Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, tha se është mirë që organizohen tubime të këtilla përkujtimore, në të cilat flitet për kontributin e jashtëzakonshëm të dëshmorëve të kombit në luftë për çlirimin e atdheut, sepse kështu, brez pas brezi, do të përkujtohen figurat madhore të historisë dhe lavdisë sonë kombëtare.

“Njëri ndër ata luftëtarë të orëve të para, që ra heroikisht në fushëbetejë për liri, para plot 15 vjetëve, ishte edhe komandant Shemsi Ahmeti. Ai dhe dëshmorët që sot po i përkujtojmë, ishin kurorë e lavdisë së kësaj ane dhe gjithë pjesëtarëve të UÇK-së. Emrat dhe veprat e tyre nuk vdesin kurrë.”, ka thënë ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Emin kabashi, autor i monografisë së Heroit Shemsi Ahmeti, tha se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte luftë popullore dhe luftë vullnetare.


“Historianë të luftës, mund edhe të mos pajtohen me këtë përkufizim, por realiteti kohor, niveli organizues, mbështetja e tërësishme e luftës nga popullata shqiptare, si dhe bashkëveprimi në të gjitha anët për të realizuar konceptin çlirimtarë, janë përbërësit themelor që e përcaktojnë karakterin popullor dhe vullnetar të kësaj lufte. Të gjithë ushtarët e lirisë ishin së Kosovë ishin vullnetarë. Vullnetarë ishin edhe Komandant Shemi dhe dëshmorët që sot po i përkujtojmë. Ata vullnetarisht u flijuan për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës”, tha ndër të tjera profesor Kabashi. /Telegrafi/