LAJMI I FUNDIT:

Në vendin e kukuvajkave po ndalet ora

Në vendin e kukuvajkave po ndalet ora

Kur udhëtoni nga veriu i Zvicrës për në jugperëndim të këtij vendi, arrini në Biel-Bienne. Qyteti i ka dy emra dhe paralajmëron fundin e rajonit gjermanofon apo fillimin e atij frankofon. Është qytet dygjuhësh, sikur Montreali në Kanadë ku takohet Kuebeku frankofon me pjesën dominuese anglofone.

Biel-Bienne është ‘tabelë’ paralajëmruese për hyrjen në pjesën dominuese frankofone të Zvicrës. Pastaj, hyni në Neuchâtel që është emri i kantonit, kryeqytetit të tij dhe liqenit. Neuchâtel është qytet mesjetar dhe, si shumica e qyteteve zvicerane, është i bukur dhe historik. Qyteti shtrihet në shpatin e një kodre me pjertësi mjaft të madhe ku jetojnë 32,000 banorët e saj. Kështjella mesjetare e qytetit është selia e qeverisë kantonale. Nga liqeni qyteti duket madhështor. Rrugët duken si vija horizontale mbi të cilat qëndrojnë shtëpitë impozante të madhësive të ndryshme. Është sikur kur i vrojton tribunat spektakolare të një stadiumi madhështor që ofron shfaqje solemne.

Shikimi nga ana e kundërt, nga dritaret apo ballkonet e shtëpive, është edhe më i veçantë. Horizonti ndahet në katër shtresa. Pas ujit të liqenit, i cili shkëlqen nga rrezet e diellit, fillon një shtresë e gjelbër mbi të cilën ngitet vargu i pafund i maleve të mbuluara me borë pas të cilave gjenden qytetet, siç janë Bern, Fribourg dhe Lausanne. Thepat e bardha të maleve e cenojnë sovranitetin e qiellit. Mbrëmja dhe mëngjesi e zbukurojnë edhe më shumë këtë pamje. Është sikur një pikturë e rrallë e punuar nga ndonjë mjeshtër i madh që ka për qëllim kënaqjen e syrit të çdo shikuesi.

Në fundin e javës së dytë të shkurtit, moti në Neuchâtel i përngjan vjeshtës së vonë. Nuk është ftohtë dhe nuk ka as borë. Nga Neuchâtel, kur ngjiteni maleve të Juras, në drejtim të kufirit me Francën dhe në një lartësi 1,000 metra mbi det, gjendet qyteti La Chaux-de-Fonds që ka rreth 39,000 banorë. La Chaux-de-Fonds është botë tjetër, edhe pse nuk është më larg se 19 kilometra nga Neuchâtel. Këtu mbretëron dimër i vërtetë zviceran. Qytetin e ka mbuluar një trashësi e madhe e borës e cila vazhdon të ngritet. Në shkurt, trashësia e borës është 25.43 centimetra.

Në Zvicër, për të gjitha masat, sidomos për kohën, flitet dhe veprohet me precizitet. Qyteti njihet edhe për faktin se aty ka të reshura të borës edhe gjatë verës. Është mjaft e zakonshme nëse aty bie borë edhe gjatë qershorit. Statistikat zvicerane, natyrisht edhe këto të sakta, shënojnë se trashësia e borës në qershor arrin deri në një milimetër. Temperatura mesatare vjetore është dy gradë Celsius.

Në katin e parë të ndërtesës 14-katëshe të arkitekturës moderne që ka pamje cilindrike e që ngritet në anën e majtë të ‘Avenue Léopold Robert’, gjendet zyra e informatave turistike. Dy vajza të reja, të cilat qëndrojnë pas tavolinës së recepcionit, ngriten në këmbë. Pyetjes sime ‘çka ka të vizitohet në këtë qytet?’, i përgjigjet vajza me pamje aziatike dhe tejet tërheqëse e cila flet një anglishte të përsosur. ‘Kam studjuar në Londër’ – thotë ajo me mburrje.

