Në prill të vitit 1943, Dr. Albert Hofmann zbuloi aksidentalisht efektet halucinogjene të LSD-së. Në vitin 1986, ai i tregoi BBC-së për një udhëtim [trip] “të frikshëm” me biçikletë - nga laboratori për në shtëpi - dhe për mënyrën se si droga e tij e ndryshoi botën.

Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com


“Në fund të sintezës, u gjenda në një gjendje shumë të çuditshme psikike. U shfaq një lloj bote ëndrrash, një ndjenjë e të qenit një me botën”. Dr. Albert Hofmann, kimist zviceran, ka punuar në një eksperiment rutinor në një firmë farmaceutike në qytetin e Bazelit, kur ai bëri një zbulim të rastësishëm që ndryshoi botën. Përvoja e tij e parë me atë që do të njihej si LSD ishte e lehtë dhe intriguese. Vendimi i tij për të marrë drogën psikedelike tri ditë më vonë rezultoi në vizione të frikshme dhe në një nga udhëtimet [trip] më të pazakonta me biçikletë ndonjëherë.

Historia filloi të premten, më 16 prill 1943, kur Hofmanni po përgatiste një sasi të re të dietilamidit të acidit lizergjik, një përbërje që ai e kishte sintetizuar për herë të parë para pesë vjetësh. 37-vjeçari i kishte studiuar bimët mjekësore duke kishte eksperimentuar me ergotin, një kërpudhë që rritet në drithëra, për të parë nëse ilaçi i nxjerrë prej saj mund t’i ndihmonte lehonat të parandalonin gjakderdhjen pas lindjes. Për shkak të emrit të saj në gjermanisht, Lysergsäurediethylamid, përbërja tani njihet më mirë si LSD.

- YouTube

I intervistuar në BBC në vitin 1986, Hofmanni tha se përvoja e tij e parë e papritur me drogën ia kujtoi momentet “mistike” të fëmijërisë në pyje dhe nëpër drurë. Ndjesia e “të parit të aspekteve të vërteta të natyrës, bukurisë” e mbushi atë me lumturi. Hofmanni pyeti veten nëse kjo gjendje e këndshme dhe ëndërrimtare ishte në njëfarë mënyre e lidhur me kristalet e LSD-së që ai kishte qenë duke i pastruar. Ndërsa ai nuk kishte marrë asgjë me qëllim nga ajo përbërje, ai mund të ketë marrë një pjesë të saj në gishta. Kjo nënkuptonte se substanca ishte shumë e fuqishme. Ai vendosi ta zbulonte duke eksperimentuar mbi veten kur të kthehej në punë të hënën.

I kujdesshëm nga natyra, filloi me atë që mendonte se ishte doza më e vogël që mund të kishte ndonjë efekt. “Fillova me 0.25 miligramë”, kujtoi ai, duke planifikuar të rriste sasinë vetëm nëse nuk ndodhte asgjë. “Por, kjo dozë shumë e vogël, doza e parë e eksperimenteve të mia që planifikova, ishte shumë, shumë e fortë”, tha ai. Pasi mori drogën, Hofmanni filloi të ndihej keq dhe u kthye në shtëpi me biçikletë - në mënyrë të çrregullt nëpër rrugët e Bazelit. Ndërsa udhëtimi vazhdonte, gjërat u bënë të çuditshme. Shikimi i tij u shtrembërua sikur po shikonte në një pasqyrë panairi. Në kohën kur arriti në shtëpi, ndjenja e tij e realitetit ishte shpërbërë.

Kur Hofmanni hyri në dhomën e ndenjjes, ai u trondit se si plotësisht dukej se kishte ndryshuar. “Vetë dhoma dhe objektet në këtë dhomë kishin një formë krejtësisht tjetër, ngjyrë tjetër, kuptim tjetër”, i tha ai BBC-së. Edhe një karrige e zakonshme dukej si një “objekt i gjallë”, sikur po lëvizte nga brenda. “Kjo ishte aq e pazakontë saqë unë vërtet u tremba se isha çmendur”, tha ai.

Halucinacionet e çuditshme vazhduan gjatë gjithë mbrëmjes. Një fqinje e sjellshme që i solli qumësht si kundërhelm i dukej se ishte shndërruar në shtrigë. “Në disa momente, Hofmanni ndjente sikur kishte vdekur dhe kishte arritur në Ferr”, tha reporteri i BBC-së. Kimisti veç rreth gjashtë orë pasi mori drogën, për herë të parë filloi të ndiente se po kthehej në botën normale.

I patrazuar nga kjo përvojë alarmuese, ai do të merrte LSD edhe disa herë gjatë dekadave në vijim, për të vëzhguar efektet e saj. Udhëtimi i tij për në shtëpi nga laboratori përkujtohet më çdo 19 prill nga njerëz të frymëzuar nga LSD-ja - qoftë në aspektin shkencor apo krijues. Në vitin 1985, profesori nga Ilinoisi, Thomas B Roberts, për përvjetor krijoi emrin “Dita e Biçikletës”.

Hofmanni raportoi atë që kishte zbuluar te shefi i tij në firmën farmaceutike Sandoz. Nga efekti që LSD-ja pati mbi të, ai llogariti se një lugë çaji do të ishte e mjaftueshme për të ndikuar në 50 mijë njerëz. Ai tha se ai dhe kolegët e tij “e kuptuan menjëherë se ishte një agjent shumë i rëndësishëm që mund të ishte i dobishëm në psikiatri dhe në kërkim”. Sandoz-i filloi ta shpërndante LSD-në në spitale psikiatrike si një ilaç eksperimental të quajtur Delysid. Disa psikiatër e përdorën atë te pacientët për efektet e saj mbi mendjen nënndërgjegjes, duke u mundësuar atyre të çlironin kujtime të shtypura dhe konfliktet mendore.

