LAJMI I FUNDIT:

Udhëpërshkrim nga Lugina e Preshevës: Si Syla n’Bilaç!

Udhëpërshkrim nga Lugina e Preshevës: Si Syla n’Bilaç!

Sipas koordinatave gjeografike (42°21′13″N 21°44′35″E), Bilaçi është vendbanimi që shënon pikën e fundit të shtrirjes etnike të shqiptarëve në pjesën e tokave të tyre verilindore . Në hapësirën që shtrihet nga Bilaçi deri në Gjilan, nuk ekziston asnjë vendbanim joshqiptar. Nga kodra që gjendet në lindje të Bilaçit duket pjesa qendrore dhe jugore e Luginës së Preshevës. Nga mesi i fshatit, në drejtim të perëndimit, del rruga e cila zgjatet si një vijë e drejtë e vizatuar me vizore. Rruga shkon në drejtim të mesit të fushës së Luginës ku kryqëzohet me autostradën e pastaj me hekurudhën. Aty ku përfundon hekurudha, fillon fshati Corroticë, i cili shtrihet nën horizontin e një kodre, e cila pas ka disa male. Pas këtyre maleve vjen kufiri me Kosovën ku fillon pjesa e Karadakut të Gjilanit.

Udhëpërshkrim nga Sanxhaku i Novi Pazarit: Kur gjuha përcakton kombin – si u shndërruan shqiptarët në boshnjakë?
Lexo po ashtu Udhëpërshkrim nga Sanxhaku i Novi Pazarit: Kur gjuha përcakton kombin – si u shndërruan shqiptarët në boshnjakë?

Ndërtesa e kooperativës, e cila ka mbetur si shenjë e dështimit të kolektivizimit të pronës private që ishte iniciuar nga regjimi komunist pas Luftës së Dytë Botërore, zë vend prominent në sheshin e Bilaçit. Edhe pse kjo ndërtesë është meremetuar së voni, duket se më nuk e ka vendin aty. Para ndërtesës qëndrojnë të parkuar disa mopedë dhe një motoçikletë e shtrenjtë që duket se janë të disa të rinjve që dëgjohen në brendi duke pirë kafe apo diçka tjetër. Bilaçi duket se është vend i motoçiklistëve. Disa dhjetëra të rinj që posedojnë motoçikleta sportive janë angazhuar në shoqatën e garave ‘Moto-Cross’. Mbi dritaren e pjesës së djathtë të ndërtesës së kooperativës është vendosur një tabelë shkëlqyese me ngjyrë të kuqe. Në te, me shkronja të bardha, shkruan: KF Bilaçi.

Sheshi para ndërtesës është i qetë dhe rrallë sheh ndonjë njeri duke lëvizur atypari. Vendi i përngjanë qytezave apo fshatrave mediterane, në të cilat, gjatë vapës së mesditës verore nuk ndodhë asgjë. Tabela e klubit futbollistik është intriguese. Pasi e fotografova, kërkoja njerëz se dëshiroja të dija diçka për këtë klub.

Reportazh nga Franca: Eleganca e Parisit, Shahadeti në derë të katedrales dhe bukë, verë e djathë
Lexo po ashtu Reportazh nga Franca: Eleganca e Parisit, Shahadeti në derë të katedrales dhe bukë, verë e djathë

Në anën tjetër të sheshit, në një bankë të improvizuar me një lloj dërrase të mbështetur për një muri të një shitoreje, rrinin ulur dy të rinj. Dukeshin sikur që kishin për qëllim të kënaqeshin nga rrezet e diellit, i cili ende është i fortë edhepse fundi i tetorit nuk është larg. Bisedonin prajshëm me shikim drejt meje. Kur u ktheva në drejtim të tyre, ata u ngritën shpejt, e kaluan sheshin dhe fluturimthi u gjetën para meje. ‘Si jeni’? – më pyetën me mirësjellje dhe përulësi siç e kanë zakon shqiptarët t’i nderojnë mysafirët dhe i zgjatën duart për përshëndetje fizike.

Ende pa e përfunduar mirë pyetjen për klubin, ata u përgjigjen me një varg akuzash për udhëheqjen e fshatit, komunës dhe kryesisë së klubit. Duke shprehur mllef, thanë se kjo ishte arsyeja që klubi në fakt më nuk ekzistonte. Përkundër entuziazmit të madh të të rinjve për këtë sport, klubi nuk kishte si të mbijetonte se nuk kishte as stadium e as fushë të futbollit. Por, mua më interesonte edhe shkaku që kishte sjell qetësi në shesh apo në çarshi siç quhej ky vend dikur. Djemtë u habitën kur i pyeta ‘ku janë njerëzit’? Duket se qetësia aty tashti është e përhershme. Ata janë të rinj dhe nuk e kuptojnë efektin e parabolës që përmban pyetja ime.

