LAJMI I FUNDIT:

UNHCR: Mijëra civilë ikin nga Falluxha

UNHCR: Mijëra civilë ikin nga Falluxha

Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se mijëra civilë janë larguar nga qyteti irakian i Falluxhas pasi ushtria e ka deklaruar të çliruar qytetin nga grupi ekstremist, Shteti Islamik.

Përmes një deklarate të publikuar mbrëmë, Bruno Geddo, përfaqësuesi i agjencisë së OKB-së për refugjatë në Irak ka thënë se agjencitë janë duke “u munduar që t’i përgjigjen situatës në zhvillim”.

Ai ka thënë se një valë tjetër e refugjatëve pritet brenda ditëve të ardhshme, derisa mijëra civilë mbesin të ngujuar në Falluxha.

Një komandant irakian ka raportuar luftime të ashpra derisa forcat elitare kundër terrorizmit kanë vazhduar luftimet për të larguar militantët e mbetur, transmeton Rel.

Luftëtarët e IS-it kanë gjuajtur raketa, e kanë shpërthyer një makinë bombë dhe kanë vendosur snajperë kundër forcave irakiane, thotë më tej Gjeneral Brigade Haider al-Obeidi.

“Forcat irakiane po vazhdojnë avancimin me gjithë luftimet e ashpra”, ka thënë më tej ai.

Kryeministri irakian Haidar al-Abadi e ka deklaruar fitoren në Irak më 17 qershor, pasi forcat speciale e kanë rimarrë qytetin pas disa javë luftimesh.