Gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane, ministrja Vlora Çitaku ka thënë se përkundër gatishmërisë, Kosova nuk mund tash për tash t’i plotësojë të gjitha kushtet për marrëveshjen e stabilizim asociimit për shkak se vendi ka ekonomi të dobët dhe ka ende problem në luftimin e dukurive negative, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

”Unë jam e bindur se klasa politike në Kosovë, pa përjashtim, ka arritur të kuptojë se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë parakusht për proceset e mëtutjeshme integruese dhe sa më shpejtë ne të fillojmë ta trajtojmë këtë problematikë, aq më e lehtë do të jetë rruga drejt BE-së”, tha Çitaku.


Sipas ministres, marrja e udhërrëfyesit, është fitore e konsensusit politik që kemi ne për agjendën evropiane.

“Është e rëndësishme që udhërrëfyesi, që do t''i jepet Kosovës do të jetë identik me atë të Ballkanit perëndimor, do të jetë udhërrëfyes një fazor, ndërkohë numri i kritereve apo detyrave të shtëpisë do të jetë më i madh”, tha ajo.

Nga ana e tij, anëtari i Komisionit për integrime evropiane, Ismet Beqiri ka shprehur dyshimin sa i takon luftës kundër korrupsionit. Ai tha se institucionet kompetente nuk janë duke bërë sa duhet në këtë drejtim.

Sa i përket 5 vendeve anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë Kosovës, Çitaku ka thënë se është gjetur një zgjidhje duke e futur në klauzola të marrëveshjes për liberalizim edhe një paragraf në të cilin sqarohet se lejimi i udhëtimit pa viza i qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së nuk do të paragjykoj statusin.

Ndryshe, integrimi i veriut të Mitrovicës në institucionet e vendit vlerësohet të jetë në mesin e sfidave më të rënda sa i takon procesit të integrimeve evropiane. /Telegrafi/