Reportazh nga jugperëndimi i Anglisë: ‘You are entering Cornwall’
Lexo po ashtu Reportazh nga jugperëndimi i Anglisë: ‘You are entering Cornwall’

Bilaçi i fëmijërisë sime ka qenë vendi më i dashur dhe më domethënës për mua dhe shkoja shpesh se aty i kisha kushërinjtë. Ka qenë vend i gjallë apo vibrues siç thonë disa sot. Qindra njerëz qarkullonin atypari në çdo kohë të ditës. Vendi gumëzhinte më shumë të martave kur ishte ditë tregu dhe kur unë mundohesha t’i identifikoja njerëzit e katër komuniteteve që jetonin në këtë fshat-qytezë. Në bazë të kapelave mundohesha ta dija se kush ishte shqiptar, kush serb e kush turk e rom. Disi, kështu dukej fizikisht edhe Bilaçi si vendbanim.

Shtëpitë qëndronin të radhitura në pjesët ku fillonin tri kodra të vogla. Aty ku përfundonin shtëpitë, vazhdonte pjerrtësia e kodrave të mbuluara me vreshta. Para fshatit shtrihej një fushë e gjerë pjellore nga ku njerëzit e siguronin ekzistencën me të mirat që ofron toka. Kultivimi i duhanit ka qenë veprimtaria kryesore e këtyre njerëzve, por nuk kanë mbetur mbrapa as me perime me të cilat furnizohej një pjesë e tregut të Kosovës së sotme.

Në vendin e kukuvajkave po ndalet ora
Lexo po ashtu Në vendin e kukuvajkave po ndalet ora

Rreth lumit që kalonte përmes, dominonin dyqanet e stilit otoman që dëshmonin për një epokë që kishte shkuar në pakthim. Në perëndim të sheshit zinte vend një periudhë e mëvonshme që përbëhej nga dy apo tri godina të ndërtuara në mes dy luftërave e që ishin kafene apo shitore të serbëve e që dëshmonin edhe sundimin e tyre. Dhe, ndërtesa e kooperativës që ishte simbol i sistemit socialist ekzistues, në të cilën gjendej një shitore dhe disa zyra të shtetit, të cilat po ashtu ishin në duar të serbëve. Para këtyre ndërtesave parkoheshin dy autobusë dhe disa kombi që i bartnin udhëtarët për Preshevë ose Bujanoc. Njerëzit lëviznin shpejt, ishin të urtë dhe punëtorë.

Sot gjithçka ka ndryshuar. Nuk ka më autobusë, kombi e as zhurmë të njerëzve. Duket se qetësia tashti është karakteristika kryesore e Bilaçit. Nga fotografia e kujtimit tim ka mbetur vetëm ndërtesa e kooperativës. Ndërtesat tjera janë zëvendësuar me të reja dhe vendi është tërësisht në duar të shqiptarëve të cilët e dominojnë pothuajse tërësisht Bilaçin edhe në aspektin demografik. Vendi, duke u zgjeruar disa herë, është mbushur me shtëpi të reja e të bukura, por ka rënë numri i popullsisë, përfshirë të gjitha nacionalitetet.

Vendi ku ‘pushuan’ Byroni dhe Disraeli, në rrugën drejt Shqipërisë
Lexo po ashtu Vendi ku ‘pushuan’ Byroni dhe Disraeli, në rrugën drejt Shqipërisë

Shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë bojkotuar regjistrimin e popullsisë të vitit 2011. Prandaj, statistikat e fundit janë të vitit 2002 ku shihet se Bilaçi kishte 2,036 banorë. Prej tyre 83.69 për qind janë shqiptarë dhe tetë për qind serbë. Të tjerët janë romë, maqedonë, hungarezë, etj. Statistika, po ashtu tregon se Bilaçi në vitin 2002 kishte 500 banorë më pak se në vitin 1991. Duket se nga viti 2002 numri i banorëve ka vazhduar të shënojë rënie graduale. Serbët janë shpërngulur në veri të Serbisë, kurse shqiptarët në Kosovë. Por, pjesa më e madhe e tyre gjenden në Perëndim ku kanë shkuar për punësim.

