LAJMI I FUNDIT:

Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, zotohet ta copëtojë vendin pavarësisht paralajmërimeve amerikane

Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, zotohet ta copëtojë vendin pavarësisht paralajmërimeve amerikane

Udhëheqësi separatist i serbëve të Bosnjës u zotua të vazhdojë ta dobësojë vendin e tij që ende vuan plagët e luftës deri në pikën kur do të copëtohet, pavarësisht nga një zotim i Shteteve të Bashkuara për ta parandaluar një gjë të tillë.

“Unë nuk jam joracional, e di se përgjigja e Amerikës do të jetë përdorimi i forcës … por nuk kam asnjë arsye që të trembem nga kjo për të sakrifikuar interesat kombëtare (serbe)”, tha të premten në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press, Milorad Dodik, presidenti i Republikës Serbe.


Ai tha se çdo përpjekje për të shfrytëzuar ndërhyrjen ndërkombëtare për të forcuar më tej institucionet e përbashkëta shumetnike të Bosnjës do të përballet me vendimin e serbëve të Bosnjës për t’i braktisur plotësisht ato dhe për ta kthyer vendin në gjendjen e përçarjes dhe mosfunksionimit, siç ishte në fund të periudhës së luftës brutale ndëretnike të viteve 90.

Për shkak se demokracitë perëndimore nuk do të jenë dakord me këtë, shtoi ai, “në periudhën tjetër, ne do të detyrohemi nga reagimi i tyre të shpallim pavarësinë e plotë” të rajoneve të Bosnjës të kontrolluara nga serbët.

Lufta në Bosnjë filloi në vitin 1992 kur serbët e Bosnjës të mbështetur nga Beogradi u përpoqën të krijonin një rajon “etnikisht të pastër” me synimin për t’u bashkuar me Serbinë fqinje, duke vrarë dhe dëbuar kroatët dhe boshnjakët e vendit, të cilët janë kryesisht myslimanë. Më shumë se 100,000 njerëz u vranë dhe më shumë se 2 milionë, ose mbi gjysma e popullsisë së vendit, u dëbua nga shtëpitë, përpara se të arrihet një marrëveshje paqeje në Dejton të Ohios në fund të vitit 1995.

Marrëveshja e ndau Bosnjën në dy entitete, Republikën Serbe të drejtuar nga serbët dhe Federatën Boshnjako-Kroate, të cilave iu dha autonomi e gjerë, por mbetën të lidhura nga disa institucione të përbashkëta shumetnike. Marrëveshja themeloi gjithashtu Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë, një organ ndërkombëtar i ngarkuar me mbrojtjen e zbatimit të marrëveshjes së paqes, të cilit iu dhanë përgjegjësi të gjera për të vendosur ligje ose për të shkarkuar zyrtarët që dëmtojnë ekuilibrin e brishtë etnik të pasluftës, duke përfshirë gjyqtarët, nëpunësit civilë dhe anëtarët e parlamentit.

Gjatë viteve, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, ka ushtruar trysni ndaj udhëheqësve etnikë të Bosnjës që të ndërtojnë institucione të përbashkëta mbarëkombëtare, duke përfshirë ushtrinë, agjencitë e zbulimit dhe sigurisë, gjyqësorin e lartë dhe administratën tatimore. Megjithatë, forcimi i mëtejshëm i institucioneve ekzistuese dhe krijimi i të rejave është i nevojshëm nëse Bosnja do të përmbushë synimin e saj të deklaruar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Milorad Dodiku u shfaq i pashqetësuar të premten nga deklarata e postuar një ditë më parë në rrjetin X, i njohur më parë si Twitter, nga James O’Brien, ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, se Uashingtoni do të veprojë nëse dikush përpiqet të ndryshojë “elementin bazë “ të marrëveshjes së paqes së vitit 1995 për Bosnjën dhe se askush nuk ka “të drejtë shkëputjeje”.

“Në mesin e serbëve, një gjë është e qartë dhe kjo është një ndërgjegjësim në rritje se vitet dhe dekadat përpara nesh janë vitet dhe dekadat e bashkimit kombëtar serb”, tha ai.

“Brukseli po e përdor premtimin për anëtarësimin në BE si një mjet për të unitarizuar Bosnjën”, tha politikani pro rus duke shtuar se “në parim, politika jonë është ende se ne duam të anëtarësohemi por nuk e shohim atë si alternativën tonë të vetme”.

BE-ja, tha ai, “e dëshmoi se është e aftë të punojë kundër interesave të veta” duke u rreshtuar përkrah Uashingtonit kundër Moskës kur Rusia filloi agresionin e saj në Ukrainë.

Udhëheqësi serb Dodik, i cili ka bërë thirrje për shkëputjen e entitetit serb nga pjesa tjetër e Bosnjës për më shumë se një dekadë, është përballur me sanksionet britanike dhe amerikane për politikat e tij, por gëzon mbështetjen e Rusisë.

Ekziston frika e përhapur se Rusia po përpiqet të destabilizojë Bosnjën dhe pjesën tjetër të rajonit për të zhvendosur të paktën një pjesë të vëmendjes botërore nga lufta e saj në Ukrainë.

“Pavarësisht nëse duan apo ajo Shtetet e Bashkuara dhe Britania, ne do ta shndërrojmë kufirin administrativ (midis dy entiteteve të Bosnjës) në kufirin tonë kombëtar”, tha Milorad Dodik. /VOA/

Në trend Botë

Më shumë
Inxhinierët ukrainas prodhojnë dronin që do të përdoret si nëndetëse për të sulmuar luftanijet ruse

Inxhinierët ukrainas prodhojnë dronin që do të përdoret si nëndetëse për të sulmuar luftanijet ruse

Evropa
Pamje që tregojnë momentin kur ukrainasit 'fshijnë nga faqja e dheut' pjesë të sistemit rus që kushton 5 milionë dollarë

Pamje që tregojnë momentin kur ukrainasit 'fshijnë nga faqja e dheut' pjesë të sistemit rus që kushton 5 milionë dollarë

Botë
Hamasi publikon video të dy pengjeve të rrëmbyer më 7 tetor

Hamasi publikon video të dy pengjeve të rrëmbyer më 7 tetor

Azia
Strela 10, mbrojtja kundërajrore ukrainase rrëzon dronin rus – pamje nga aksioni

Strela 10, mbrojtja kundërajrore ukrainase rrëzon dronin rus – pamje nga aksioni

Evropa
NASA dhe Nokia po dërgojnë rrjetin 4G në hapësirë - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin?

NASA dhe Nokia po dërgojnë rrjetin 4G në hapësirë - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin?

Botë
Ukraina tërheq nga vijat e frontit tanket amerikane Abrams për shkak të kërcënimeve nga dronët rus

Ukraina tërheq nga vijat e frontit tanket amerikane Abrams për shkak të kërcënimeve nga dronët rus

Botë
Kalo në kategori