LAJMI I FUNDIT:

Ukraina ka nevojë për më shumë mbështetje perëndimore dhe për politika më të zgjuara ekonomike për ta fituar luftën

Ukraina ka nevojë për më shumë mbështetje perëndimore dhe për politika më të zgjuara ekonomike për ta fituar luftën
Një burrë kalon pranë një ndërtese të shkatërruar nga një sulm raketor rus në Odesë. Konflikt më i gjatë ndryshon jo vetëm strategjinë ushtarake, por edhe përllogaritjet makroekonomike (foto: EPA/Shutterstock)

Nga: Oleg Churiy / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Vladimir Putini në mënyrë famëkeqe parashikoi se Ukraina do të pushtohet brenda pak ditësh. Perëndimi ishte po aq skeptik për shanset e Ukrainës për t’i mbijetuar sulmit rus. Megjithatë, kanë kaluar më shumë se 150 ditë që nga fillimi i pushtimit rus  – në shkallë të plotë në Ukrainë – dhe Putini është shumë larg arritjes së qëllimit të tij fillestar për shkatërrimin e Ukrainës si shtet të pavarur. Parashikimet e mëparshme për luftë të shkurtër janë diskredituar tërësisht dhe komentuesit, nga të gjitha anët, nuk e përjashtojnë më mundësinë që ajo mund të vazhdojë edhe për shumë muaj, nëse jo me vite.


Kohëzgjatja më e gjatë e konfliktit ndryshon jo vetëm strategjinë ushtarake, por edhe llogaritjen makroekonomike. Në ditët e para të luftës, politikat makroekonomike të Ukrainës synonin t’i kontrollonin pritshmëritë dhe të shmangnin panikun. Këto politika bazoheshin në kontrollin e çmimeve – për shembull, kursi i këmbimit hrivnja-dollar ishte fiksuar në nivelin e paraluftës – dhe sigurimin e masave ndaluese për t’i mbështetur bizneset dhe familjet, të tilla si pezullimi i detyrimeve të importit. Këto përgjigje ishin të përshtatshme për ta adresuar tronditjen fillestare. Por, teksa lufta po vazhdon, ato duhet të rregullohen ose Ukraina do të përballet me katastrofë ekonomike.

Banka Kombëtare e Ukrainës (NBU), banka qendrore e vendit, ka një detyrë në dukje të pamundur. Së pari, kursi fiks i këmbimit ofron një ankorë të rëndësishme nominale (variabla që politikëbërësit mund ta përdorin për ta ulur nivelin e çmimeve – v.p.). Së dyti, NBU është përgjegjëse për shëndetin e sistemit financiar për të siguruar që ekonomia do të ketë akses në likuiditet dhe që sistemi i pagesave të funksionojë pa probleme. Banka qendrore ka njëfarë pushteti mbi flukset e kapitalit, por refugjatët ukrainas në BE dhe në vende të tjera duhet të lejohen ta përdorin valutën të çmuar të rënd (valuta që nuk ka gjasa të zhvlerësohet papritur ose të luhatet shumë në vlerë – v.p.) për ta mbështetur veten. Së treti, NBU duhet t’i mbulojë nevojat e mëdha fiskale të qeverisë për të paguar për angazhimet e luftës.

Në afat të shkurtër, mund të funksionojë kjo përzierje e politikave. Për shembull, banka qendrore mund t’i djegë rezervat valutore. Por, nuk është në përputhje me horizontet më të gjata të luftës. Nëse politikat nuk modifikohen, NBU përballet me perspektivën e inflacionit të lartë, shterimin e rrezikshëm të rezervave valutore dhe rrezikun e një krize valutore ose të një paniku bankar.

Burimet e kufizuara të qeverisë lënë pak mundësi të kënaqshme. Kohët e fundit, bankës qendrore iu desh të zhvlerësonte hrivnjën me 25 për qind. Por, kjo ndoshta do të sigurojë lehtësim vetëm të përkohshëm pasi një tjetër zhvlerësim mund të jetë i nevojshëm. Përndryshe, hrivnja mund të lejohet të lundrojë më lirshëm, duke ndihmuar në adresimin e pabarazive të akumuluara në ekonomi. Por, kjo rrezikon të vijë me koston e humbjes së një spirance nominale. Objektivi i inflacionit të paraluftës është më pak i dobishëm, duke pasur parasysh mekanizmin e pasigurt të transmetimit monetar të kohës së luftës.