Rënia e numrit të banorëve shihet edhe nga numri i nxënësve të shkollës fillore ‘Desanka Maksimoviq’ me mësim në gjuhën shqipe dhe serbe, e cila shkollë para vitit 1991 quhej sipas komunistit maqedon, ‘Hristian Todorovski Karposh’. Sot numri i nxënësve shqiptarë dhe serbë është së paku dy herë më i vogël se ai i para vitit 1991. Në komunën e Bujanocit, ku bënë pjesë Bilaçi, çdo vit regjistrohen 35 deri 45 më pak nxënës. Edhe gjimnazi ‘Skenderbeu’ në Preshevë, sivjet, sikur edhe viteve të kaluara, ka një paralele më pak.

Kur tapallon Byroni: Nga shkallët e Maltës te “Luani” i Janinës!
Lexo po ashtu Kur tapallon Byroni: Nga shkallët e Maltës te “Luani” i Janinës!

Numri i serbëve të mbetur në Bilaç është i parëndësishëm, kurse i romëve ka rënë në zero. Një gjendje e tillë nuk është edhe shenjë e mirë. Në një vend siç është Bilaçi, ku nuk ka serbë dhe romë, nuk ka as ekonomi. Prandaj, në shikim të parë Bilaçi është shndërruar në një vend të parëndësishëm. Megjithatë, siç na rrëfen historia, ky vend nuk ka qenë gjithmonë kështu.

Bilaçi është një vendbanim i rëndësishëm që njihet që nga shekulli XIV. Për shkak se gjendej në mes Maqedonisë dhe Serbisë, u bë pikë e njohur në rrugën tregtare veri-jug të Perandorisë Otomane të pjesës evropiane. Vendit iu shtua rëndësia ekonomike dhe ushtarake pas Kongresit të Berlinit (1878) kur kufiri u vendos jo larg Bujanocit. Vendi u vërshua nga refugjatët shqiptarë që i largoi Serbia me dhunë dhe Bilaçi u shndërrua në qytet. Bilaçi u bë edhe më i rëndësishëm kur aty u stacionua kazerma ushtarake otomane që e kishte për qëllim ruajtjen e kufirit të ri. Për këtë arsye, Bilaçi u bë qendër e njohur tregtare me dyqanet e shumta dhe të rëndësishme për shqiptarët e atij rajoni, por edhe për pushtetin otoman dhe ishte vend që frekuentohej shumë shpesh nga shitblerësit. Këtu duhet kërkuar burimin e anekdotës ‘si Syla n’Bilaç’ e cila ilustron shkuarjen pa arsye në një qytet me plot dyqane ose udhëtimin e paqëllimtë të njeriut.

Malta, vendi ku historia shihet e shtresuar (Foto)
Lexo po ashtu Malta, vendi ku historia shihet e shtresuar (Foto)

Vendasit e kësaj ane kanë dëshirë ta përkujtojnë edhe një personazh interesant, kësaj radhe jofiktiv, i cili ka jetuar në Bilaç nga fillimi i shekullit XIX deri në pjesën e dytë të këtij shekulli. Fjala është për Deli Agushin, një bandit i zakonshëm, i cili herët kishte rënë në konflikt me ligjin. Por, Deli Agushi, sikur edhe shumë shqiptarë tjerë, përfundoi si hero për shkak se u vra në Bilaç i rrethuar në shtëpinë e tij pas një rebelimi të pasuksesshëm që kishte organizuar kundër pushtetit otoman. Prandaj, për Deli Agushin u kënduan këngë dhe një valle mori emrin e tij. Kjo pjesë është e rëndësishme edhe për folklorin shqiptar, por sot në botën tonë të kapluar nga tallavaja, kjo këngë dhe valle kanë kaluar pothuajse në harresë të plotë.

Gjatë Luftërave Ballkanike (1912-1913) Bilaçi dhe tërë rajoni që sot njihet si Lugina e Preshevës ka vuajtur nga krimet serbe sikur çdo rajon tjetër shqiptar. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore (1941) dhe pas kapitullimit të shpejtë të Mbretërisë së Jugosllavisë, Lugina e Preshevës dhe një pjesë e Kosovës kanë qenë nën sundimin e Bullgarisë i cili shtet ishte radhitur në anën e forcave nazifashiste. Por, në vitin 1944 bullgarët u detyruan të tërhiqen nga këto territore të cilat ranë nën qeverisjen shqiptare.

