Deklarata e deputetit Fatos Geci se Hashim Thaçin e pret fati i Naim Murselit, me burgim të përjetshëm, ka ngjallur reagime të shumta në vend.

Për këtë deklaratë kanë reaguar edhe nga familja Geci.


Nehat Geci, vëllai i Gani Gecit, ka thënë se Ilir Kërçeli e ka shkruar fjalimin e Fatos Gecit ku uron burgim të përhershëm të Hashim Thaçit. Këtë informacion Geci ka thënë se e ka marr personalisht nga Fatos Geci.

Por, lidhur me këtë kishte reaguar edhe vetë Fatos Geci duke thënë që të mos spekulohet pasi fjalimin e ka shkruar vetë.

E për shkak se i është përfolur emri ka reaguar edhe vetë Ilir Kërçeli.

Kërçeli në një video të publikuar në Facebook thotë se ai ka vizituar të burgosurit në Hagë, ka votuar pro buxhetit shtesë për të akuzuarit dhe se ka marr pjesë në protestat për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata e Hagës.

“Sot në mëngjes lexova disa deklarata ku është lakuar emri im. Sa i përket fjalimit deputetit ka reaguar duke treguar se fjalimin e ka shkruar vet. Sa më përket mua për qëndrimin tim për krerët e UÇK-së në Hagë, dihet publikisht.

Kam qenë në vizitë në Hagë në vitin e parë të paraburgimit ku kam vizituar të gjithë të paraburgosurit, një nga një. Në dy protestat e organizuara kam bërë thirrje publike për pjesëmarrje, e kam marr pjesë edhe vet.

Para disa jave në Komisionin për buxhet dhe financa kam votuar për buxhet shtesë për të akuzuarit në Hagë. E lutem sot, dje e çdo ditë që sa më parë të lirohen e të kthehen pranë familjarëve të tyre.

E ndjeve obligim moral këtë sqarim edhe pse dihet botërisht”, tha ai. /Telegrafi/