LAJMI I FUNDIT:

U larguan 154 uzurpatorë, mbetën edhe 78

U larguan 154 uzurpatorë, mbetën edhe 78

Për rreth dy muaj Policia e Kosovës ka arritur t’i largojë rreth 154 uzurpatorë të ndërmarrjeve shoqërore, ndonëse, asnjë prej tyre nga pjesa veriore e Kosovës.
Aksioni i madh për largimin e uzurpatorëve ka nisur në muajin prill të këtij viti, katër muaj pasi që në gazetën “Zëri” ishte botuar një hulumtim disamujor për pronat e uzurpuara në qendër të Prishtinës.

Pikërisht me largimin e uzurpatorëve nga këto prona kishte nisur edhe aksioni i Policisë, me kërkesë të kryeprokurorit të vendit, Aleksandër Lumezi.


Për më tepër vetë prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Armend Hamiti, ka konfirmuar për mediet vendore se hetimet për lirimin e pronave të uzurpuara në rajonin e Prishtinës kanë filluar për herë të parë në fund të vitit që lamë pas, pas një hulumtimi të botuar në gazetën “Zëri”.

Sipas zyrtarëve të AKP-së, në fillim të muajit qershor 2016 kanë qenë të identifikuara rreth 78 raste të uzurpimeve të ndërmarrjeve shoqërore, prej të cilave 25 janë në pjesën veriore të Mitrovicës.

Zyrtarë të AKP-së zotohen se do të vazhdojnë me lirimin e pronave nga shfrytëzuesit e paligjshëm në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe sigurojnë se të gjitha asetet e ndërmarrjeve shoqërore, të cilat janë nën juridiksionin e AKP-së do të lirohen nga posedimet/përdorimet e jashtëligjshme apo uzurpimet, në përputhje me vendimin bazuar në mandatin ligjor të dhënë me Ligjin e AKP-së të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovë. /Zëri/Telegrafi/