- YouTube

LSD-ja u përhap në botë

Efektet e kësaj droge të re të fuqishme tërhoqën vëmendjen e ushtrisë amerikane, e cila filloi një program kërkimi tepër sekret të njohur me emrin e koduar MK-Ultra. Një civil që u ekspozua ndaj LSD-së gjatë këtij kërkimi ishte Ken Kesey, i cili më vonë do të shkruante Fluturimin mbi folenë e qyqes [One Flew Over the Cuckoo's Nest]. Ai i tha BBC-së: “Vendosa se kjo ishte çështje shumë e rëndësishme për të mbetur në duart e qeverisë”. I mahnitur nga fuqia halucinogjene e drogës që ende ishte e ligjshme, Kesey filloi ta shpërndante atë te miqtë e tij dhe, në vitin 1964, mblodhi disa njerëz me mendësi të ngjashme të quajtur Merry Pranksters dhe u nis nëpër ShBA me një autobus të pikturuar me ngjyra të ndezura. LSD-ja po dilte nga laboratorët në të gjithë vendin dhe po ushqente përvojën e kundërkulturës.

Tashmë ishte e njohur se përdoruesit rrezikonin të përjetonin të ashtuquajturat udhëtime [trip] të këqija, spirale të frikshme paniku dhe frike që mund të shkaktonin dëme afatgjata psikologjike. Megjithatë, shumë njerëz që merrnin LSD-në ishin entuziastë për potencialin e saj për të ndryshuar botën për më mirë.

Një nga promotorët më të zjarrtë të saj ishte ish-psikologu i Harvardit, Timothy Leary, fraza e të cilit turn on, tune in, drop out [aktivizohu, akordohu, shkëputu] u bë slogan përcaktues i epokës psikodelike. Leary i kishte shkruar kompanisë farmaceutike zvicerane në vitin 1963 për të bërë një porosi për 100 gramë LSD, dozë kjo e mjaftueshme për dy milionë njerëz. Letra i ishte adresuar Hofmannit. Tashmë i alarmuar nga abuzimi i zbulimit të tij, Hofmanni këshilloi Sandoz-in të mos e furnizonte Learyn. “E kuptova menjëherë se do të ishte e rrezikshme, sepse një substancë që ka efekt kaq të thellë duhet të përdoret me kujdes”, i tha ai BBC-së.

Hofmanni vuri në dukje se halucinogjenët ishin përdorur për shekuj të tërë nga kulturat e lashta dhe komunitetet indigjene, por vetëm në mjedise fetare dhe gjithmonë “në duart e shamanit, jo në publik”. Në shoqërinë moderne, shtoi ai, ekuivalenti më i afërt me një shaman është psikiatri dhe drogat e tilla “duhet të mbeten në duart e shamanit”. Kjo ishte arsyeja pse ai u shqetësua që në fillim se “gjëra të këqija mund të ndodhnin” përmes përdorimit të pamend dhe të pakontrolluar - një frikë që ai ndiente e që më vonë u vërtetua.

Deri në vitin 1969, vlerësohej se më shumë se një milion amerikanë kishin provuar LSD-në pa mbikëqyrje mjekësore. Shumë prej tyre e gjetën anën më të errët të efekteve të saj mendore, por Hofmanni tha se ai kurrë nuk u ndje fajtor sepse “nuk është LSD-ja ajo që është e keqe”. Duke e përdorur në mënyrën e duhur, ka këmbëngulur ai, LSD-ja nuk është substancë e dëmshme. Ajo bëhej “shumë, shumë e rrezikshme” vetëm kur merrej pa kujdes dhe pa respekt për “ndikimin e saj të thellë në shoqëri dhe madje në ndërgjegje”.

Por, me kaq shumë njerëz që e merrnin pa kujdes dhe mes një numri në rritje të historive në media për efektet e dëmshme të drogës, rregullimi ligjor shpejt u bë i pashmangshëm. LSD-ja u vendos nën kontroll të rreptë ndërkombëtar nga Konventa e OKB-së e vitit 1971 për Substancat Psikotrope dhe u ndalua në shumë vende.

Sot, LSD-ja është e paligjshme në pothuajse çdo vend të botës, dhe aty ku përdorimi i saj lejohet në kërkimin mjekësor, mbetet rreptësisht i kontrolluar. Efekti i fuqishëm i drogës mbi mendjen dhe rreziku i “rikthimeve” afatgjata “në të kaluarën” kanë bërë që ajo të klasifikohet se ka potencial të lartë abuzimi, së bashku me substancat si kokaina dhe heroina.

Hofmanni vdiq në vitin 2008 në moshën 102-vjeçare. Ai i tha BBC-së se përfundimi kryesor që kishte nxjerrë nga përvoja e tij me LSD-në ishte se “realiteti nuk është diçka fiks, por përkundrazi i paqartë”. Ai tha: “Më parë, gjithmonë kisha menduar se ekziston vetëm një realitet, një realitet i vërtetë, dhe pastaj kuptova se ka dimensione të tjera”.

Ndërsa titulli i autobiografisë së tij, LSD-ja: Fëmija im problematik [My Problem Child], pasqyronte qëndrimin e tij ambivalent ndaj drogës, ai vazhdoi të kishte besim në potencialin e saj terapeutik. Ai shkroi: “Besoj se nëse njerëzit do të mësonin të përdornin aftësinë e LSD-së për të nxitur vizione më me mençuri, në kushte të përshtatshme, në praktikën mjekësore dhe në lidhje me meditimin, atëherë në të ardhmen ky fëmijë problematik mund të bëhej një fëmijë mrekullie”. /Telegrafi/