Tri tregimet e një qyteti
Lexo po ashtu Tri tregimet e një qyteti

Edhepse territori ishte i banuar në mënyrë dominuese me shqiptarë, çetnikët, më vonë edhe partizanët serbë, duke mos u pajtuar me këtë fakt, e sulmuan vendin të cilin e mbronin shqiptarët vullnetarë. Me këtë rast hekurudha ka qenë kufiri dhe vija e frontit të luftës shqiptaro-serbe. Duke e mbrojtur këtë kufi kanë dhënë jetën shumë shqiptarë që shkuan nga Kosova e sotme. Në mesin e tyre ka rënë edhe gjyshi im, emrin e të cilit e mbaj unë. Gjyshi im ishte plagosur për vdekje në një kundër-sulm që kishte për qëllim futjen e Bilaçit nën kontroll shqiptar. Në vitin 1945 kufiri qe thyer nga forcat partizane të cilat depërtuan në malësinë e Karadakut dhe në shenjë hakmarrjeje kryen masakra të tmerrshme ndaj popullatës shqiptare.

Duke besuar në parullën ‘vëllazërim-bashkim’, disa shqiptarë të kësaj ane qenë bashkuar me partizanët komunistë. Në mesin e tyre është dalluar Avdulla Presheva si udhëheqës i lartë i luftës ‘çlirimtare’, i cili më vonë qe shpallur hero i Jugosllavisë socialiste. Por, për shqiptarët, komunistët serbë kishin qëndrim të njëjtë me çetnikët. Ata nuk lejuan depërtimin dhe përparimin e elitës shqiptare në mesin e tyre dhe, si rezultat, Avdulla Presheva u helmua nga ‘shokët’ e tij serbë dhe vdiq në Vrajë mu në përfundim të luftës. Këto ngjarje janë të përshkruara në romanin ‘Tradhtia’ të autorit kontrovers, Resul Kapllanit, i cili sot lirisht mund të quhet edhe si i luajtur mendsh. Megjithatë, romani është i shkruan me një stil për t’i patur lakmi, kurse ngjarja është e vërtetë.

Fshati Shqiptar – Arnavutköy, dhe historia e çuditshme e asimilimit: Kur shqiptari u bë grek në Stamboll
Lexo po ashtu Fshati Shqiptar – Arnavutköy, dhe historia e çuditshme e asimilimit: Kur shqiptari u bë grek në Stamboll

Sidoqoftë, hekurudha që përshkon Luginën e Preshevës është ndërtuar në mes dy luftërave botërore me qëllim që të lidhet Nishi me Shkupin apo Beogradi me Selanikun. Vija hekurudhore u ndërtua afër Bujanovcit dhe Preshevës dhe këto dy qytete kaluan në epërsi ndaj Bilaçit. Epërsia u shtua edhe më shumë kur në fund të viteve ‘60-të të shekullit të kaluar, u ndërtua edhe autostrada ‘Vëllazërim Bashkim’ që ishte projekt i Titos e që kalonte nëpërmes Jugosllavisë me qëllim që të lidhej territori nga Jesenica në Gjevgjeli. Këto dy projekte të mëdha ishin shenja të përparimit, por ky rajon mbeti ndër më të varfrit për shkak se shteti jugosllav nuk bëri asnjë investim të rëndësishëm. Prandaj, banorëve shqiptarë u mbeti të jetonin të diskriminuar dhe të vazhdonin të mbijetonin në tokat e tyre duke u marrë me bujqësi ekstenzive.

Megjithatë, nga vitet e ’70-‘90-ta, e tërë Lugina e Preshevës, sidomos Bilaçi, duke u gjetur gjeografikisht në mes Preshevës dhe Bujanocit, shënoi një rritje të popullsisë
shqiptare të cilët aty erdhën nga fshatrat përreth. Fillimi i viteve të ‘90-ta, koha kur filloi edhe zhbërja e Federatës jugosllave, solli një fazë stagnuese. Situata e luftës në Kosovë u reflektua negativisht edhe në këtë rajon. Pozita e vështirë e shqiptarëve e solli luftën e viteve 2000-2001 e cila përfundoi pa ndonjë përmirësim të pozitës së rëndë ekonomike, sociale dhe nacionale të shqiptarëve.