Rutina e propozuar që përfshin vizitën e pikave të rëndësishme të qytetit bëhet duke ecur këmbë. Vajzat më shikojnë me habi. Jashtë bie borë me fërfëllizë. Veshmbathja ime nuk është për kushtet klimatike alpine. Me siguri u përngjaj në një turist i cili gabimisht ka rënë aty me parashutë nga aeroplani. Ndoshta kjo është arsyeja që ato më shikojnë me habi. Sidoqoftë, vendet që meritojnë të vizitohen në La Chaux-de-Fonds janë të shumta.

Nuk duhet shumë kohë për të vërejtur se qytetit i mungon shkëlqimi që e vëren në vendet tjera të Zvicrës. La Chaux-de-Fonds nuk i ka punët mirë sikur qytetet tjera në pjesët gjermane apo italiane. Papunësia në këtë qytet shënon shifrën 8.2 për qind që është nivel i lartë krahasuar me mesataren e Zvicrës që është 3.2 për qind. Si rrjedhojë, një pjesë e rinisë largohet për të jetuar gjetiu. La Chaux-de-Fonds është pjesa e fshehur e Zvicrës. Me fjalë tjera, është vend i prapambetur. Megjithatë, deri vonë, ky vend ka luajtur rol të madh jo vetëm në ekonominë dhe politikën e Zvicrës po edhe në atë botërore.

Le Locle është një qytezë që gjendet vetëm tetë kilometra larg nga La Chaux-de-Fonds. Kjo hapësirë njihet për atë që njihet e tërë Zvicra: prodhimi i orëve. Ky është vendi që e ka vënë Zvicrën në hartë. Prandaj, vendi quhet edhe si ‘Watch Valley’ (Lugina e Orëve). Këtu prodhohen shumica e orëve, si: Breitling, Ebel, TAG, Rolex, Omega, Parmigiani, Tissot, Zenit dhe shumë lloje tjera. Prodhimi i orëve ka filluar në shekullin XVIII, por është zgjeruar në fillim të shekullit XIX duke u shndërruar në industri të rëndësishme. Që nga kjo kohë, La Chaux-de-Fonds dhe Le Locle, kanë hyrë në historinë e Zvicrës dhe në atë të botës. Për shkak të këtyre dy qyteteve, Zvicra filloi të njihej për orët e dorës dhe sidomos për ato të murit që quhen ‘kukuvajka’.

Prodhimi i orëve solli ndryshime të mëdha jo vetëm në ekonominë dhe në politikën e Zvicrës edhe në atë të botës. Kompanitë e prodhimeve të orëve, me kalimin e kohës, zgjeruan numrin e punëtorëve dhe si rrjedhojë edhe organizimin politik të punëtorëve në esnafe dhe sindikata. Nga Parisi, Revolucioni Francez i vitit 1848, krijoi efekte në La Chaux-de-Fonds. Vetëm disa ditë pas revolucionit, ithtarët e republikës, së bashku me zejtarët dhe punëtorët, u mblodhën në sheshin e La Chaux-de-Fonds dhe e shpallën vendin Republikë. E shkarkuan qeverinë lokale dhe e zgjodhën qeverinë e përkohshme të Republikës. Ky akt ishte tërësisht kundër aristokracisë feudale zvicerane dhe u cilësua si rrezik ndaj integritetit të atëhershëm të konfederatës së brishtë të Zvicrës por, në realitet, siç dëshmoi koha, ndikoi në forcimin e shtetit zviceran. Pasojat u hetuan edhe në politikën evropiane. Rusia hoqi dorë nga njohja e neutralitetit të Zvicrës dhe me këtë u dha shenja shteteve përreth se, nëse dëshironin, mund të okuponin pjesë të konfederatës. Por, gjërat rrodhën në dobi të zviceranëve dhe subjektiviteti ndërkombëtar i shtetit të tyre vetëm sa u forcua më shumë.

