Nehat Geci, vëllai i Gani Gecit, ka thënë se Ilir Kërçeli e ka shkruar fjalimin e Fatos Gecit ku uron burgim të përhershëm të Hashim Thaçit.

Këtë informacion Geci thotë se e ka marrë personalisht nga Fatos Geci.


“Sot rreth orës 13:50 isha në një kafiteri në Skenderaj duke pirë kafe së bashku me dy nipërit e mi, Artonin (vëllanë e Fatosit) dhe Festimin. Gjatë një bisede telefonike me Fatosin, ai më tregoi personalisht se fjalimin që ka mbajtur në Kuvend ia ka shkruar deputeti i VV-së, Ilir Kërçeli, të cilin unë në fakt nuk e njoh fare".

"Pas kësaj, bëra një hulumtim të shkurtër për të parë se kush eshte Ilir Kërçeli dhe gjeta ketë foto. Kjo është e vërteta e kësaj historie. Këtë bisedë e kanë kuptuar edhe Artoni dhe Festimi”, ka shkruar Geci.

Më parë, Fatos Geci shkroi se fjalimin e ka shkruar vetë, duke i quajtur spekulime pretendimet, përfshirë edhe deklaratën e xhaxhait të tij Gani Gecit.

“Unë i kam shkruar vetë ato fjali në mënyrë spontane, në momentin kur deputeti i PDK-së tha se po friksohemi nga Thaçi. Jepini fund këtyre lojërave”, ka shkruar Fatos Geci.

Fatos Geci në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit më 21.04.2026, pasi përshëndeti dënimin ndaj Naim Murselit me burgim të përjetshëm, tha se të njëjtin fat do ta ketë edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Gjykatën Speciale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Deklarata e Fatos Gecit në Kuvend nxiti reagim të menjëhershëm nga deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila e cilësoi të papranueshme gjuhën e përdorur në foltoren e Kuvendit.