Prishtina Gastronomy Festival, pjatën speciale të quajtur “Kosova në gjirin e Vlorës”.


Shef Bujari, kishte sjellur risi në kuzhinën e festivalit me pjatë, për përgatitjen e së cilës, thotë se ishte frymëzuar nga ngjarjet e vitit 1999 në Kosovë.

“Është risi kjo pjatë ne e kemi quajtur Kosova në gjirin e Vlorës. Kjo për të kujtuar ato momentet e afërta që kemi pasur njëri me tjetrin, sidomos ngjarjet e vitit 1999, ku shume kosovarë gjetën strehë dhe qëndruan në shtëpitë tona, tek vëllezërit e tyre. Unë jam inspiruar nga kjo dhe kam bërë një pjatë për Kosovën”,  tha Veshi, për Telegrafin.

Pjata “Kosova në gjirin e Vlorës”, përgatitur nga shesi Bujar Veshi // Foto: Prishtina Gastronomy Festival

Ndërsa pronarja e biznesit “E bukura e dheut”, Fjolla Lluka, tha për Telegrafin se këtë në këtë edicion të këtij festivali ata do të prezantojnë gjalpat e tyre të përgatitur me përbërës bio.

“Për dyqanin tonë ‘E bukura e dheut’, është hera e parë që marrim pjesë na si biznes në një organizim si ky. Është një risi për ne, të marrim pjesë në kësi lloj organizimesh me ushqimin tonë këtu. Kjo pasi që ne bazohemi në ushqim bio dhe ushqim të shëndetshëm. Këtu kemi vendos me marrë pjesë me gjalpën e kikirikut, bademit dhe lajthisë, që janë eksluzivitet i dyqanit tonë. Ne këtë festival ne kemi sjellur risinë e arores dhe të çajit”, tha ajo.

Produktet e bio të “E bukura e dheut”// Foto: Prishtina Gastronomy Festival

Lluka po ashtu tha se pjesëmarrja në festival me produktet bio ka për qëllim edhe vetëdijësimin e njerëzve për të konsumuar ushqim të shëndetshëm.

“Interesimi i njerëzve është i kënaqshëm, pasi që njerëzit kohëve të fundit kanë filluar të vetëdijesohen dhe të konsumojnë produkte bio. Presim që të shtohen kërkesat për shkak se qëllimi ynë është që t’i vetëdijësojmë njerëzit që të ushqehen shëndetshëm”, u shpreh ajo.

Pjata tradicionale nga jugu, peshku i përgatitur nga kuzhinierja Alketa Ismjali // Foto: Prishtina Gastronomy Festival

Kuzhinierja nga Vlora Alketa Ismajli ka përgatitur dy pjata të shijshme me ushqime tradicionale nga zona e jugut të Shqipërisë. Peshku dhe trazortja ishin specialiteti i saj, në ditën e dytë të festivalit “Prishtina Gastronomy Festival”.

“Ne vijmë nga Vlora, jemi përfaqësuese të shkollës tregtare në Vlorë, në të cilën përfshihet edhe dega e kuzhinës për studim. Ne sot kemi sjellur dy gatime tradicionale të zonës së jugut, të zonës së Labërisë. Tavën e peshkut dhe levrekun, pra të përgatitur me qepë dhe domate, duke shtuar përbërës të veçantë siç është dafina, majdanozi dhe lëng mishi”.

Pjata tradicionale nga jugu, trazorja e përgatitur nga kuzhinierja Alketa Ismjali// Foto: Prishtina Gastronomy Festival

“Gatimi tjetër tradicional që është trazorja. Ky ushqim ka këto përbërës ka miellin e misrit si bazë si dhe ushqimet të cilat kanë për bazë qumështin dhe kosin, djathin dhe gjizën. Këto përzierje piqen si brum petullash në furrë”, tregoi për Telegrafin kuzhinierja Ismajli.

Këngëtarja Aurela Gaçe dhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama //Foto: Prishtina Gastronomy Festival

Në natën e dytë të festivalit të gastronomisë, pjesmarrësit i argëtoi këngëtaria e mirënjohur Aurela Gaçe. Si çdo herë ajo e ndezi atmosferën në sheshin “Adem Jashari”, në Prishtinë./Telegrafi/