LAJMI I FUNDIT:

Udhëheqësi i ardhshëm i Gjermanisë do të jetë vendimtar për ekonominë e vendit

Udhëheqësi i ardhshëm i Gjermanisë do të jetë vendimtar për ekonominë e vendit

Me largimin e kancelares gjermane Angela Merkel pas zgjedhjeve të ardhshme federale, përparësitë e vendit mund të ndryshojnë në mënyrë dramatike.

Është pothuajse e sigurt se qeveria e ardhshme do të jetë një koalicion, por ajo që është më pak e sigurt është se cilat parti do të krijojnë ose do të dominojnë një aleancë qeverisëse.


Forma e koalicionit të ardhshëm do të ketë padyshim një ndikim të madh në ekonominë gjermane, e cila është më e madhja në Evropë. Në vitin 2019, pothuajse një e katërta e Prodhimit të Brendshëm Bruto të BE-së u krijua nga Gjermania.

Sondazhet tregojnë se Partia Social Demokratike mbetet në krye me 25 për qind të votave, aleanca konservatore në pushtet CDU-CSU, aktualisht ka 22 për qind të votave. Partia e Gjelbër, mbetet mbrapa me 15 për qind të votave.

83 për qind e ekonomistëve gjermanë besojnë se niveli më i ulët i rritjes ekonomike do të ishte produkt i një koalicioni nga SPD, Partia Die Linke dhe të Gjelbrit, raporton Monitor.

77 për qind e ekonomistëve thanë se prisnin që, përveç rritjes më të ulët ekonomike, një koalicion i tillë do të çonte në shkallën më të lartë të papunësisë dhe 86 për qind besonin se do të rriste borxhin kombëtar. Megjithatë, 55 për qind e ekonomistëve gjithashtu besojnë se një aleancë e tillë e majtë do të arrinte reduktimin më të madh neto në pabarazinë e të ardhurave.

44 për qind e ekonomistëve besojnë se një koalicion CDU-CSU dhe FDP që është një parti pro-biznesit, do të arrinte normën më të lartë të rritjes ekonomike për Gjermaninë, edhe pse këtij grupi i mungon shumica në sondazhet aktuale.

Një koalicion i tillë do të arrinte shkallën më të ulët të papunësisë, sipas 43 për qind dhe raportin më të ulët të borxhit publik, sipas 73 për qind të ekonomistëve.

Nëse formohet një koalicion midis CDU-CSU, FDP dhe të Gjelbërve, ekonomistët besojnë se efektet në rritjen, pabarazinë, raportin e borxhit publik, shkallën e papunësisë dhe emetimet e karbonit do të ishin më të përmbajtura.

Më pak se një javë përpara zgjedhjeve federale të 26 shtatorit, Social Demokratët vazhdojnë të kryesojnë në sondazhe. Sidoqoftë, aleanca e krishterë duket se ka rimarrë terren. Por edhe nëse SPD-ja fiton, kjo nuk do të thotë domosdoshmërish se ministri i financave Olaf Scholz do të bëhet kancelari i ardhshëm; kandidati nga CDU/CSU, Armin Laschet ende mund të përpiqet të tejkalojë Scholz, për shembull duke u përpjekur të formojë një qeveri alternative me të Gjelbrit dhe Liberalët e qendrës së djathtë (FDP). /Telegrafi/