Autoritetet fiskale gjithashtu mund të përpiqen t’i rrisin më shumë të ardhurat dhe t’i kontrollojnë shpenzimet. Këto opsione janë të vështira. Është e vështirë të rriten taksat kur ekonomia është e dobët. Por, një mundësi është të taksohet ekonomia në hije (informale – v.p.) nëpërmjet taksave jo të drejtpërdrejta, si akciza ose rritja e detyrimeve të importit.

Ministria e Financave duhet më në fund ta pranojë realitetin dhe të fillojë të marrë hua në tregun vendor të borxhit (ku investitorët blejnë dhe shesin letra me vlerë të borxhit, kryesisht në formën e obligacioneve – v.p.) me norma shumë më të larta, në vend që të mbështetet vazhdimisht në financimin monetar nga NBU për t’i mbuluar mungesat buxhetore. Deri tash kanë qenë mjaft të pasuksesshme përpjekjet për të marrë hua me norma reale të interesit thellësisht negative (nëse ka normë reale negative, do të thotë se norma e inflacionit është më e madhe se norma nominale e interesit – v.p.). Në çdo rast, detyra e Ukrainës është e qartë: qëndrimi fiskal duhet ndjeshëm të përmirësohet për t’i mbështetur përpjekjet e luftës për periudhë të zgjatur.

Por, aleatët e Ukrainës përballen me detyrat e tyre makroekonomike. Vendi im po e mbron sigurinë në Evropë. Në fakt, rendi global po vendoset në Ukrainë. Nëse Rusia e Putinit fiton, ligji i xhunglës do të jetë regjimi i ri në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Por, që Ukraina të vazhdojë të luftojë dhe të fitojë, ajo ka nevojë jo vetëm për shumë më tepër armatime, por edhe për mbështetje ekonomike në shkallë më të gjerë. Që nga fillimi i luftës, Ukraina ka marrë mbështetje të jashtme në masën 2.5-3 miliardë dollarë në muaj. Financimi i pritshëm i jashtëm për gjysmën e dytë të vitit 2022 është 18 miliardë dollarë – një shumë e konsiderueshme, por shumë më poshtë se nevojat e vendit. Për ta shmangur fatkeqësinë ekonomike në Ukrainë dhe për ta mbështetur aftësinë e saj për të luftuar, aleatët duhet të paguajnë shuma shumë më të mëdha prej rreth 4-5 miliardë dollarë në muaj në të ardhmen më të afërt.

Çdo ditë e luftës do të thotë më shumë jetë të humbura, fëmijë të traumatizuar dhe shtëpi të shkatërruara. Kostoja ekonomike e luftës nuk është më pak tronditëse dhe prek të gjithë – që nga infrastruktura e shkatërruar në Ukrainë deri te fantazma e urisë në Afrikë dhe gjetkë. Ukraina duhet ta fitojë këtë luftë dhe ta fitojë shpejt atë. Por, një luftë e gjatë duket gjithnjë e më shumë si skenar bazik. Kjo kërkon rikalibrimin e politikave makroekonomike në Ukrainë dhe te vendet aleate për t’u siguruar që ekonomia e Ukrainës mund t’i mbajë përpjekjet e luftës për aq kohë sa të jetë e nevojshme. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Magazina
Këngëtari i famshëm britanik bën publike lidhjen me bukuroshen shqiptare, Xhoana Xheneti

Këngëtari i famshëm britanik bën publike lidhjen me bukuroshen shqiptare, Xhoana Xheneti

Magazina
Femrat në këto vende janë krenare për të pasmet e tyre!

Femrat në këto vende janë krenare për të pasmet e tyre!

Stil
Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Lajme
Vrima e akullit në Antarktidë sa madhësia e Zvicrës vazhdon e rritet - shkencëtarët e zbulojnë pse

Vrima e akullit në Antarktidë sa madhësia e Zvicrës vazhdon e rritet - shkencëtarët e zbulojnë pse

Botë
VAR sinjalizoi për kartonin e kuq

VAR sinjalizoi për kartonin e kuq "më të keq në histori" në ligën e Francës, ndërsa tifozët thonë 'ne menduam se Liga Premier ishte keq'

Ligue 1
Kalo në kategori