Udhëpërshkrim: Shkupi dhe Stambolli gjatë Ramazanit
Lexo po ashtu Udhëpërshkrim: Shkupi dhe Stambolli gjatë Ramazanit

Pas kësaj lufte Serbia mori obligime që ta përmirësonte gjendjen, por nuk konkretizoi asgjë. Madje, edhe qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës qenë zotuar se do të ndihmonin Luginën e Preshevës në aspektin kulturor dhe shëndetësor. Në vitin 2014 këto dy qeveri, në një mbledhje të përbashkët, deklaruan se kishin ndarë mjete për një spital, por nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Edhe më tutje banorëve të Preshevës, sidomos fshatrave në jug të këtij qyteti, u duhet që për probleme shëndetësore të udhëtojnë deri në Vrajë që është rreth 50 kilometra larg. Viteve të fundit gjendja është vështirësua edhe në fushën administrative. Në drejtim të lënies së vendit pas dore, qeveria e Serbisë e ka tërhequr nga Presheva gjykatën dhe prokurorinë komunale.

Me kalimin e kohës, sidomos pas fillimit të bisedimeve Thaçi-Vuçiq, pushteti serb është kujdesur që ta krijojë efektin e ndjenjës së vështirë te shqiptarët në të gjitha aspektet. Së voni janë ndryshuar tabelat që qëndrojnë në hyrje të fshatrave. Më herët ato kanë qenë të shkruara në dy gjuhë (serbisht dhe shqip) kurse tashti janë vendosur vetëm serbisht dhe në alfabetin cirilik. Autostrada, po ashtu e (ri)ndërtuar së voni, nga Bujanoci në Preshëvë, kalon afër shumë vendbanimeve, po nuk ka asnjë dalje-hyrje në to. Pushteti serb ua tregon shqiptarëve edhe dhëmbët ushtarak. Para disa viteve në mes Bilaçit dhe Bujanocit, Beogradi, sikur otomanët dikur, ka ndërtuar një kazermë të re për të treguar fuqinë ushtarake. Ka vite që është ndërtuar edhe një ‘karakollë’ kufitare apo kazermë e vogël afër fshatit Maxhere, e cila nuk është më larg se dy kilometra nga kufiri me Kosovën.

Shkupit i vjen era shehër
Lexo po ashtu Shkupit i vjen era shehër

Nga biseda me qytetarët e Luginës shihet se ata nuk kanë ndonjë besim as në partitë e tyre politike të cilat nuk kanë mundur të organizohen për të nxjerrë më shumë se një deputet për Parlamentin e Serbisë. Këshilli Nacional Shqiptar është institucion i themeluar nga viti 2010 që ka për qëllim adresimin e nevojave apo problemeve të shqiptarëve, por është shumë më pak i organizuar se ai boshnjak i Sanxhakut. Në zgjedhjet e tetorit për anëtarë të rinj të këtij këshilli, nuk kanë dalë më shumë se 30 për qind të votuesve për ta shprehur interesimin e tyre në ndonjë kandidat.

Shqiptarët e kësaj ane janë në pritje të përfundimit të bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë. Ata shpresojnë se bisedimet do të sjellin fundin e jetës së vështirë që ka sjellë diskriminimi i politikës antishqiptare i Beogradit. Natyrisht që ata e favorizojnë përfshirjen e Luginës në Kosovë. Gjatë tërë historisë ky rajon, së bashku me Kosovën, kanë jetuar gjithmonë në një shtet apo nën një sovranitet të përbashkët nën të cilin janë krijuar të gjitha lidhjet. Nga viti 1999 kur është krijuar kufiri me Kosovën, janë paraqitur probleme të mëdha për njerëzit e kësaj ane. Lugina e Preshevës, në të gjitha aspektet, është Kosovë por jashtë saj.

Megjithatë, banorët shqiptarë të Luginës, së bashku me politikanët e tyre, ndjehen të injoruar nga politika e Kosovës nga e cila presin shumë. Me këdo që bisedoni, merrni vesh se kërkohet një trajtim më serioz për ta dhe vendin e tyre. ‘Formula’ e Hashim Thaçit që thotë se bisedimet me Serbinë do të përfundojnë me Kosovën sovrane duke e ruajtur tërësinë territoriale dhe duke e përfshirë brenda Luginën e Preshevës, nuk ka kuptim për njerëzit e kësaj ane. Atyre nuk u është ofruar ndonjë udhërrëfim që del nga këto bisedime apo ndonjë rezultat i qartë. Nga kjo, bisedimet për ta duke të kota. Prandaj, shkuarja e Hashim Thaçit në Bruksel për të biseduar në këtë mënyrë, në Luginën e Preshevës shihet si shkuarja e Sylës në Bilaç. /Telegrafi/