Revolucioni që u zgjerua në tërë Evropën krijoi efekte edhe gjetiu në Zvicër. Zviceranët e mënjanuan sistemin feudal dhe i vunë themelet e sistemit të ri, atij kapitalist. Fal manifakturës së orëve, e cila u shndërrua në industri, La Chaux-de-Fonds ishte ndër qytetet e rralla që kishte klasë punëtore dhe borgjeze të organizuar në nivel të lartë. Organizimit i sistemit të punës ishte aq me ndikim sa që e impresionoi dhe e shtyri Karl Marxin ta studionte këtë fenomen dhe ta analizonte në veprën e tij ‘Kapitali’. Marxi e quajti La Chaux-de-Fonds si një ‘Qytet-Fabrikë’ me ç’rast e analizoi ndarjen e punës, fitimin apo profitin, në industrinë e orëve dhe pasojat në shoqëri dhe politikë.

La Chaux-de-Fonds vazhdoi të luante rol të madh në organizmin e klasës punëtore dhe në ndikimin e ideologëve të parë komunist sa që kjo u vërejt dukshëm në ‘Internacionalen e Parë’ ku ‘Federata e Jurës’ përfaqësoi fraksionin bakunist të anarkistëve. Që nga atëherë e deri sot pushteti lokal në këtë anë të Zvicrës, në mënyrë dominuese, është qeverisur nga partitë e majta.

La Chaux-de-Fonds nuk është i njohur vetëm për kukuvajka. Ky qytet ka luajtur rol të madh edhe në zhvillimin e kapitalizmit. Aty ka lindur Louis Chevrolet (1878-1915) i cili migroi në SHBA për të themeluar ‘Chevrolet Motor Car Company’ nga ku doli automobili ‘Chevrolet’ i cili më vonë u bë ndër më të përhapurit apo më të shiturit në botë.

Një nga personalitetet tjera të rëndësishme që ka dhënë ky qytet është edhe Charles-Édouard Jeanneret, i njohur më shumë me emrin Le Corbusier (1887-1965). Le Corbusier ka qenë piktor, shkrimtar, dizajner, por më shumë i njohur si arkitekt i cili konsiderohet si ndër pionierët e parë të arkitekturës moderne. Veprat e tij sot qëndrojnë si objekte të çmueshme në tërë botën, përfshirë edhe qytetin e tij të lindjes.

Sot, përkundër tërë këtyre kontributeve, La Chaux-de-Fonds është duke përjetuar momente të vështira. Vendit të kukuvajkave po i ndalet ora. Pasojat ndjehen në tërë Zvicrën. Zhvillimi i hovshëm i elektronikës e ka zhdukur nevojën për të mbajtur orë në xhep, dorë dhe shtëpi. Në vitin 2009 eksporti i orëve zvicerane ka rënë në 25 për qind më pak se viteve tjera. Kjo gjendje qe përmirësuar me tregun e Kinës por u keqësua sërish gjatë dy viteve të fundit. Gjatë vitit 2017 eksporti i orëve ka qenë dy miliardë franga zvicerane më pak se një vit më herët.

Rënia e prodhimit të orëve, sipas të gjitha gjasave, do të vazhdojë. Por, është vështirë të besohet se kjo gjë do të sjell krizë serioze në Zvicër. Ka gjasa që digjitalizimi i elektronikës do të jetë i pamëshirshëm ndaj orës sikur ndaj fotografisë dhe profesionit të fotografit të cilat pothuaj se i ka zhdukur sikur edhe disa profesione tjera. Megjithatë, ora është diçka tjetër. Është prodhim i lidhur ngushtë me jetën, ekonominë, traditën dhe mburrjen e zviceranëve. Preciziteti, sidomos ai i kohës, është pothuajse ‘prodhim’ zviceran dhe matet me orë. Ora, në shumë aspekte, është emblemë e Zvicrës. Si do t’ia bëjnë zviceranët pa orë?

Sidoqoftë, preciziteti zviceran nuk ka gjasa të pësojë ndonjë ndryshim serioz. Nga Neuchâtel deri në Dietikon tri herë e ndërrova trenin. Treni vinte e shkonte në kohën (minutat) siç figuronin në letrën (orarin) të cilën ma dhanë në informacion. Në destinacionin tim, treni u ndal dhe i hapi dyert siç parashihej dhe siç tregonte ora në platformë: 10:39. /Telegrafi/